Sport

Nën masa të rrepta të sigurisë, Kosova sonte përballet me Izraelin në “Fadil Vokrri”

Kanë mbetur më pak se dy orë deri te fillimi i shumëpritur i ndeshjes mes Kosovës e Izraelit, që luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, në ndeshjen eliminatore për “Euro 2024” në futboll. Kjo ndeshje ishte shtyrë shkaku i luftës në Gazë. Për këtë arsye janë marrë masat të rrepta të sigurisë.

Rrugët që çojnë drejt stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë janë bllokuar shkaku i shtimit të sigurisë për ndeshjen e sotme mes Kosovës dhe Izraelit.

Niveli i sigurisë për këtë ndeshje është rritur dhe policia e Kosovës ka bllokuar të gjitha hyrjet që çojnë për tek stadiumi, ndërsa Komuna e Prishtinës ka udhëzuar qytetarët që të shfrytëzojnë më tepër transportin publik sot.

Federata e Futbollit së bashku me Policinë kanë njoftuar për rregullat e sigurisë duke ndaluar mes tjerash edhe ombrellat e çantat për shikuesit.

E gjithë hapësira rreth stadiumit “Fadil Vokrri” është nën masa të rrepta të sigurisë. Edhe strukturat e sigurisë së Izraelit janë përfshirë për ta garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas ndeshjes.

Ndeshja, që fillon prej orës 20:45, është e para për Izraelin prejse nisi lufta në Gazë.

Futbolldashësit vlerësuan se masat për këtë ndeshje kanë zbehur argëtimin, ndonëse shpresojnë se përballja e Dardanëve me izraelitët do të përfundojë pa incidente.

“Ajo nuk është problem i yni. Ne jemi shtet mik me Izraelin, me Amerikën, Britaninë. Mendoj që ish dashtë me shkua gjithçka mirë, me qenë veç futboll, mos me pasë tema tjera që na ngarkojnë neve si shtet, si shoqni”, ka thënë Armend Pllana, tifoz.

“Nuk e di a është e nevojshme me bë tërë këtë siguri për sonte. Unë kam ardhë qe dy orë prej Gjermanisë me këtë shokin, që është gjerman. Ky po kërkon me shku në stadium, unë i thashë jo”, ka thënë Sami Berisha- tifoz.

Vendimi që kjo lojë të luhet me këtë datë i ka sjellë telashe të mëdha kombëtares së Kosovës me grumbullimin e lojtarëve.

Mungesë e madhe për Kosovën sonte do të jetë, ndër të tjera, kapiteni Amir Rrahmani.

Vetëm Mallorca e Vedat Muriqit e ka shtyrë ndeshjen e fundjavës për këtë arsye.