Nuk ka Lojëra Olimpike, por ka gara tjera të mëdha, të nivelit superior. Dhe suksesin në të gjitha garat madhore të vitit 2022 do ta kërkojnë xhudistët kosovarë. Nxënësit e trajnerit Driton Kuka janë në vlugun e ushtrimeve, ndërsa sfidën e parë për këtë vit do ta kenë menjëherë javën tjetër.
Fillimi natyrisht do të jetë më i ngadaltë. Gara e parë për ekipin kosovar të xhudos do të jetë ajo Grand Prix që mbahet në Almada të Portugalisë prej 28 deri më 30 janar. Sipas të dhënave të fundit, në garën Grand Prix në Portugali do të marrin pjesë 383 xhudistë nga 46 shtete të ndryshme. Është gara e parë e Turit Botëror të Xhudos për vitin 2022. Pjesë e Turit Botëror janë garat kryesore të sportit ku Kosova ka shumë vjet që prek majën botërore.
Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, tashmë ka vendosur për ekipin që do të garojë në Portugali. Ekipit do t’i prijë kampionia olimpike Distria Krasniqi. Pos saj do të garojnë edhe Erza Muminoviq, Flaka Loxha e Laura Fazliu. Pra, katër xhudiste.
Distria do të garojë në kategorinë deri 52 kilogramë, në të cilën u kthye pas suksesit kulmor në “Tokio 2020”. Në Lojërat Olimpike të Tokios fitoi të artën, por në kategorinë deri 48 kilogramë. Tani është në proces të kalimit në kategorinë deri 52 kilogramë dhe gara në Portugali do të jetë test i mirë.
Distria është e para në ranglistën botërore në kategorinë deri 48 kilogramë. Por në kategorinë deri 52 kilogramë është vetëm e 38-ta në ranglistë. Për këtë është vetëm bartësja e pestë në Almada. Erza Muminoviq do të garojë në kategorinë e njëjtë, por nuk është në mesin e bartëseve.
Flaka Loxha garon në kategorinë deri 57 kilogramë dhe është bartësja e pestë. E pesta prej bartëseve është edhe Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë.
Laura, Flaka e Erza kanë pasur suksese te senioret, por janë në pritje të stabilizimit në mesin e të rriturave. Dhe trajneri Kuka pret të marrë sinjalet e duhura në Portugali, sinjalet që kjo treshe është gati për ngjarjet e mëdha.
“Është gara e parë e vitit dhe natyrisht që të gjitha xhudistet i kanë synimet. Nuk jemi të ngarkuar me rezultat, por pres që të konfirmojë gjëra të rëndësishme që kanë të bëjnë me këto xhudiste. Rezultati nuk është prioritet në këtë fazë”, ka thënë Driton Kuka të premten për KOHËN.
Rëndësi më të madhe rezultati ka në Grand Slamin e Parisit. Është kjo gara e dytë e vitit që mbahet më 5 e 6 shkurt. Grand Slami i Parisit vlerësohet gara më e famshme e xhudos. Marrin pjesë më të mirët e xhudos dhe atmosfera zakonisht është impozante. Xhudistët kosovarë thuajse rregullisht ishin të suksesshëm në Paris dhe medalje synohen edhe këtë herë.
Por trajneri Kuka nuk ka vendosur ende se cilët xhudistë do të jenë në Paris. Fokusi i tij është që forma e xhudistëve të jetë e lartë për fundin e prillit, kur në Sofje të Bullgarisë mbahet Kampionati Evropian. Forma besohet se do të jetë më e larta e mundshme edhe në fillim të tetorit, kur në Tashkent të Uzbekistanit mbahet Kampionati Botëror për vitin 2022. Evropiani e Botërori janë ngjarjet kryesore të vitit.
Distria Krasniqi së bashku me Nora Gjakovën, Loriana Kukën dhe Akil Gjakovën janë adutët kryesorë të ekipit të Kosovës. Por pritet shumë edhe nga Laura, Flaka e Erza dhe disa të tjerë që po vijnë. Nora Gjakova, Akil Gjakova e Loriana Kuka nuk janë pjesë e ekipit për garën e parë të vitit.