Sport

Nën “llupën” e VAR-it, nis gara për titull dhe katër vende në Evropë

Fituesi i Kupës dhe Superkupës së Kosovës në futboll, Llapi synon ta nis me fitore edicionin 2021/22 të Superligës që starton të shtunën. Llapi të shtunën prej orës 17:00 e pret Ulpianën, ekip i rikthyer në elitë për herë të parë pas vitit 2008. Kjo ndeshje do të luhet në Merdar, ku Llapi përkohësisht do të jetë si vendas për shkak se stadiumi “Zahir Pajaziti” është duke punuar në rregullimin e fushës. Ndeshja ndaj Ulpianës për Llapin vjen vetëm pak ditë pasi e fitoi trofeun e Superkupës, të parin në histori të klubit sikurse atë të Kupës në muajin maj. Të martën mbrëma, Llapi e mposhti Prishtinën 3:1 pas vazhdimeve në stadiumin “Zahir Pajaziti”. Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë të premten për KOHËN, se ekipi i tij ndaj Ulpianës do të futet për fitore, për shkak se synimet e llapjanëve në edicionin 2021/22 janë të mëdha. Megjithatë, ai ka vlerësuar lart kundërshtarin e parë në kampionat.

“Nuk është aspak një ndeshje e lehtë, pasi është e para në sezonin e ri. Ne jemi përgatitur mirë për këtë duel dhe pres angazhimin dhe lojë të mirë prej ekipi tim. Jemi një ekip me shumë potencial dhe këtë duhet ta shfaqim qysh prej ndeshjes së parë. Po ashtu, jemi komponuar mirë dhe kjo më bën të jem i qetë prej fillimit të kampionatit. Do të luajmë nga ndeshja në ndeshje, dhe do të mundohemi të tregojmë vlerat dhe cilësitë tona. Natyrisht, që synimi është të startojmë me fitore”, tha Batatina.

Të shtunën, zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera. Drenica e pret skuadrën e Gjilanit, ndërsa Drita do të përballet me Feronikelin. Një ditë para ndeshjes me Dritën, skuadra nga Drenasi ka zyrtarizuar nëntë përforcime: Behar Maliqin, Dren Gashin, Azem Bejtën, Qemajl Elshanin, Berat Ahmetin, Alban Shabanin, Diar Prokshin, Drilon Lekun e Endrit Kastratin. E përforcime, ka bërë edhe Drita që ka transferuar plotë dhjetë futbollistë.

“Në këtë edicion kemi vendosur të sjellim frymë të re, futbollistë të rinj dhe kemi sjellë futbollistë mjaft cilësorë, të dëshmuar në kampionat. Presim një Dritë ndryshe, pasi çdo futbollist ka cilësitë e veta. Mendoj se kemi sjellë potencial dhe na mbetet të marrim maksimumin nga secili futbollist për të marrë objektivat e synuara”, ka thënë trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu.

Ndërkohë, të dielën, do të zhvillohen dy ndeshjet e fundit të xhiros së parë. Ballkani synon fitore në shtëpi ndaj Dukagjinit të rikthyer në elitë pas një viti, ndërsa Malisheva që po luan për herë të parë në Superligë, e pret në stadiumin “Liman Gegaj”, kampionen në fuqi, Prishtinën.

“Qëllimi është për të marrë rezultate, kështu që varet edhe prej kundërshtarit dhe prej ndeshjes në ndeshje dhe grupit. Do të luajmë futboll që do të na sjellë rezultat, do t’i qasemi ndeshjes varësisht prej kundërshtarit apo rrjedhës së lojës. Ballkani është i gatshëm për fillim të kampionatit”, është shprehur trajneri i Ballkanit, Bekim Isufi.

Te Malisheva, pranojnë se Prishtina mbetet favorite, por insistojnë se do të kërkojnë rezultat pozitiv përkundër cilësisë së kundërshtarit. Kështu është shprehur trajneri Arsim Thaqi, i cili gjatë karrierës së tij, e ka drejtuar për një periudhë edhe Prishtinën.

“Duke u nisur nga fakti se kemi përballë ekipin kampioni të Kosovës, kuptohet se nuk do të jetë lehtë. Pjesa e cilësisë, besoj i takon Prishtinës. Ne do ta respektojmë Prishtinën, por kuptohet se do të angazhohemi maksimalisht për të nxjerrë rezultat pozitiv, pa marrë parasysh cilësitë e saj”, ka thënë Thaqi.

E veçanta e këtij edicioni, do të jetë implementimi i sistemit VAR, i cili zyrtarisht ka debutuar në ndeshjen e Superkupës. Të gjitha ndeshjet e Superligës, do të përdoret sistemi VAR që nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), është vlerësuar si projekti më i madh. Po ashtu, edhe tifozët do të lejohen në tribuna, pasi klubit mund të përdorin deri në 30 për qind të kapaciteteve të stadiumeve.

“VAR-i starton që nga ndeshja e Superkupës dhe do të jetë në ndeshjet e Superligës së Kosovës. Në 8 stadiume është intervenuar, në mënyrë që VAR-i të jetë i zbatueshëm. Ka qenë ide e imja dhe jam i lumtur për këtë”, pati thënë kreu i FFK-së, Agim Ademi në prezantimin e VAR-it.

Interesante do të jetë edhe lufta për vendet që sezonin tjetër dërgojnë në garat evropiane. Katër skuadra, për herë të parë, do ta përfaqësojnë futbollin kosovar në arenën ndërkombëtare. Tri pozitat e para në tabelë dhe fituesi i Kupës së Kosovës. Kampioni do të luajë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ndërsa tri ekipet tjera, në ato të Ligës së Konferencës. Këtë edicion, Kosova i pati tri skuadra në garat e Evropës. Prishtina e fitoi turneun parakualifikues të Ligës së Kampionëve, por u mposht nga Ferencvaroshi në rundin e parë për t’i vazhduar garat në Ligën e Konferencës, që është niveli i tretë të garave të UEFA-s. Në Ligën e Konferencës, Prishtina u eliminua në raundin e tretë kualifikues, Drita në të dytin ndërsa Llapi në të parin.

Superliga – I

E shtunë (17:00)

Drita – Feronikeli

Drenica – Gjilani

Llapi – Ulpiana

E diel

Malisheva – Prishtina

Ballkani – Dukagjini