Mungesat e shumta shkaku i lëndimeve dhe largimeve të lojtarëve drejt klubeve evropiane ka qenë prej faktorëve që Ballkani të mos ketë stabilitet në rezultate. Kështu të paktën thonë te kampioni i dy edicioneve të fundit në Kosovë.
Kthimin te rezultatet pozitive dhe qëndrimin në krye të tabelës, Ballkani e synon të shtunën, kur përballet me Gjilanin, skuadrën tjetër që ka mungesë të fitoreve.
Ballkani për kohë të gjatë mbajti vendin e parë në tabelë, me diferencë të madhe të pikëve me përcjellësit. Por një fitore në shtatë ndeshjet e fundit ka bërë që Ballkani të ketë vetëm një pikë më shumë se Llapi. Ballkani i ka 44 pikë, Llapi 43 e Drita 40 pikë.
Ecurinë prej tri disfatave e po aq barazimeve dhe vetëm një fitoreje Ballkani do të mundohet ta ndërpresë të shtunën në stadiumin e qytetit në Suharekë kur nga ora 13:00 të takohet me Gjilanin.
Ky ballafaqim i takon xhiros së 22-të të Superligës së Kosovës.
Ndeshja e fundit mes këtyre dy skuadrave në Gjilan u mbyll pa gola.
I vetëdijshëm për rezultatet e fundit të Ballkanit është mbrojtësi i krahut të djathtë Armend Thaqi. Ai ka theksuar se Ballkani e ka ende kualitetin për t’i përsëritur sukseset kulmore.
“Kemi qenë në një moment jo të mirë, mirëpo ka pasur shumë faktorë që ndikojnë në këtë. Është lehtë të kritikojmë dhe ta hedhim poshtë gjithë atë sukses që e kemi pasur. Jemi në moment jo të mirë dhe është përgjegjësi e jona për të dalë nga ky ngërç apo krizë, siç po e quajnë. Përgjegjës jemi të gjithë dhe të gjithë bashkë do të dalim nga kjo, sepse edhe pas gjithë këtyre gabimeve jemi përsëri liderë. Kemi ndeshjen ndaj Gjilanit dhe duhet ta marrim atë si një moment kthimi të vetëbesimit dhe ta fitojmë sepse e kemi kualitetin. Mendoj se do të reflektojmë të gjithë bashkë dhe të rikthehemi edhe më të fortë”, ka deklaruar Thaqi të premten për KOHËN.
Për Gjilanin do të jetë udhëtim i vështirë. Luan ndaj skuadrës të cilën nuk e ka mposhtur që prej 12 dhjetorit të vitit 2021. Prej asaj kohe gjashtë fitore i ka arritur Ballkani, ndërsa kanë qenë edhe dy barazime pa gola.
Gjilani aktualisht zë pozitën e tetë me 21 pikë. Është në zonën e barazhit, ndërsa është pa fitore në Superligë në gjashtë ndeshjet e fundit. Në këtë seri ka katër barazime e dy humbje.
Futbollisti i krahut te Gjilani, Oltion Bilalli, ka thënë se janë gati për ta tejkaluar krizën e rezultateve.
“Do të jetë ndeshje e vështirë duke marrë parasysh që përballemi me kampionin në fuqi. Jemi të vetëdijshëm që nuk po kalojmë periudhë të mirë, mirëpo jemi të gatshëm për ta kaluar këtë vështirësi. Do të udhëtojmë për të dhënë gjithçka nga vetja që të marrim maksimumin nga kjo ndeshje. Nuk kemi asnjë mungesë, përveç portierit Halimi, i cili është i lënduar. Ne mbetemi të motivuar për t’u kthyer te rezultatet pozitive”, deklaroi Bilalli.
Të shtunën në program është edhe ndeshja mes Malishevës dhe Feronikelit 74.
Malisheva është e katërta me 35 pikë, ndërsa Feronikeli 74 i shtati me 23 pikë.
Të dielën luhen edhe tri ndeshje. Në stadiumin “Zahir Pajaziti” është vëmendja pasi takohen Llapi e Prishtina.
Drita – Dukagjini dhe Liria – Fushë Kosova zhvillohen po ashtu të dielën nga ora 13:00.
Superliga – XXII
E shtunë (13:00)
Ballkani – Gjilani
Malisheva – Feronikeli 74
E diel (13:00)
Llapi – Prishtina
Drita – Dukagjini
Liria – Fushë Kosova
1. Ballkani 21 13 5 3 38:19 44
2. Llapi 21 13 4 4 35:17 43
3. Drita 21 12 4 5 27:13 40
4. Malisheva 21 11 2 8 34:25 35
5. Prishtina 21 6 12 8 34:25 30
6. Dukagjini 21 7 9 5 25:24 30
7. Feronikeli 74 21 6 5 10 20:32 23
8. Gjilani 21 5 6 10 15:20 21
9. Fushë Kosova 21 2 5 14 14:37 11
10. Liria 21 1 6 14 14:38 9