Jack Grealish mund të mos ketë kurrë statistika të jashtëzakonshme që arsyetojnë statusin e tij si lojtari i parë anglez për të cilin u paguan 100 milionë funte nga një klub i Premier Leagues.
Por për trajnerin e Manchester Cityt, Pep Guardiola, pesha e ndikimit të Grealishit shkon përtej numrit të golave dhe asistimeve. Natyrisht golat e asistimet janë të mirëseardhura.
Është kontrolli dhe ekuilibri që Grealish sjell në skuadrën e Cityt, që bie në sy. Dhe kjo është arsyeja pse, për momentin, mesfushori ofensiv anglez është lojtari i preferuar i Guardiolas në një periudhe të trazuar brenda dhe jashtë fushës për Manchester Cityn.
“Mendoj se statistikat e Grealishit nuk kanë ndonjë vlerë për mua, pasi unë e shoh si lojtar që sjell freski dhe ekuilibër në ekipin tonë. Ai ka pasur presionin e dëmshpërblimit që City e pagoi dhe ndoshta për këtë arsye të tjerët e kanë shikuar me një sy tjetër. Megjithatë, unë jam i kënaqur me atë që ai po tregon këtë sezon”, ka pranuar Guardiola.
City vazhdon “sulmin” për trofeun e parë të Ligës së Kampionëve me një përballje të 1/8 së finales me Leipzigun. Ndeshja e parë do të luhet të mërkurën mbrëma në Gjermani. Grealish nuk ishte lojtar i rëndësishëm për të luajtur këto lloj ndeshjesh të mëdha në sezonin e parë në City, pas lëvizjes prej 100 milionë funtesh nga Aston Villa në verën e vitit 2021. Në ecurinë e ekipit, që u eliminua atë edicion në gjysmëfinale të Championsit nga Real Madridi, Grealish luajti rol periferik. U aktivizua vetëm në dy nga gjashtë ndeshjet në fazën eliminatore, si zëvendësues. Tani ai duket të jetë një nga emrat e parë në skuadrën e Guardiolas.
Grealish ka startuar në shtatë ndeshjet e fundit të Cityt në Premier League dhe nëntë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Ka “çimentuar” vendin e tij në krahun e majtë. Bilanci i tij i golave mbetet modest. Ka tri gola në 28 ndeshje në ligë. Dy prej golave kanë ardhur në muajin e kaluar, në ndeshjet e mëdha kundër Manchester Unitedit dhe Arsenalit. Ishte e dukshme sezonin e kaluar se sa i pasigurt ishte Grealish, ndoshta i frikësuar nga gabimi dhe kryesisht i shqetësuar për ruajtjen e formës së ekipit në krahun e majtë. Tani ai po sulmon më shumë zonën e kundërshtarit, duke u treguar më i guximshëm me driblime dhe duke bërë vrapime për t’u futur në zonën e kundërshtarit. Kjo ka bërë që Guardiola të mbetet i impresionuar nga “ambicia dhe agresioni” i përmirësuar i Grealishit.
“Angazhimi i tij për të marrë një rrezik dhe vendime të rëndësishme tani bëjnë diferencën”, tha Guardiola. “Ai duhet të vazhdojë të bëjë këtë”.
Aftësia e tij për të mbajtur dhe rifituar topin ka qenë gjithmonë e fortë. Sipas shokut të skuadrës, Bernardo Silva, Grealish “ndihmon bashkëlojtarët të marrin frymë”.
Për lojtarin tjetër të Cityt, Kevin De Bruyne, ka qenë e rëndësishme që Grealish të harrojë kritikat dhe të fokusohet në përshtatjen me mënyrën e lojës së Cityt nën Guardiolan. Grealish ishte njeriu kryesor tek Aston Villa, por është vetëm një nga shumë lojtarët e mirë në City.
“Njerëzit i shikojnë statistikat gjatë gjithë kohës, por ai bën gjëra shumë të rëndësishme për ne”, tha De Bruyne. “Ne po fitojmë shumë ndeshje dhe ai është një pjesë e madhe e kësaj pune”.
Grealish mund të ketë më shumë konkurrencë në krahun e majtë. Phil Foden është kthyer në formë pasi ka humbur ndeshjet që nga Kupa e Botës “Katari 2022” për shkak të shqetësimeve në lidhje me aftësinë dhe formën e tij. Foden bëri startin e parë në barazimin 1:1 me Nottingham Forest, një ndeshje që pa Grealishin të asistojë në golin e vetëm të shënuar nga Silva.
Treshja e parë e Guardiolas në sulm, Grealish, Erling Haaland dhe Riyad Mahrez, duket e stabilizuar për ndeshjet e mëdha. Grealish tha se një pjesë e madhe e vendimit të tij për t'u transferuar te City ishte që të mund të luante në Ligën e Kampionëve dhe ai më në fund po e merr atë mundësi.
“Sigurisht, të gjithë duan të luajnë në Champions. Këtë sezon më duket se jam përmirësuar dukshëm dhe kam kuptuar filozofinë e trajnerit. Kështu që ndihem i rëndësishëm për klubin dhe jam i gatshëm ta ndihmojë për të arritur synimet në të gjitha frontet”, ka shtuar Grealish.