Sport

Ndonëse masat nuk po respektohen, FFK-ja kërkon që tifozët të lejohen në 30 për qind të kapacitetit të stadiumeve

Vendimi i gjyqtarit Lirim Jashari për të përsëritur gjuajtjen e penalltisë në ndeshjen Gjilani – Ulpiana (2:3) nuk i pëlqeu fare një shikuesi që ishte në përkrahje të ekipit gjilanas. Me një mjet të fortë në dorë, shikuesi hyri në fushë dhe u nis në drejtim të Jasharit. Por ai u pengua nga lojtarët në fushë, ndërsa më pas u arrestua nga policia. E gjithë kjo situatë ndodhi në minutën e 71-të në ndeshjen e së dielës, kur rezultati u bë 2:1 për Ulpianën.

Në fakt, braziliani i Ulpianës, Marclei Santos, shënoi golin e epërsisë vetëm pas përsëritjes së penalltisë. Fillimisht e humbi, por gjyqtari kryesor Jashari përsëriti penalltinë pas rishikimit të VAR-it. Oltion Rrapa u fut në zonë ende pa gjuajtur braziliani dhe shpëtoi një gol. Kjo situatë ngjalli pakënaqësi edhe në bankinën e Gjilanit, ku ndihmësi i Ismet Munishit, Agim Maliqi, u ndëshkua me karton të kuq për shkak të reagimeve në drejtim të Jasharit.

Por ky nuk ishte rasti i vetëm jo i rregullt këtë fundjavë. Pakënaqësi shprehu të shtunën edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina, pas ndeshjes ndaj Ballkanit në Suharekë.

Trajneri llapjan tha se tifozët vendës kanë vazhduar me ofendime dhe takimi është dashur të ndërpritej. Në fakt, pjesa e dytë e këtij takimi nisi me shumë vonesë për shkak të numrit të madh të shikuesve në stadium. Policia intervenoi për të larguar shikuesit që kishin mbushur stadiumin.

Megjithatë, në Federatën e Futbollit të Kosovës thonë se nuk janë shqetësuese dy rastet, në Suharekë dhe Gjilan.

“Së pari, në këto kushte nuk është dashur të zhvillohej ndeshja, me gjithë këta tifozë, me gjithë këto ndërprerje dhe sharje e ofendime gjatë gjithë takimit. Kjo sjellje nuk i ka hije as Kosovës dhe as Suharekës. Ofendimet e tyre tregojnë organizimin e klubit dhe respektin e tyre. Gjyqtari kryesor i kësaj ndeshjeje është dashur të mos e zhvillonte këtë takim. Gjatë tërë ndeshjes ka pasur hedhje të gjësendeve të forta, por ndeshja nuk u ndërpre. Sa i përket ndeshjes e kemi dominuar gjatë gjithë kohës, por kemi pësuar dy gola nga gabimet tona”, ka deklaruar Batatina.

Llapi e humbi ndeshjen nga Ballkani me rezultatin 2:0. Por takimi ishte goxha i tensionuar.

Vëmendja më shumë ishte në tribuna se në fushë. Fillimisht “Xhebrailat” u desh të largoheshin nga stadiumi për shkak të ofendimeve ndaj Batatinës. Më pas, pjesa e dytë filloi me vonesë, pasi policia kërkoi zbrazjen e stadiumit pasi ishin shkelur rregullat anti-COVID të Qeverisë. Në objektet sportive në vend lejohet shfrytëzimi vetëm 5 % i kapacitetit të tribunave, ndërsa është presidenti i FFK-së, Agim Ademi, që kërkon nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës të lejojnë sa më parë të paktën 30 % të kapacitetit të hapësirës. Ai thotë se UEFA ka liruar të gjitha masat.

“Stadiumet në Kosovë janë në rinovim dhe ne ua kemi mundësuar që klubet të luajnë edhe në kushte të tilla dhe për shkak të infrastrukturës ndoshta nuk po respektohet distanca. Por i ftoj të gjitha klubet që të respektohen ligjet në fuqi të Kosovës. Ftoj Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës që ta bëjnë të mundur lejimin e 30 % të kapacitetit të stadiumit që të jetë e lejuar për shikues. Dëshira dhe nevoja e pranisë së shikuesve në stadiume janë sinjal që të kthehemi në normalitet. UEFA i ka liruar masat dhe se tani edhe ndeshjet e kombëtareve luhen me kapacitet të plotë”, ka thënë presidenti Ademi të dielën për KOHËN. “Sa i përket rastit në Gjilan ne ende nuk i kemi marrë deklaratat, por ftoj klubet që të rrisin numrin e pjesëtarëve të sigurisë, meqë punimet që janë duke u bërë në stadiume ua mundësojnë edhe futjen e shikuesve lehtë në fusha të futbollit. Megjithatë, ne do të veprojmë konform rregulloreve tona. Pesë xhirot e para të këtij edicioni kanë pasur rrjedhë të mirë dhe gjithçka ka shkuar në rregull duke ia shtuar edhe pjesën e VAR-it, që mendoj se gabimet janë minimizuar dhe se po shohim një disiplinë të madhe edhe te futbollistët, kurse gjyqtarët e kanë edhe një mundësi të dytë atëherë kur nuk janë të sigurt me vendimin e parë. Prania e VAR-it rrit edhe sigurinë dhe qetësinë e klubeve”.