Sulmuesit Neymar dhe Kylian Mbappe duhet të rizbulojnë formën e tyre të shënimit të golave në Ligën e Kampionëve, kur Paris Saint-Germaini i goditur nga lëndimet e shumta do të përballet me skuadrën gjermane RB Leipzig. Kjo ndeshje luhet të martën mbrëma, prej orës 21:00 dhe i takon Grupit H.
Si Neymar ashtu edhe Mbappe janë kthyer pas lëndimeve që i patën dhe te skuadra franceze po presin që ata të marrin përsipër përgjegjësinë në ndeshjen e xhiros së katërt të fazës së grupeve.
Neymari nuk ka shënuar gol në pesë ndeshjet e tij të fundit në Ligën e Kampionëve, derisa Mbappe ka shtatë ndeshje që nuk ka tundur rrjetën kundërshtare.
Në ndeshjet e fundit të Championsit, të zhvilluara në fillim të këtij muaji, PSG-ja pësoi humbje në udhëtim nga RB Leipzigu me rezultatin 2:1. Ekipi francez ka tubuar tri pikë në po aq ndeshje të zhvilluara këtë edicion në Champions dhe mban pozitën e tretë në tabelë, ndërkohë RB Leipzigu është i dyti me gjashtë pikë, sa i ka edhe Manchester Unitedi që është lider. Pozitën e fundit në grup e mban kampioni i Turqisë, Istanbul Bashakshehiri, me tri pikë.
“Ne si ekip automatikisht ndikohemi nëse Mbappe dhe Neymar nuk shënojnë gola. Ata kanë ndikim të madh te Parisi, pasi janë lojtarët kryesorë. Shpresoj që ata do të mund të shënojnë kundër Leipzigut pasi kemi nevojë për këtë fitore”, ka pranuar trajneri i PSG-së, Thomas Tuchel, në konferencën për shtyp të mbajtur të hënën.
Trajneri gjerman ka mungesa të shumta për këtë duel. Mbrojtësit Thilo Kehrer e Juan Bernat, mesfushorët Marco Verratti e Julian Draxler dhe sulmuesi Mauro Icardi mungojnë për shkak të lëndimeve. Presnel Kimpembe është i pezulluar, që do të thotë se braziliani Marquinhos do të jetë startues dhe do të aktivizohet si qendërmbrojtës. Megjithatë, Tuchel pranon se do të duhet të mbështetet në repartin e sulmit për ta mposhtur ekipin të cilin e eliminoi edicionin e kaluar në gjysmëfinale të kësaj gare.
“Dëshira jonë për të shënuar do të jetë më e fortë, sesa frika se mund të dënohemi nga kundërshtari për shkak të mungesave që kemi. Kam besim se sulmuesit tanë e kanë parasysh rëndësinë e ndeshjes dhe janë të gatshëm për ta dëshmuar veten pas lëndimeve”, tha Tuchel.
Neymar luajti gjysmë ore në humbjen 3:2 nga Monaco të premten e shkuar në Ligue 1, në ndeshjen e tij të parë që nga kthimi prej lëndimit. Ndërsa, Mbappe shënoi dy gola pas kthimit nga lëndimi, të cilin e pësoi më 31 tetor në ndeshjen kampionale kundër Nantesit. Mbappe, i cili golin e tij të fundit në Champions e ka shënuar në dhjetor të vitit të shkuar, gjithashtu luajti edhe me Francën në ndeshjet ndërkombëtare.
“Ne kemi nevojë për një paraqitje madhështore nga Mbappe. Ai mendoj se është gati pas dy golave që i shënoi ndaj Monacos, që fatkeqësisht nuk mjaftuan për fitore. Neymari ka kapacitetin dhe vetëbesimin për të shënuar dhe besoj që ndaj Leipzigut do t’u kthehet golave në Champions që i mungojnë nga muaji mars”, tha Tuchel. “Natyrisht, Neymari nuk është në formën më të mirë, por prania e tij në fushë do të thotë shumë për ne”.
Për dallim prej PSG-së, skuadra e RB Leipzigut do të jetë e kompletuar për këtë ndeshje dhe këtë e ka konfirmuar edhe trajneri Julian Nagelsmann. RB Leipzigu vjen pas barazimit në Bundesligë që e pati kundër Freiburgut (1:1), por trajneri Nagelsmann ka besim të madh në ekipin e tij. Madje, ai ka paralajmëruar fitore ndaj PSG-së, për ta bërë edhe një hap më shumë drejt kualifikimit në fazën e nokautit të Ligës së Kampionëve.
“Presioni është te Parisi, por kjo nuk do të thotë se ne nuk do të dalim në fushë për të fituar. Dëshira jonë është që ta fitojmë këtë ndeshje për të qenë në pozitë më të mirë sa i përket avancimit nga grupi. Duhet të shënojmë të parët në mënyrë që të kemi një avantazh dhe të bëjmë një paraqitje të mirë”, është shprehur Nagelsmann.
Ndeshja tjetër e këtij grupi është ajo që zhvillohet në stadiumin “Old Trafford” ndërmjet Manchester Unitedit dhe Istanbul Bashakshehirit. Në duelin e fundit të luajtur në Turqi, Bashakshehiri befasoi Manchesterin, të cilin e mposhti me rezultatin 2:1. Ky rezultat edhe i ka dhënë ekipit turk motiv që të shpresojë në një befasi tjetër në ndeshjen e së martës mbrëma.
“Fitorja e fundit, dëshmoi se jemi një ekip serioz që synon të avancojë përtej fazës së grupeve. Kështu që ndaj Manchesterit do të kërkojmë fitoren, sepse është ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Kemi shumë arsye për ta kërkuar fitoren e dytë kundër Manchesterit që është një ekip i fortë dhe me nam”, ka paralajmëruar trajneri i Bashakshehirit, Okan Buruk.
Të martën do të zhvillohen edhe ndeshjet e xhiros së katërt të Ligës së Kampionëve edhe në kuadër të grupeve E, F dhe G.