Ajo për të cilën ishte i përgatitur trajneri Driton Kuka edhe ndodhi. Distria Krasniqi nuk e kishte freskinë dhe forcën që e ka karakterizuar në dy vjetët e fundit. Dhe për herë të parë pas një kohe të gjatë mbeti pa medalje, përkatësisht pa vend në podium.
E para në ranglistën botërore të kategorisë deri 48 kilogramë, të dielën garoi në Kampionatin Botëror që nisi në Budapest të Hungarisë. Ishte bartëse e parë, startoi mirë, por mbeti pa medalje. U rendit e pesta.
Në luftë për vend të tretë, Distria u mposht nga mongolezja Urantsetseg Munkhbat. Lufta ishte shumë e fortë, shumë taktike dhe zgjati afro dhjetë minuta. U vendos me dënime (3:2), ndërsa vendimi i fundit i gjyqtarëve ishte i diskutuar. Edhe komentatorët zyrtarë të IJF-së, ekspertë të xhudos, kishin mendime tjera për situatat në të cilat u vendos fituesja. Por gjyqtarët vendosën për mongolezen. Ndërkohë trajneri Driton Kuka ka folur për një tendencë anti-Kosova.
Distria Krasniqi ishte e treta në Botërorin e vitit 2019, të mbajtur në Tokio, ku në fund të korrikut do ta kërkojë podiumin në ngjarjen më të madhe – Olimpiadë.
Pengesën e parë, hungarezen Eva Csernoviczki, Distria e kaloi pa luftë. Shënoi fitore të vështirë ndaj ruses Sabina Giliazova, ndërsa spanjollen Laura Martinez Ablenda e mposhti me “Ippon”. Por në gjysmëfinale u mposht nga japonezja Natsumi Tsunoda, që realizoi dy herë hedhje, duke e zënë të papërgatitur xhudisten pejane. U dhanë shenjat e para se Distria nuk është në ditën më të mirë.
Me Munkhbat, kampionen e parë botërore nga Mongolia, Distria tani ka bilanc prej dy fitore e dy humbje.
Para udhëtimit për në Botëror, trajneri Kuka kishte thënë për KOHËN se te garuesit mund të paraqitet lodhja për shkak të ngarkesës së madhe në një kamp të mbajtur javë më parë në Slloveni. Kampi është mbajtur që të jetë në shërbim për Olimpiadë, përkatësisht për javën e fundit të korrikut kur është turneu i xhudos. Kuka është i përkushtuar që xhudistët të jenë në pikun e formës në Olimpiadë dhe nuk ka ndryshuar planin për shkak të Botërorit. Dhe ishte i vetëdijshëm se situatë si kjo e Distrisë mund të paraqitet.
Por Driton Kukën e shqetëson tendenca në rritje e gjyqtarëve për të dëmtuar garuesit e tij, sidomos kur luftërat janë të barabarta.
“Rezultati do të ishte i jashtëzakonshëm për çdo sportist tjetër të Kosovës, por realisht Distria është garuese nga e cila në çdo garë pritet medalje, e rrjedhimisht edhe në Botëror. Performanca e Distrisë nuk ishte ajo që jemi mësuar në shumë gara në këto vitet e fundit. Por jam i bindur që do të jetë në pikun e saj në Lojërat Olimpike”, ka shkruar Kuka.
“Lufta për medalje ishte realisht e Distrisë, por një tendencë e lehtë karshi ekipit tonë po vërehet në disa gara këta muajt e fundit. Në luftërat e barabarta garuesit tanë nuk po lejohen të fitojnë. Por kjo na jep kurajë e motiv të punojmë edhe më shumë, edhe më fort. Distria mbetet heroina e viteve të fundit dhe ajo do të vazhdojë edhe më tutje me rezultate e medalje”, ka theksuar Driton Kuka.
Distria në Lojërat Olimpike do të jetë bartësja e parë. Dhe është konkurrente e fuqishme për medalje olimpike, që është kulmi i karrierës për secilin garues.
Në Botëror garojnë edhe Nora Gjakova, Akil Gjakova, Laura Fazliu e Flaka Loxha. Nora e Akili janë konkurrentë për medalje. Trajneri Kuka ka vendosur që të mos angazhojë në Botëror, Majlinda Kelmendin e Loriana Kukën.