Trofetë e Superkupës së Kosovës në hendboll do të ndahen të shtunën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
Fillimisht prej orës 18:00 takohen hendbollistet e Istogut dhe ato të Ferizajt. Istogu fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës në edicionin e kaluar. Për Superkupë do të luajë me Ferizajn, që ishte në gjysmëfinale të plejofit.
Të dy skuadrat kanë bërë ndryshime në përbërje, ndërsa forca e tyre do të mësohet në ndeshjen për Superkupë. Istogu vlerësohet favorit, bazuar në ecurinë e viteve të fundit, por Ferizaj ka po ashtu pretendime të mëdha në edicionin e ri.
Prej orës 20:00 luhet ndeshja për Superkupë në konkurrencën e hendbollistëve. Takohen Besa Famgas dhe Trepça. Besa e Pejës është kampione në fuqi, ndërsa Trepça është fituese e Kupës së Kosovës. Këto dy skuadra kanë luajtur në dy finalet e edicionit të kaluar. Pejanët e festuan titullin në Mitrovicë, ndërsa në palestrën buzë lumit Ibër e synojnë edhe një trofe tjetër. Ndërkohë Trepça llogarit në përkrahjen e tifozëve në tentim për ta fituar Superkupën për herë të parë.
Trepça ka ruajtur përbërjen e edicionit të kaluar, ndërsa ka shtuar edhe disa përforcime. Ndërkohë nga Besa Famgas janë larguar disa prej lojtarëve kryesorë vendorë. Klubi pejan ka angazhuar më shumë të huaj, cilësia e të cilëve do të shihet në ndeshjen për Superkupë.
Federata e Hendbollit e Kosovës ka nisur vjet me organizimin e ndeshjeve për Superkupë. Superkupa e parë ishte më shumë reviale, ndërsa këtë herë pritet rivalitet më i madh. Edhe organizimi pritet të jetë i nivelit më të lartë.
Besa Famgas e Istogu kanë fituar Superkupën e Kosovës në hendboll në edicionin e parë.