Sport

Në Napolin e Maradonës

Tifozët e Napolit janë të njohur për pasionin dhe dashurinë që e kanë për ekipin e tyre, që bën gara në Serie A të Italisë. Pasioni dhe dashuria ndaj klubit është forcuar në vitet ‘80, kur Napoli arriti ta transferonte Diego Armando Maradonën, tashmë të ndjerë.

Pothuajse të gjitha sukseset në historinë e klubit napolitan janë të lidhura me Maradonën, që për shumë njerëz është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave. Prej vitit 1984 deri në vitin 1991 Maradona ishte pjesë e Napolit dhe gjatë kësaj periudhe klubi ka fituar pesë trofe, përfshirë dy titujt e vetëm të kampionit të Italisë (1986/87 dhe 1989/90).

Dashuria e napolitanëve për klubin nuk është shuar kurrë, edhe pse Napoli kishte rënie të madhe pas largimit të ikonës argjentinase. Napoli në vitet e fundit prapë po ka suksese, por ende jo si të periudhës së Maradonës.

Nderin që të luajë në një klub me tifozë të zjarrtë e ka kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani. Rrahmani në janar të vitit 2020 u transferua te Napoli, por mbeti huazim te Verona. Prej verës së vitit të kaluar mbrojtësi prishtinas luan për ekipin ikonik.

Rrahmani tregon se në qytet pothuajse gjithçka frymon me Maradonën dhe sukseset e klubit në kohën e tij. Ai shton se Napoli e kishte obligim t’ia ndërrojë emrin stadiumit nga “San Paolo” në “Diego Armando Maradona”.

Këtë veprim Napoli e bëri pas vdekjes së Maradonës. Në nderim të legjendës argjentinase, fanellat e skuadrës së Napolit për këtë edicion e kanë të stampuar fytyrën e tij. Është një dizajn unik i Napolit për ta konfirmuar edhe një herë dashurinë e madhe që e ka ndaj Maradonës. Maradona vdiq më 25 nëntor të vitit të kaluar.

Rrahmani thotë se lidhja e Napolit me Maradonën e ndjerë është e veçantë dhe nuk do të shuhet kurrë.

“Lidhja e Maradonës me Napolin, në këtë rast me qytetin dhe njerëzit, është shumë e fortë. Arritjet dhe sukseset që Maradona i ka pasur me fanellën e Napolit janë shumë të veçanta dhe për këtë arsye të gjithë në qytet e adhurojnë atë. Dhe mund të them se kjo lidhje që Napoli e ka me Maradonën do të vazhdojë duke u bartur brez pas brezi”, ka thënë Rrahmani në një bisedë për KOHËN.

“Tani që Maradona nuk është në mesin tonë, ajo lidhje vetëm se është forcuar dhe do të vazhdojë të forcohet për shkak se napolitanët e duan shumë Maradonën”.

Përveç stadiumit që mban emrin e tij, Maradona ka edhe statujën në Napoli. Edhe një rrugë mban emrin e tij.

Më i dashuri

Nëpër rrugicat e Napolit dhe dyqane të shumta, ka gjëra unike të prodhuara në emër të Maradonës.

Disa prej tifozëve më të vjetër kanë edhe muze të vegjël në shtëpitë e tyre me gjëra të argjentinasit.

“Nuk ka personalitet më të dashur dhe më të përmendur se Maradona në Napoli. Të gjithë flasin për Maradonën dhe Napolin e madh të Maradonës”, tregon Rrahmani.

Vdekja e Maradonës, sipas Rrahmanit, është përjetuar rëndë tek napolitanët. Kapiteni i Kosovës tregon se qytetarët e Napolit atë ditë kanë thyer të gjitha masat e izolimit për t’u mbledhur para stadiumit në nderim të Maradonës. Rrahmani aty e ka kuptuar në thelb dashurinë e pashtershme që napolitanët e kanë për legjendën e tyre.

“Pas vdekjes së Maradonës ishte i detyrueshëm ndërrimi i emrit të stadiumit për shkak të lidhjes së gjithë qytetit me të. Ishte kohë pandemie dhe e mbaj në mend se nuk ishte e lejueshme dalja në qytet për shkak të masave anti-Covid. Mirëpo asnjëri prej napolitanëve nuk e respektoi këtë masë. Të gjithë u mblodhën te stadiumi në shenjë përkujtimi për Maradonën”, shprehet Rrahmani.

“Vdekja e tij është përjetuar rëndë në të gjithë qytetin sepse Maradona është i përjetshëm te Napoli. Një dashuri që nuk shuhet kurrë”.

Rrahmani ndihet krenar që është pjesë e klubit, siç e quan ai, prej më të mëdhenjve jo vetëm në Itali, por edhe në botë. Këtë edicion Rrahmani ishte njëri prej lojtarëve kryesorë në ekip dhe shpreson te këtë suksese. Napoli është në pozitën e tretë në tabelë, me shtatë pikë më pak se Interi që dimëron si kampion.

Prej klubeve më të mëdha

Qytetarët e Napolit, Rrahmani i përshkruan të ngrohtë dhe mikpritës, ashtu sikurse shqiptarët.

“Napoli është klub i madh. Prej më të mëdhenjve në Itali, që gjithmonë lufton për vendin e parë dhe një pozitë që dërgon në Ligën e Kampionëve. Mund të them se është një prej klubeve më të mëdha në botë”, shprehet Rrahmani. “Ndërsa Napoli si qytet është shumë i bukur dhe antik. Njerëzit janë shumë të ngrohtë dhe në njëfarë mënyre janë sikurse shqiptarët, pasi dihet që jemi të ngrohtë dhe mikpritës të mëdhenj”.

Sikurse të gjithë futbollistët e Napolit, Rrahmani gëzon respekt të madh jo vetëm nga tifozët por të gjithë napolitanët. Ai thotë se qyteti i Napolit jeton dhe frymon me ekipin e futbollit. Tregon se fitoret përjetohen me emocione të mëdha ndërsa humbjet me zhgënjim. Sivjet kishte më shumë gëzime se zhgënjime.

“Për shkak se napolitanët e ndjekin shumë futbollin dhe klubin e tyre, kjo bën që ne futbollistët të kemi një respekt të veçantë te tifozët, sepse prezantojmë qytetin dhe klubin e tyre të zemrës. Ndoshta respektohemi edhe më shumë se ndonjë aktor apo figurë e ndonjë profesioni tjetër në qytet. Ne na duan për shkak se prezantojmë ngjyrat e këtij klubi dhe qytetit që jeton me futbollin”, thotë Rrahmani.

Sipas mbrojtësit të qendrës, futbolli është sporti kryesor te napolitanët, që i quan tifozët më të zjarrtë në Itali. Ai thotë se ata i përcjellin të gjitha ndeshjet e Napolit dhe mbajnë në mend pothuajse çdo duel apo detaj që ka ndodhur.

“Qytetarët e Napolit apo napolitanët janë shumë të dhënë pas ekipit sepse futbolli është i vetmi sport që e ndjekin me pasion. Kjo i bën ata të dallojnë shumë prej tifozëve të ekipeve tjera. Zakonisht tifozët në jug të Italisë njihen si më të zjarrtit në futbollin italian. Nuk lënë ndeshje pa e parë, qoftë në stadium apo televizor. Nuk ka moment apo situatë që nuk e mbajnë në mend pothuajse të secilës ndeshje për shkak se janë të pasionuar pas futbollit, në këtë rast pas skuadrës së Napolit”.

*Falas