Sport

Ndonëse ka bërë vetëm dy përforcime deri tani, '89-shi ia mësyn Evropës

Trepça ’89 do të garojë në Superligën e Kosovës në futboll në edicionin 2022/2023. Skuadra nga Mitrovica u kthye në elitë si kampione e Ligës së Parë (Grupi B). Qëndroi në kategorinë e dytë të garave vetëm një vit.

Deri me tani, 89-shi është ndër ekipet më pasive në afatin kalimtar të verës. Mitrovicasit kanë prezantuar vetëm dy lojtarë, Bleon Sekiraqën dhe Erdin Dushin. Të dy ishin pjesë e Drenicës në edicionin e shkuar. Ndërkaq ka liruar zyrtarisht nga skuadra gjashtë futbollistë: Joseph Okonkwo, Eyram Leveh, Logan Mnisi, Arbër Mustafa, Leuart Avdyli dhe Albutrint Morina.

Kryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka, thotë se edhe këtë edicion sikurse viteve të kaluara do t’u besojnë lojtarëve të rinj.

Sipas Zekës, deri në fund të afatit kalimtar do të bëhen edhe katër ose pesë përforcime.

“I kemi sjellë dy lojtarë vendorë. Në ditët në vazhdim do të vijnë edhe dy lojtarë të huaj. Jemi në procedurën e rregullimit të vizave dhe besoj që shumë shpejt do t’i bashkohen skuadrës në përgatitje. Do të marrim edhe dy-tre lojtarë vendorë. Po ashtu, ekipit i janë bashkuar edhe disa lojtarë nga juniorët. Ne e kemi ruajtur thelbin e skuadrës dhe do të intervenojmë aty ku ka nevojë. Trepça ’89 çdoherë iu ka besuar lojtarëve të rinj dhe njëjtë do të jetë edhe në këtë sezon. E kemi dëshmuar se me lojtarë të rinj mund edhe ta fitojmë kampionatin”, u shpreh Zeka për KOHËN, të dielën.

Zeka beson se nëse do të ketë futboll të pastër, 89-shi nuk do ta diskutojë mbijetesën. Madje, synon edhe kreun.

“Nëse do të luhet futboll fer dhe kampionati do të jetë i barabartë për të gjitha ekipet, atëherë Trepça ’89 nuk do ta ketë problem mbijetesën. Pastaj do të shohim se si do të ecin gjërat. Do të mundohemi të renditemi sa më lart. Ne nuk e kemi merituar as largimin nga Superliga vitin e shkuar, por ja që ndodhi dhe tani jemi rikthyer sërish në Superligë”, deklaroi Zeka.

Trepçën ’89 në Superligë do ta drejtojë sërish ikona e këtij klubi, Shpëtim Idrizi.

Për dallim prej Zekës, Idrizi përmend Evropën.

“Me grupin e lojtarëve që kemi dhe me disa futbollistë që do të vijnë, ne do të synojmë Evropën. E dimë që ekipet e tjera janë përforcuar dhe e dimë që do të jetë kampionat i gjatë dhe i vështirë. Por ne kemi këto ambicieje, që në edicionin tjetër të luajmë në garat evropiane. Në futbollin modern nuk po luan emri. Fokus i madh i klubit është edhe Akademia. Dihet që nga Trepça ’89 kanë dalë edhe lojtarë që sot luajnë në Evropë. Kjo është një pjesë që ne do t’i kushtojmë rëndësi edhe këtë vit”, tha Idrizi.

Ai konfirmon se të rinjtë do ta kenë përgjegjësinë edhe në elitë. Nën drejtimin e Idrizi, skuadra nga “Riza Lushta” u kthye në mënyrë komode në Superligë.

“Ne jemi bazuar te lojtarët e rinj. U kemi besuar lojtarëve që e kanë bartur barrën kryesore në Ligën e Parë. Ata tashmë kanë përvojë dhe besoj që do t’i arrijmë objektivat që kemi. Kemi marrë deri më tani Erdin Dushin dhe Bleon Sekiraqën. Do të transferojmë edhe 2-3 lojtarë dhe do të përgatitemi maksimalisht për sezonin që na pret”.

Trajneri Idrizi tregon se fazën përgatitore “minatorët” do ta kryejë në Kosovë. Mitrovicasit i kanë nisur përgatitjet që më 20 qershor.

“Fazën përgatitore e kemi nisur që disa ditë. E gjithë faza përgatitore do të kryhet në Kosovë. I kemi të gjitha kushtet e nevojshme për këtë gjë. Kemi dy fusha dhe gjithçka që na duhet. Fokusi jonë është vetëm të punojmë dhe të jemi sa më të gatshëm për edicionin e ri”, theksoi Idrizi.

Trepça ’89 është një herë kampione e Kosovës. Titullin e fitoi në vitin 2017. 89-shi është ekipi i parë nga Kosova që është paraqitur në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve. Nuk kishte kaluar mirë me rezultat.