Sport

Në çdo short të Kosovës, politika ka pjesën e saj

Ndeshja që të premten u luajt në Manavgat të Turqisë, ishte e veçantë. Në kompleksin “Arslan Zeki Demirci” futbollistet e Kosovës luajtën ndaj futbollisteve të Rusisë dhe pësuan humbje të thellë (3:0). Për një kohë, në futboll nuk do të ketë përballje të tjera zyrtare mes ekipeve nga Kosova e Rusia. Pra futbollistet e patën rastin të përmbyllin një kapitull të përballjeve Kosovë – Rusi.

Nuk ka pasur shumë të tilla në fakt. Vjet, Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) u kujdes që mos të ketë fare. Me një vendim të Panelit për Emergjenca të UEFA-s, Kosova e Rusia dhe ekipet e dy shteteve nuk do të përballen në kuadër të garave zyrtare të futbollit. Dy ndeshjet e futbollisteve, në kuadër të grupit A eliminatoreve për “Euro 2022”, do të mbesin të vetmet për një kohë, me shumë mundësi kohë të gjatë.

Më 6 mars të këtij viti në Wiesbaden të Gjermanisë, Kosova humbi 5:0 nga Rusia. Me vendim të UEFA-s, ndeshja ishte luajtur në terren neutral. Sipas të njëjtit vendim edhe ndeshja Rusi – Kosovë u luajt në terren neutral, përkatësisht në Manavgat të Turqisë.

Vendimi i 18 tetorit të vitit 2019, është shumë i gjerë në fakt. Ai pamundëson që ekipet nga Kosova e Rusia të përballen në kuadër të kupave evropiane. Po ashtu pamundëson që përfaqësueset e dy vendeve të përballen në kuadër të kualifikimeve apo garave të përfaqësueseve.

Vendimi ka ndikim edhe në shortin e kualifikimeve për Botërorin “Katar 2022”.

Vazot për shortin e 7 dhjetorit janë publikuar të premten, pasi është bërë e ditur renditja e re e FIFA-s për përfaqësuese. Kosova është në vazon e pestë, Rusia në vazon e tretë, por dy përfaqësueset megjithatë nuk ka gjasa të jenë në një grup. UEFA nuk e lejon këtë.

UEFA më herët kishte marrë vendimin për të mos lejuar përballjet e Kosovës me Serbinë dhe me Bosnjë-Hercegovinën. Vjet shtoi në këtë listë edhe Rusinë. Prej gjashtë përballjeve që nuk i lejon UEFA, tri janë të Kosovës. Për çështje politike, përkatësisht të raporteve mes dy vendeve, nuk lejohen as përballjet Armeni – Azerbajxhan, Gjibraltar – Spanjë dhe Ukrainë – Rusi.

FFK-ja pa ndonjë kundërshti ka pranuar këto vendime.

Pikërisht përballjet e futbollisteve kishin sjellë vendimin e UEFA-s për të ndaluar takimet Kosovë – Rusi.

“Paneli Emergjent i UEFA-s është takuar për të diskutuar situatën rreth ndeshjeve të Kosovës dhe Rusisë. Duket marrë për bazë rrezikun e sigurisë rreth ndeshjeve të ekipeve të Rusisë dhe Kosovës, Paneli ka vendosur që dy ekipet nuk do të luajnë kundër njëra-tjetrës në gara të UEFA-s, deri në një vendim tjetër”, thuhet në vendimin e publikuar më 18 tetor të vitit të kaluar.

Ndeshja Kosovë – Rusi është dashur fillimisht të luhet më 4 tetor të vitit të kaluar në Prishtinë. Por ishte shtyrë dhe ndërkohë ishte vendosur për terren neutral, për të dy takimet.

Federatat e tjera sportive evropiane nuk kanë kritere si të UEFA-s. Kështu Federata Evropiane e Hendbollit nuk lejon ndeshjet e Kosovës me Serbinë, por nuk ka ndalesa për përballje me përfaqësuese apo ekipe të Bosnjë-Hercegovinës dhe Rusisë.

Së fundi kampionia e Kosovës në hendboll (meshkujt), Besa Famgas luajti dy ndeshje me skuadrën boshnjake, Bosna Visoko. Të dy ndeshjet u luajtën në Pejë dhe skuadra kosovare fitoi bindshëm. Nuk patën ndonjë prapavijë politike këto ndeshje. Ndryshe, mund të jetë në dhjetor kur Besa Famgas të takohet me skuadrën tjetër nga shteti i Bosnjë-Hercegovinës, Borcin e Banjallukës. Banjalluka është kryeqendra e Republika Srpskas, një prej dy entiteteve të Bosnjë-Hercegovinës. Sa i takon Kosovës, Republika Srpska ka qëndrime si të Serbisë. Pra nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Image

Por Borci, i njohur si klub që përfaqëson serbët e Bosnjës, menjëherë ka nisur mos të trajtojë Besën në mënyrën e duhur.

“Rival i hendbollistëve tanë në rundin e tretë të Kupës Evropiane është KH Besa Famgas nga Kosova e vetëshpallur”, thuhet në njoftimin e parë të Borcit pas shortit të 25 nëntorit.

Mediat nga Republika Srpska, Kosovën e kanë shkruar në thonjëza. Nuk përjashtohet mundësia që Besa të ketë telashe për t’u pajisur me viza të Bosnjë-Hercegovinës. Në fakt Bosnja nuk njeh shtetin e Kosovës, për shkak të ndikimit të serbëve në atë vend. Vizat vendosen në letra të veçanta e jo në pasaporta. Për të shmangur gjëra të tilla, UEFA ka mare vendimin.

Te Borci kanë shpresuar që të shmangun Besën në short, duke vlerësuar cilësinë që ka ekipi pejan. Por kanë përjashtuar mundësinë që dy ndeshjet të luhen në Pejë.

Edhe në federatat e tjera shmangen përballjet e Kosovës me Serbinë, ndërsa me vendet e tjera jo. Ka edhe disa shtete që shkaktojnë telashe të natyrës politike për Kosovën dhe ekipet e saj. Kështu Moldavia së fundi ndeshjen e futbollit ndaj Kosovës e luajti në terren neutral në Itali.