Ballkani ka kohë të gjatë që nuk ka luajtur në shtëpinë e tij në Suharekë, në stadiumin me bar sintetik. Dhe për herë të parë në edicionin e sivjetmë, do të luajë në Suharekë para tifozëve vendas, në një ndeshje shumë të fortë. Ballkani të dielën në orën 13:00 ballafaqohet me skuadrën e Gjilanit.
Dhe pavarësisht vështirësive organizative nëpër të cilat po kalon skuadra gjilanase, njeriu në formë i suharekasve, Armend Thaqi, kërkon kujdes maksimal.
Skuadra e Ballkanit është në formë të mirë duke shënuar fitore në dy takimet e fundit, përballë Malishevës e Ferizajt. Por, pësoi para tri takimeve nga një skuadër gjilanase, ajo e Dritës.
Thaqi të shtunën për KOHËN ka thënë se kampioni në fuqi i futbollit kosovar ka prekur maksimumin e formës fizike dhe mënyrës së të luajturit. Por ka dhënë deklaratë të matur dhe ka shfaqur respekt për Gjilanin.
“Ndeshja e së dielës është derbi dhe normalisht se do të jetë ndeshje shumë e fortë sepse Gjilani është një nga skuadrat më cilësore në ligë dhe si e tillë do të jetë shumë e vështirë. Ekipi është në formë maksimale, si në aspektin fizik, ashtu edhe në mënyrën e lojës. Futemi për ta fituar ndeshjen sepse luajmë në shtëpinë tonë dhe është ndeshja e parë para publikut tonë në këtë sezon dhe dëshirojmë ta fillojmë mbarë. Mirëpo, ne duhet ta bëjmë detyrën në fushë dhe pastaj të shohim se çfarë do të na sjellë ndeshja deri në fund”, është shprehur Thaqi.
Gjilani ka humbur shkëlqimin në xhirot e fundit. Situata jo e mirë në klub është vërejtur në rezultatet e tri xhirove të fundit, ku Gjilani ka marrë një barazim dhe ka pësuar dy disfata rresht. Dhe, këtë herë, përballë nuk do ta ketë aspak një kundërshtar të lehtë. Këtë e di mirë edhe mbrojtësi Arbër Prekazi, që për një kohë të gjatë ishte pjesë e suharekasve. Prekazi ka përvojë të gjatë në futbollin kosovar. Ka fituar tituj e Kupa të Kosovës. Por në ndeshje të tilla, e di se duhet dhënë maksimumi për t’u arritur rezultati pozitiv.
“Ndeshje e vështirë, përballë një rivali të vështirë i cili vjen nga një formë e mirë dhe ecuri e rezultateve. Kemi disa mungesa por do të na rikthehen edhe disa futbollistë. Do të tentojmë të futemi në lojën tonë dhe të dalim me rezultat pozitiv nga ky takim”, ka thënë Prekazi fillimisht për KOHËN të shtunën.
“Përballjet ndaj Ballkanit natyrisht se janë të veçanta edhe për mua sepse kam kaluar një pjesë të mirë të karrierës në Suharekë. Por, këtë herë do të jap maksimumin për ngjyra tjera, gjithmonë duke respektuar edhe shtëpinë e dikurshme”, ka përfunduar ai.
Ballkani në renditje është i dyti, por ka zhvilluar vetëm gjashtë ndeshje këtë edicion, tri soshmë pak se Drita që kryeson me 21 pikë. Ballkani ka 15 pikë. Një pozitë më poshtë është Gjilani. Por “kuqebardhët” kanë zhvilluar tetë ndeshje në këtë edicion.