Dardan Cena nuk ishte në mesin e bartësve. Rrjedhimisht nuk ishte as në mesin e favoritëve për medalje. Në llafet për podium, emri i tij nuk përmendej.
Kjo i ndihmoi 20-vjeçarit. I mundësoi që të përgatitej në qetësi të plotë, pa presion.
Në garën e fundit madhore të vitit në xhudo, në Kampionatin e Hapur Evropian të zhvilluar në Prishtinë në mesin e dhjetorit, Dardan Cena i bëri të gjithë për vete. Me paraqitje emocionale dhe festë pasionuese hyri në zemrat e shikuesve në palestër dhe po ashtu të atyre që ngjarjen e përcollën përmes ekranit televiziv.
Në Evropianin e Hapur, konkurrenca ishte më e forta e mundshme. Xhudistët garuan në kategorinë deri 73 kilogramë dhe garuesit më të mirë të kategorisë deri 73 kg ishin në tatami. Hidayet Heydarov i Azerbajxhanit, Lasha Shavdatuashvili i Gjeorgjisë, Manuel Lombardo i Italisë, Petru Pelivan i Moldavisë, Salvador Cases Roca i Spanjës, Akil Gjakova e disa të tjerë ishin pretenduesit e mëdhenj, bazuar në ranglistën botërore, por edhe në karrierën e sukseset.
Gjithsej ishin 25 xhudistë.
Dardani nisi furishëm. E mposhti shpejt me Ippon finlandezin Valtteri Olin. Më pas e mposhti edhe gjermanin Igor Wandtke. Në çerekfinale e kishte përballë top-xhudistin nga Italia, Manuel Lombardo. Prej tij pësoi humbje me Ippon. Por tashmë e kishte rastin që përmes repesazhit të siguronte medaljen e bronztë. Ishte i përkushtuar dhe i vendosur për sukses. Me dy uazari e mposhti bullgarin cilësor, Marko Hristov, në luftën e parë të repesazhit. Ndërkohë për medalje të bronztë fitoi ndaj moldavit Petru Pelivan, fituesit të medaljes së bronztë evropiane dhe shumë medaljeve të tjera të rëndësishme në xhudo.
Kështu Dardani siguroi medaljen e bronztë dhe vendin në podium. Podiumin e ndau me Heydarovin, xhudistin kryesor të kategorisë, që po ashtu fitoi të bronztën. Lombardo ishte në krahun tjetër si fitues i medaljes së argjendtë, ndërsa në shkallën më të lartë ishte Akil Gjakova, kampioni i Evropianit të Hapur në Prishtinë.
Paraqitja në Prishtinë, në vendin e lindjes, ishte shumë motivuese për Dardan Cenën.
“Normal, e kam marrë motivimin prej trajnerit, Tonit, dhe jam munduar ta jap maksimumin, sepse kur më ka treguar se do të rrihem në Prishtinë, në qytetin tim, nuk e di, kam qenë edhe më i lumtur, sepse e kam publikun, e kam familjen, e kam klubin prapa. E kam trajnerin, i kam të gjithë njerëzit e dashur pas meje dhe normal që jam munduar ta jap maksimumin”, ka thënë Dardan Cena për KOHËN, për paraqitjen në Evropianin në Prishtinë.
E bronzta në Evropianin e Hapur në Prishtinë është suksesi më i madh në karrierën e deritashme të Dardan Cenës, që është pjesë e një familjeje të lidhur ngushtë me sportin e xhudos.
Këtë vit në “European Open” në Sofje ishte i pesti. Fitoi të artën në Kupën Evropiane për Juniorë në Kaunas, ndërsa kishte edhe disa suksese të tjera. Vjet ishte i treti në Kampionatin Evropian për Juniorë.
Suksesi i fundit ka nxitur Dardanin të punojë edhe më shumë.
“Normal, ky rezultat mua vetëm më ka nxitur. Sepse tash është e kaluar, por do të jap edhe 3-4 herë më shumë besoj”, ka thënë Cena.
Ai ka ëndrra e synime të mëdha. Synon edhe medaljen olimpike një ditë.
“Ëndrrat e mia janë të fitoj medalje gjithkund. Pra, edhe në Lojërat Olimpike”.
Për të ëndërruar gjëra kaq të mëdha, Dardani është dashur të sakrifikojë jo pak. Katër vjet më parë la familjen në Prishtinë dhe u vendos në Pejë për të punuar nën urdhrat e kryemjeshtrit të xhudos, Driton Kuka. Puna me Kukën është garanci për sukses. Ndër të tjera nxënësit e tij kanë tri medalje të arta olimpike dhe shumë medalje botërore e evropiane.
Puna me trajnerin Driton Kuka nuk është e lehtë. Por është rruga drejt kulmit në xhudo.
Dardanit i është dashur të ndahej edhe nga vëllai binjak, Kastrioti. Ai ka mbetur në Prishtinë, ku vazhdon me xhudo, ndërsa Dardani tashmë shumicën e kohës e kalon në Pejë.
“Kur jam ndarë nga ai, si 16-vjeçar, ai ka qenë në Prishtinë, unë kam ardhur në Pejë për të ushtruar te kryemjeshtri dhe ka qenë e vështirë, sepse unë jam rritur faktikisht me të, kemi shkuar në shkollë, kemi ushtruar bashkë, të gjitha i kemi bërë bashkë. Dhe kur kam shkuar atje e kam pasur pak më vështirë, por e kam kaluar edhe atë krizë”, tregon Cena.
Në fillim i ka munguar më shumë familja, ndërsa gradualisht është mësuar me jetën larg familjarëve. E di që suksesi në sport kërkon edhe sakrificë.
Njëjtë ka vepruar edhe Laura Fazliu, që në moshë të re u largua nga familja në Mitrovicë dhe u vendos në Pejë, për të punuar me Driton Kukën. Tashmë Laura është prej xhudisteve më të mira në botë.
“Tash e kam kohën e rregulluar, ushtroj, shkoj kur kam kohë të lirë, kthehem. Vijnë edhe ata më vizitojnë mua. Tash kanë ndryshuar pak gjërat”, tregon Dardan Cena për kontaktet e rregullta me familjen.
Në Pejë ka gjetur “familje” të re. Atë të kampionëve të xhudos. Ndihet me fat që e ndan të njëjtën palestër me kampionë si Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Akil Gjakova, Laura Fazliu, Loriana Kuka e xhudistët e tjerë.
“Nuk kam fjalë, ekipi është fenomenal. Do të thotë tri kampione olimpike, trajneri më i mirë në botë, medalistë evropianë e botërorë, të shumëfishtë. Unë ndihem aty si në shtëpinë time tash e katër vjet. Dhe ata i kam si familje”, ka theksuar Cena.
Ai është shpresë e madhe e Kosovës për Lojërat Olimpike të vitit 2028. Por me paraqitjen në Prishtinë, Dardani ka dëshmuar se ka potencialin për të fituar edhe shumë e shumë medalje deri në vitin 2028. Natyrisht, nëse vazhdon punën e madhe, u bindet kërkesave të trajnerit Kuka dhe mbetet i përkushtuar. Janë këto virtytet që ekipin e Kosovës në xhudo e kanë dërguar në nivelin më të lartë botëror.