Sport

Ndërprerja e “dhunshme” e serisë së veçantë të Nora Gjakovës

Prishtinë, dhjetor – Kishte bërë bujë pjesëmarrja e Kosovës në Lojërat Evropiane “Baku 2015”. Ishte edicioni i parë i kësaj ngjarjeje evropiane, ndërsa për Kosovën pjesëmarrja e parë në një organizim shumësportësh ndërkombëtar.

Entuziazmi ishte në kulm – Kosova ende po pranohej në asociacionet ndërkombëtare të sportit dhe momenti i pritur për dekada po vinte. Sportistët e Kosovës më në fund e kishin të drejtën të garonin në ngjarje ndërkombëtare, të barabartë me sportistët e vendeve të tjera.

Derisa shumica e sportistëve kosovarë ishin inferiorë në paraqitjet e tyre, ngjarja debutuese megjithatë u vlerësua e suksesshme. Kosova nga Bakuja u largua me medalje dhe jo të gjitha vendet pjesëmarrëse e kishin këtë “luks”.

Është Nora Gjakova që e bëri të mundur që ngjarja historike për vendin të ishte e suksesshme. Pritjet ishin që medalja të fitohej në sportin e xhudos, dhe xhudistët nuk dëshpëruan. Falë Norës, që fitoi medalje të bronztë në kategorinë deri 57 kilogramë, Kosova kishte debutim pozitiv.

Madje, suksesi i saj kishte vlerë të dyfishtë. Gara e xhudos në Lojërat Evropiane ka shërbyer edhe si kampionat evropian për seniorë për vitin 2015. Kjo i bie që Nora fitoi dy medalje për një garë – një të Lojërave Evropiane dhe një të Kampionatit Evropian të xhudos.

Image

Mungesa e papritur në Evropian

Prej vitit 2015, xhudistja pejane ka fituar rregullisht medalje në kampionatet evropiane për seniorë, si pak sportistë të tjerë të kontinentit të vjetër. Në një ngjarje tjetër historike, në Evropianin e mbajtur në Kazan të Rusisë në prill të vitit 2016, Nora fitoi po ashtu medalje të bronztë. Medalje me të njëjtin shkëlqim fitoi edhe në Evropianin e Varshavës, në vitin 2017. Hapin e madh para e bëri në Evropianin në Tel-Aviv, në vitin 2018. Fitoi medaljen e artë.

Kosova dhe Nora u kthyen në Lojëra Evropiane në vitin 2019, në edicionin e dytë të ngjarjes shumësportëshe kontinentale. Këtë herë ajo fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri 57 kilogramë, duke pësuar në finale. Sërish gara e xhudos u vlerësua edhe si Kampionat Evropian për seniorë. Pra, vazhdoi seria e medaljeve të Norës në kampionate evropiane. Kjo seri, megjithatë, u ndërpre në vitin 2020. Jo me fajin e saj, por për shkak të rrethanave të krijuara në vitin e pandemisë së koronavirusit. Evropiani i xhudos për vitin 2020 është mbajtur prej 19 deri më 21 nëntor në Pragë të Çekisë. Kosova është dashur të paraqitet me nëntë garues, por mori pjesë me tre. Të tjerët munguan për shkak të koronavirusit dhe për shkak të lëndimeve. Për shkak të infektimit me koronavirus, mungoi edhe Nora Gjakova. Për Kosovën medalje të bronzta fituan Distria Krasniqi e Loriana Kuka.

“Është e vërtetë që pesë vjet rresht kam fituar medalje në kampionate evropiane. Por duke marrë parasysh që jemi në kohë pandemie, nuk ka qenë çudi që të ndodhë një gjë e tillë, pra që të mbes jashtë Evropianit dhe të më ndërpritet seria. Edhe unë si shumë njerëz tjerë kam pësuar prej kësaj pandemie. Kjo më ka penalizuar, nuk kisha mundësi të marr pjesë në kampionatin e Evropës. Së bashku me Akilin (vëllaun e saj v.j.) deri në ditën e fundit jemi përgatitur për gara dhe në momentin e fundit para nisjes, madje kemi ardhur të gatshëm që të udhëtojmë, na kanë informuar se jemi infektuar me virus. Kështu nuk kemi mundur të udhëtojmë për në kampionatin evropian”, ka thënë Nora Gjakova në një bisedë për KOHËN.

Me mungesën e Norës është vlerësuar se Kosovës i ka humbur një medalje evropiane. Ajo ishte favorite e madhe për medalje. Edhe Akil Gjakova është vlerësuar pretendent, njëjtë si disa të tjerë që kanë munguar.

Trajneri Driton Kuka i ka përjetuar rëndë mungesat. Deri në momentin e fundit nuk e ka ditur se kush do të jetë në dispozicion për Evropian. Madje, ka pasur shumë drojë nëse raste pozitive do të paraqiten pas udhëtimit në Pragë. Kuka prej shfaqjes së pandemisë është angazhuar për ta mbajtur ekipin të izoluar. Xhudistët elitarë kanë stërvitur për kohë të gjatë në izolim, duke u kujdesur për të mos u infektuar. Por rastet me koronavirus u paraqitën në kohën më të keqe, në prag të Evropianit, ngjarjes kryesore të vitit.

Dëshpërimi i Norës

Nora ka punuar shumë, gjatë tërë vitit, dhe në fund iu mohua pjesëmarrja në ngjarjen kryesore të 2020-s.

“Me të vërtetë ka qenë e vështirë të pranohet një lajm i tillë, sidomos para një gare aq të rëndësishme, e cila pas shtyrjes së Lojërave Olimpike na mbeti cak për këtë vit. Gjithë vitin jemi përgatitur për këtë garë. Jemi përqendruar të përgatitemi maksimalisht për kampionat evropian, pasi e kemi ditur se do të mbahet. Mirëpo, në momentin që e kemi kuptuar se nuk do të jemi pjesëmarrës, jemi ndier shumë të zhgënjyer. Por në këtë vit çdo gjë që ndodh më nuk është e çuditshme”, ka shtuar Nora Gjakova.

Ajo ka bërë gati valixhet, është paraqitur në vendin prej nga është dashur të bëhet nisja për në Pragë, por në fund e kanë lajmëruar se është me COVID-19. Dëshpërimin e madh e ka kaluar shpejt. Me të kaluar koronavirusin, është kthyer në stërvitje me intensitet të plotë dhe po përgatitet për garat e vitit 2021.

Në ekipin e Kosovës në xhudo shprehen të habitur për faktin se Nora edhe gjatë verës ishte testuar pozitive për COVID-19. Madje kanë dilema nëse rezultati i testimit të parë ishte i drejtë.

Tani Nora po shikon para drejt vitit kur do të mbahen Lojërat Olimpike dhe Evropiani tjetër. Seria e ndërprerë dhunshëm pritet të vazhdojë në vitin 2021.

“Shpresoj që në vitin 2021 të fillojmë mbarë dhe ta përfundojmë mbarë vitin. Do të jetë një vit olimpik, unë tashmë jam e kualifikuar për Tokio. Jam e treta në ranglistën olimpike dhe shpresoj që çdo gjë të shkojë si duhet”, ka theksuar njëra prej sportisteve më të suksesshme në histori të vendit.

Image