Sport

Në FBK nuk e përjashtojnë zgjerimin e Superligës, Vëllaznimi shpreson

Te skuadra e Vëllaznimit po shpresojnë që edhe edicionin e ardhshëm të jenë pjesë e Superligës së Kosovës në basketboll. Në fakt basketbollistët e klubit nga Gjakova do të mund të luajnë në elitë vetëm nëse Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) merr vendim për zgjerimin e ligës.

Tani për tani te Vëllaznimi vetëm mund të shpresojnë, kurse në FBK kanë pranuar që nuk kanë ende një vendim të tillë dhe se gjithçka do të varet nga plotësimi i kushteve për pjesëmarrje në edicionin e ardhshëm në Superligë.

Vëllaznimi në edicionin tashmë të përfunduar garoi në Superligë, pas tre vjetësh në Ligën e Parë. Por pjesën e rregullt e mbylli në pozitën e fundit dhe duhet të kthehet në kategorinë e dytë. Në 28 ndeshje të zhvilluara, skuadra gjakovare regjistroi nëntë fitore karshi 19 humbjeve duke tubuar 37 pikë. Vendin e Vëllaznimit në elitë e ka zënë skuadra e Dritës që doli kampione e Ligës së Parë.

Me sistemin aktual dhe vendimet në fuqi, tetë skuadra marrin pjesë në kampionatin tjetër, kurse te Vëllaznimi po presin një vendim tjetër të FBK-së. Insistojnë se janë të gatshëm për ta vazhduar projektin që e nisën para fillimit të edicionit 2020/21, duke paralajmëruar investime edhe më të mëdha. Këtë e ka premtuar kryetari i ekipit, Kastriot Zherka, të hënën për KOHËN. Madje ai ka dëgjuar disa zëra për zgjerimin e elitës së basketbollit kosovar, por ende nuk ka diçka definitive në këtë aspekt.

“Nuk e di çfarë të them, ndonëse diçka po flitet për zgjerimin e Superligës. Do të shohim se cili do të jetë vendimi i FBK-së”, ka thënë Zherka. “Ne jemi të gatshëm për të qenë pjesë e Superligës edhe sezonin tjetër dhe po shpresojmë. Synimi ynë është ta vazhdojmë projektin që e kemi nisur dhe mund të them se do të jemi edhe më të fortë nëse marrim pjesë në elitë”.

Ndërkohë kreu i FBK-së, Arben Fetahu, ka thënë se është ende herët të flitet për një zgjerim të mundshëm të Superligës. Por nuk e ka përjashtuar si opsion. Fetahu ka insistuar se gjithçka do të varet prej skuadrave që do të plotësojnë kriteret për pjesëmarrje në Superligë. Ai ka shtuar se krahas rezultateve sportive klubet duhet të garantojnë konkurrencë dhe profesionalizëm.

“Për momentin nuk kemi ndonjë vendim për zgjerimin e Superligës. Do të kemi kushte të licencimit të klubeve të Superligës dhe do të shohim se kush po i plotëson kushtet si kriter për pjesëmarrje në elitë, e pastaj mund të flitet për zgjerim apo jo. Kryesorja është që klubet e Superligës të garantojnë konkurrencë dhe profesionalizëm”, ka thënë Fetahu. “Ky do të jetë parakusht për pjesëmarrje në Superligë krahas rezultateve sportive. Prandaj, për momentin është herët të flitet për zgjerim të mundshëm të Superligës”.

Bazuar në edicionin e fundit, në të cilin Golden Eagle Ylli u shpall kampion i Kosovës për herë të parë në histori, klubet që do të paraqiten në Superligë nëse plotësojnë kriteret, janë: Peja, Rahoveci, Ponte Prizreni, Sigal Prishtina, Bashkimi, Trepça dhe Drita.

Në edicionin 2019/20, që u pezullua dhe nuk u shpall kampioni për shkak të pandemisë së koronavirusit, morën pjesë për herë të parë nëntë skuadra. Mirëpo me vendim te Bordit të FBK-së, nga elita u larguan Feronikeli dhe Lipjani që pas pezullimit të sezonit ishin në dy pozitat e fundit në tabelë. Nuk u mor për bazë gara, si në disa raste tjera në vitet e kaluara.