Te Feronikeli e shohin ndeshjen me Llapin si shumë të rëndësishme. Dueli mes Feronikelit dhe Llapit zhvillohet të martën (sot) në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas prej orës 14:00 dhe i takon xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në futboll.
Feronikeli kërkon të kthehet te fitorja, që i mungon në shtatë ndeshjet e fundit. Në fakt, Feronikeli nuk di për fitore në kampionat që nga 20 shtatori, kur në kuadër të xhiros së parë e mposhti bindshëm skuadrën e Gjilanit (4:0). Pas asaj fitoreje pasuan katër barazime dhe tri humbje, duke bërë që Feronikeli pas xhiros së tetë të renditet në pozitën e tetë në tabelë me shtatë pikë të tubuara. Nikli e nisi kampionatin me trajnerin Afrim Tovërlani, të cilin e zëvendësoi me Klodian Duron javë më parë. Duro, si trajner i Feronikelit, ende nuk ka regjistruar fitore. Në tri ndeshje të luajtura ka dy barazime dhe një humbje.
“Shpresojmë që në këtë ndeshje do të na kthehet pak fati dhe t’i marrim pikët e plota, ndonëse nuk do të jetë aspak lehtë sepse përballë kemi Llapin që është motivuar pas triumfit të fundit. Do të jetë një ndeshje e fortë, por besoj se do të fitojmë pasi do të angazhohemi maksimalisht për t’u kthyer te fitorja”, ka thënë mbrojtësi i Feronikelit Viktor Kuka.
Llapi vetëm në xhiron e kaluar ka regjistruar fitoren e parë këtë edicion. Triumfoi ndaj Arbërisë (2:0). Skuadra nga Podujeva ka dy pikë më pak se Feronikeli në tabelë dhe renditet e parafundit (9). Trajneri Tahir Batatina ka paralajmëruar se në Drenas do të udhëtojnë për të fituar pasi motivi nuk mungon pas triumfit të fundit.
“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për shkak se përballë kemi një super-ekip si Feronikeli. Por, ne do të udhëtojmë për ta dhënë maksimumin dhe mos të mposhtemi duke aplikuar një lojë të mirë”, është shprehur Batatina.
Të martën (sot) luhet edhe një ndeshje tjetër. Skuadra e Arbërisë e pret kampionen në fuqi, Dritën. Drita në këtë ndeshje futet pas fitores bindëse 4:1 ndaj Drenicës, derisa Arbëria pas disfatës nga Llapi. Kjo ndeshje luhet në Obiliq.
“Ne do të futemi në ndeshje vetëm për fitore dhe besoj se do të kthehemi në Gjilan me tri pikë. Arbëria po luan mirë dhe këtë e ka dëshmuar. E kemi parasysh se nuk do të jetë lehtë, por jemi të vendosur për ta fituar ndeshjen”, ka thënë sulmuesi i Dritës, Betim Haxhimusa.
Drita zë vendin e dytë në tabelë me 13 pikë, ndonëse ka dy ndeshje më pak të zhvilluara. Arbëria, që po luan për herë të parë në Superligë, ka tubuar 11 pikë.
“Duam të bëjmë në paraqitje të mirë dhe synimi dihet - një rezultat pozitiv përkundër disa mungesave që i kemi”, ka thënë shkurt trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina.
Superliga – IX, e martë (14:00)
Arbëria – Drita
(Arbitra: T. Maloku, E. Zeqiri, F. Sekiraqa, V. Kastrati)
Feronikeli – Llapi
(Arbitra: G. Nuza, F. Berisha, B. Selimaj, Sh. Murtezi)
E mërkurë (14:00)
Drenica – Trepça ‘89
(Arbitra: A. Shala, G. Hyseni, E. Bicaj, B. Ajeti)
Gjilani – Besa
(Arbitra: B. Jahmurataj, L. Muhadri, B. Këpuska, B. Kasumi)
Ballkani – Prishtina
(Arbitra: D. Çaka, A. Ejupi, G. Mehmeti, M. Bejtullahu)
1. Ballkani 8 6 1 1 24:10 19
2. Drita 6 4 1 1 10:5 13
3. Gjilani 8 3 4 1 6:5 13
4. Prishtina 7 3 2 2 10:5 11
5. Arbëria 8 3 2 3 10:10 11
6. Trepça ’89 8 3 2 3 7:8 11
7. Drenica 8 2 2 4 6:16 8
8. Feronikeli 8 1 4 3 11:10 7
9. Llapi 7 1 2 4 5:8 5
10. Besa 8 1 2 5 8:20 5