Shpresa e madhe e xhudos, Shpati Zekaj, është renditur i shtati në kategorinë deri 100 kilogramë në garën Grand Prix të mbajtur prej të premtes deri të shtunën në Zagreb. Për 21-vjeçarin ishte gara e parë Grand Prix, ndërsa ai shënoi një fitore e dy humbje.
Nuk është bilanci për të cilin ka pritur trajneri Driton Kuka, që nuk ishte me ekipin në Zagreb. Ai është i bindur se edhe Laura Fazliu mund të japë më shumë se që ka shfaqur të shtunën në kryeqendrën kroate. Laura fitoi medalje të bronztë, por trajneri Kuka ka pritur edhe më shumë prej saj.
Ai vlerëson paraqitjen e Flaka Loxhës, që të premten u rendit e pesta. Flaka garoi në kategorinë deri 57 kilogramë, Laura në kategorinë deri 63 kilogramë. Një medalje bronzi, një vend i pestë e një vend i shtatë, është bilanc i pranueshëm për trajnerin e ekipit të Kosovës në xhudo.
Në Grand Prix të Zagrebit nuk ishte konkurrenca më e fortë. Ishte gara e parë e turit botëror të xhudos pas lojërave olimpike “Tokio 2020”. Top-xhudistët kanë pushuar, ndërsa janë paraqitur xhudistët më të rinj, ata me potencial për normë e sukses në Olimpiadën e ardhshme, “Parisi 2024”.
Edhe Kosova nuk mori pjesë me më të mirët. Kampionet olimpike, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, kampioni evropian Akil Gjakova dhe medalistja botërore e evropiane, Laura Fazliu, vazhduan përgatitjet në Pejë.
“Sinjalet nga xhudistët që ishin në Zagreb janë të mira, edhe pse realisht Shpati e po ashtu Laura nuk e kanë dhënë maksimumin. Mendoj që potencialin e kanë dukshëm më të madh. Flaka e ka pasur një konkurrencë më serioze dhe ajo realisht ka treguar formë më të mirë”, ka thënë Driton Kuka të dielën për KOHËN.
“E mira e kësaj gare është që ekipi në kontinuitet po rritet. Po ashtu, që të tre garuesit tanë do të fitojnë pikë në ranglistën botërore dhe do të shënojnë ngritje. Kjo është e rëndësishme për rrugëtimin drejt nivelit më të lartë, aty ku tashmë i kemi garuesit tanë elitarë”, ka shtuar Kuka.
Ekipi i xhudos pritet të rritet edhe më shumë me hapjen e Qendrës Nacionale. Qendra Nacionale e Xhudos do të përurohet të martën në Pejë.
Në Zagreb kanë garuar 243 xhudistë nga 35 shtete. Ka dominuar Franca me tri medalje të arta. Nga dy të arta i fituan Holanda, Sllovenia e Azerbajxhani. Kosova këtë herë nuk kishte të artë, por ishte në listën e medaljeve.
Gara e ardhshme e madhe është Botërori për Juniorë që mbahet prej 6 deri më 10 tetor në Olbia të Italisë. Kosovën do ta përfaqësojnë Erza Muminoviq e Fationa Kasapi.
Më 16 e 17 tetor është Grand Slami i Parisit, gara më e famshme e xhudos.