Llapi dhe Drita vlerësohet të kenë punë të lehtë të shtunën, kur edhe vazhdon gara në elitën e futbollit kosovar pas pushimit për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve.
Në kuadër të xhiros së pestë të Superligës, Llapi do të luajë në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas kundër Feronikelit ’74, kurse Drita do të jetë mysafire e Fushë Kosovës. Ky ballafaqim është caktuar të luhet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Ndeshjet nisin nga ora 15:00.
Te skuadrat favorite për të marrë pikët e plota kanë thënë se pavarësisht se luajnë me skuadra të pjesës së poshtme të tabelës, duhet pasur kujdes maksimal.
Ilir Blakçori e ka nisur shumë mirë periudhën e tij të tretë te Llapi. Mbrojtësi i krahut të majtë, që karrierë ka bërë edhe te skuadrat gjilanase, Gjilani dhe Drita, ka shënuar dy gola në katër ndeshjet e para. Llapi ka shtatë pikë dhe zë vendin e katërt, ndërsa Feronikeli ‘74 ka një fitore e tri humbje. Me tri pikë renditet në pozitën e shtatë.
Blakçori vlerëson se për të është rikthimi më i mirë i mundshëm dhe se ka ardhur në kohën e duhur te llapjanët.
“Jemi skuadër e fortë dhe do të mundohemi të mbledhim sa më shumë pikë që është e mundur. Na duhet ende kohë që të komponohemi për shkak se kanë ardhur shumë lojtarë. Po mundohemi ta bëjmë më të mirën dhe të arrijmë sa më lart në tabelë sepse kampionati është i gjatë dhe duhet shumë punë. Feronikeli ’74 është skuadër që duhet respektuar sepse ka lojtarë cilësorë, me shumë transferime po ashtu. Duhet t’i qasemi lojës seriozisht e të mundohemi të marrim tri pikë”, ka thënë Blakçori të premten për KOHËN.
Ndryshe nga Blakçori që thotë se Llapi ka nisur mirë, kapiteni i Feronikelit ’74, Lapidar Lladrovci, nuk mendon një gjë të tillë për skuadrën e tij.
“Nuk është dashur të humbnim ndaj Prishtinës dhe Malishevës. Në disa ndeshje na ka lëshuar përqendrimi si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në atë sulmuese dhe na ka kushtuar me pikë. Por shpresoj që nga ndeshja me Llapin ta arrijmë momentumin dhe të fillojmë të marrim pikë sepse orarin e kemi të favorshëm. Na duhet fitorja që në ndeshjet e radhës të jemi më të qetë”, është shprehur Lladrovci.
Pushimi prej dy javësh ka qenë i mirëseardhur për trajnerin e Dritës, Akis Vavalis. Kështu ka thënë ai në konferencën e mbajtur për shtyp të premten. Vavalis ka nënvizuar se Fushë Kosova, pavarësisht se e fundit dhe pa pikë në fillim të edicionit, është skuadër që duhet respektuar.
Drita në vendin e pestë. Pas tri ndeshjeve të luajtura ka pesë pikë, kurse Fushë Kosova është e fundit dhe pa pikë në tri ndeshje.
“Ne kishim dy javë pushim dhe kishim shumë gjëra për të ndryshuar dhe përmirësuar. Të shtunën kemi ndeshje të vështirë pasi Fushë Kosova ka ekip shumë të mirë. I kemi analizuar ndeshjet e saj dhe kemi parë se si i ka humbur ndeshjet. Do të luftojmë për 90 minuta dhe shpresoj që të marrim tri pikë”, ka deklaruar Vavalis.
Fushë Kosova u kthye në Superligë, por ka telashe me stadium. Stadiumi i qytetit në Fushë Kosovë nuk i plotëson kriteret për ndeshje në Superligë. Dhe si rezultat i telasheve me infrastrukturë, skuadra duhet të luajë larg shtëpisë.
“Dritën e vlerësoj shumë. Është skuadër shumë cilësore. Por jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje pas serisë negative prej tri ndeshjeve. Drita është një skuadër shumë e fortë, por unë besoj fuqishëm në rikthimin e rezultateve”, ka theksuar trajneri i Fushë Kosovës, Burim Shala.
Ndeshja tjetër që do të luhet të shtunën nga ora 15:00 do të jetë ajo mes Gjilanit e Malishevës.
Malisheva është lidere pas katër ndeshjeve me tri fitore e një disfatë, kurse Gjilani është i parafundit me vetëm një pikë. Dy ndeshje të tjera janë të dielën.
Superliga - V
E shtunë (15:00)
Feronikeli ’74 – Llapi
Gjilani – Malisheva
Fushë Kosova – Drita
E diel (15:00)
Prishtina – Liria
Dukagjini – Ballkani
1. Malisheva 4 3 0 1 12:5 9
2. Ballkani 3 3 0 0 5:1 9
3. Prishtina 4 2 2 0 6:2 8
4. Llapi 4 2 1 1 5:3 7
5. Drita 3 1 2 0 4:2 5
6. Liria 4 1 2 1 2:2 5
7. Feronikeli ’74 4 1 0 3 3:9 3
8. Dukagjini 4 0 2 2 2:6 2
9. Gjilani 3 0 1 2 1:3 1
10. Fushë Kosova 3 0 0 3 3:10 0