Sport

Në qytetin e rrushit, hendbolli e ka fjalën kryesore

Një flamur i vendosur përkrah semaforit në palestrën “Mizahir Isma” është nga pak gjërat që kanë mbetur nga klubi i basketbollit Rahoveci.

KB Rahoveci ka shuar aktivitetin.

Një klub tjetër e ka marrë primatin në Rahovec. Fuqishëm madje. Bëhet fjalë për klubin e riorganizuar të hendbollit, Rahoveci, që edicionin vjeshtor e mbylli pa asnjë humbje në elitën e hendbollit kosovar. Doli kampion vjeshte pas 14 ndeshjeve të fituara.

“Ky vit është më i miri prej se e njoh hendbollin. Jemi duke ecur mbarë me organizim të mirë deri në këto momente dhe fatmirësisht po shkon gjithçka ashtu siç e kemi planifikuar”, thotë drejtori sportiv i KH Rahovecit, Afrim Deliu, njëri prej më meritorëve për shndërrimin e klubit rahovecas në njërin prej më të mirëve në vend.

Deliu insiston se hendbolli është sport me traditë në Rahovec. Me zë të lartë thotë se pas futbollit, hendbolli ka qenë sport me traditë të pasur në Rahovec. Tregon se pas luftës së fundit në Kosovë, Rahoveci ka pasur dy klube të meshkujve dhe një të femrave.

Edhe trajneri Verim Zherka thotë se Rahoveci ka pasur hendboll të mirë në të kaluarën.

“Rahoveci ka pasur hendboll, por fatkeqësisht ajo periudha e paraluftës ka pasur një ngecje dhe fatmirësisht pas asaj periudhe është ringjallur gradualisht”, ka thënë Zherka.

Zherka është prej emrave kryesorë në hendbollin kosovar. Kishte karrierë të madhe si lojtar e po ashtu si trajner. Pranon se Rahoveci kurrë nuk ka qenë në këtë nivel të organizimit, ndonëse edhe në disa periudha ka qenë në Superligë por jo me këto kushte në të cilat është sot.

Afrim Deliu, që ka kontribut të madh për riorganizimin e klubit të hendbollit, thotë se mungesa e palestrës ua ka pamundësuar qëndrimin e gjatë në Superligë. Pengesë tjetër ka qenë edhe pandemia, sipas tij.

Titulli i kampionit – synimi i “vreshtarëve”

Rahoveci në edicionin e kaluar siguroi për herë të parë në histori, fazën finale të Kupës së Kosovës. Në edicionin aktual i ka tejkaluar pritshmëritë edhe të vetë drejtuesve, trajnerëve dhe lojtarëve.

“Të them të drejtën as unë ndoshta nuk e kam besuar se do të arrijmë deri këtu ku jemi. Por, ne në kryesi jemi jo shumë njerëz të përfshirë, por të gjithë kemi dhënë maksimumin deri në këto momente vetëm që klubi të arrijë këtu ku është sot. Fatmirësisht, jo që vetëm e kemi arritur objektivin por jemi shumë të kënaqur me këtë organizim”, ka vazhduar Deliu.

Për t’u bërë klub konkurrent, thotë se sakrifica ka qenë e madhe.

“E vështirë shumë, pasi kemi sakrifikuar deri në këto momente gjithçka duke nisur nga koha, financat dhe gjithçka tjetër. Por ia ka vlejtur kjo sakrificë, kur sheh tash ekipin është kënaqësi. Edhe publiku është rikthyer, kemi fituar besimin e qytetarëve dhe mendoj se e kemi merituar që të vijnë sa më shumë shikues, të mbushet kjo palestër dhe të vazhdojmë me sukseset e klubit”, thotë Deliu.

Se Rahoveci po shndërrohet në skuadrën kryesore të hendbollit në vend, tregojnë dy fitoren e shënuara ndaj skuadrës pejane, Besa Famgas. Rahoveci synon ta ndalë dominimin e Besës në kampionat. Besa Famgas kishte përfunduar disa edicione garuese pa humbje të pësuar. Këtë edicion i ka tri humbje, dy prej tyre nga Rahoveci.

“Nuk mund të themi që jemi kandidati kryesor për titull, por do të luftojmë për titull dhe Kupën e Kosovës. Sa do t'ia arrijmë ajo nuk mund të parashikohet nga askush, por ne do të bëjmë të pamundurën që t'i realizojmë synimet. Shkojmë deri në fund”, është shprehur Deliu.

Image

Në Rahovec flasin vetëm për klubin e hendbollit

“Vreshtarët” po dominojnë pas përforcimeve të shumta që bënë para fillimit të edicionit. Postin e trajnerit kryesia e klubit ia besoi trajnerit me përvojë, Verim Zherka.

“KH Rahoveci po shkon gradualisht me hapa të sigurt dhe është viti i tretë që është në Superligë. Sivjet kemi një ngritje të madhe”, është shprehur Zherka.

Ai zbulon armën e fortë të Rahovecit.

“Jemi ekip tepër i përgatitur në aspektin fizik dhe kjo po na jep fryt. Kjo ka qenë arma jonë kryesore, loja e shpejtë me kundërsulme, sa më pak mbrojtje e formuar”, ka deklaruar Zherka.

Gjatë vizitës që KOHA ia bëri klubit, në qytet flitej shumë për hendbollin. Të gjithë ishin krenarë për suksesin e klubit të qytetit.

Se qyteti mburret me arritjet e klubit e thotë edhe kapiteni, Ardian Osa. Ai është shumë i rëndësishëm për klubin, jo vetëm si lojtar.

“Gjithë qyteti për momentin është duke folur për suksesin tonë, sepse me të vërtetë ka qenë nevojë për këtë qytet ta ketë një klub të suksesshëm dhe mendoj se deri tash e kemi përfaqësuar denjësisht qytetin e Rahovecit”, ka thënë Osa. Ai luan në rolin e pivotit dhe shquhet për angazhimin.

Osa insiston se Rahoveci funksionon si familje.

“Çelësi i suksesit ka qenë grupi i lojtarëve të cilët jemi në ekip, lojtarët e rinj, organizmi e po ashtu edhe ardhja e trajnerit ka sjellë një frymë të re në klub. Dhe sukseset tashmë po shihen deri më tani”, ka theksuar Osa.

I lumtur që është pjesë e suksesit të Rahovecit, është edhe portieri Arbër Curri. Curri iu bashkua rahovecasve në vitin 2021. Është portier me përvojë.

“Nuk kam fjalë për qytetin e Rahovecit, sepse i gjithë qyteti po flet për klubin tonë. E kemi mundur një ekip siç është Besa, të cilës pas pesë vjetësh ia kemi shkaktuar humbjen e parë në kampionatin e rregullt. I gjithë qyteti po flet për ne dhe ndihem krenar për këtë sukses”, ka thënë Curri.

Krahas klubit të hendbollit, në Rahovec ka edhe klub futbolli e po ashtu klube të sporteve tjera. Por në qytetin e rrushit, fjalën kryesore tani e ka klubi i hendbollit. Një titull kampioni besohet se do t’i jap vrull të mëtejmë hendbollit në këtë pjesë.