Kampionati Evropian i vitit të kaluar do të mbetet në histori për xhudon kosovare dhe për Kosovën në përgjithësi. Me gjashtë xhudistë në ekip, Kosova kishte përfunduar si përfaqësuesja më e suksesshme e ngjarjes kryesore kontinentale që ishte mbajtur në Lisbonë të Portugalisë. Kosova kishte fituar medalje të arta me Distria Krasniqin dhe Akil Gjakovën, si dhe medalje të bronztë me Nora Gjakovën. Ky bilanc i kishte mundësuar që të jetë para Turqisë, Francës, Italisë, Sllovenisë, Portugalisë dhe vendeve të tjera evropiane.
Evropiani i këtij viti mbahet në Sofje të Bullgarisë prej 29 prillit deri më 1 maj. Xhudistët kosovarë janë në vlugun e përgatitjeve për njërën prej dy ngjarjeve kryesore të vitit.
Bilanci i vitit të kaluar, por edhe niveli që ka arritur xhudoja kosovare i obligon anëtarët e ekipit të trajnerit Driton Kuka për të kërkuar medalje të reja evropiane.
Trajneri Kuka e pranon se synimet janë për medalje. Ai ka treguar se ekipi është gati i përgjysmuar. Kampionia olimpike, Nora Gjakova, dhe medalistja botërore e evropiane, Loriana Kuka, nuk paraqiten në Evropianin në Sofje, për shkak të disa shqetësimeve fizike që i kanë. Majlinda Kelmendi tashmë i ka dhënë fund karrierës si xhudiste dhe po punon si trajnere.

Kështu, barra për medalje do të jetë te Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova. Akili vjet e fitoi të artën në kategorinë deri 73 kilogramë dhe synon ta mbrojë titullin.
Distria vjet ishte e artë në kategorinë deri 48 kilogramë, në të cilën fitoi edhe titullin olimpik. Tani Distria suksesin e kërkon në kategorinë deri 52 kilogramë, në të cilën po garon pas Lojërave të Tokios.
Në Evropian garojnë edhe Flaka Loxha në kategorinë deri 57 kilogramë dhe Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë. Flaka e Laura ende po fitojnë përvojë në nivelin e të rriturave dhe janë në pritje të medaljeve të para të mëdha për seniore.
“Në Evropian këtë vit marrim pjesë me katër xhudistë. Distria e Akili kanë gjasa të hyjnë në zonën e medaljeve. Për Flaka Loxhën e Laura Fazliun të shohim. Pa Norën e Lorianën dhe me Distrinë në kategori tjetër, mund të them që ekipi është i përgjysmuar. Laura ka potencial, por taktikisht nuk është ende në nivel. Po punojmë në këtë drejtim. Flaka varet nga shorti. Në kategorinë deri 57 kilogramë janë disa garuese super të forta. Do të ishte sukses në hyn në tetë më të mirat”, ka theksuar Driton Kuka të dielën për KOHËN.
Evropiani tradicionalisht është garë ku xhudistët kosovarë arrijnë suksese të mëdha. Ka kohë të gjatë që xhudistët nuk janë kthyer pa medalje nga kampionati kontinental. Por vjet është prekur kulmi. Me mungesë të Norës e Lorianës do të jetë sfiduese të përsëritet suksesi i vitit të kaluar, por kjo, megjithatë, nuk përjashtohet. Laura e Flaka kanë punuar me seriozitet të madh në muajt e fundit dhe puna e tyre duhet të shpërblehet në gara. Kjo mund të ndodhë në Evropianin që mbahet pas 12 ditësh.
Në Evropian pritet të marrin pjesë 364 xhudistë nga 39 shtete të ndryshme.