Sport

KB Trepça në krizë, kërkon t’i shpëtojë rënies nga elita e basketbollit kosovar

Një ndër skuadrat më të trofeshme në vendin tonë KB Trepça do të luajë për herë të parë në histori të klubit në fazën e “play-outit”. Klubi nga Mitrovica për të siguruar mbijetesën duhet të luajë ndeshjen ndaj AS Prishtinës.

Trepça, që ishte në pozitën e shtatë të renditjes pas anulimit të garave me vendimin e Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës, u vendos që të luajë një ndeshje në luftë për të siguruar statusin e ekipit të fundit të Superligës për stinorin 2020-21. Klubi mitrovicas do të kërkojë të sigurojë mbijetesën me ndeshjen ndaj AS Prishtinës, që është planifikuar të luhet në muajin shtator. Në këtë situatë klubi mitrovicas ndodhet për herë të parë në histori të klubit. “Xehetarët” që kanë fituar tri herë titullin e kampionit të Kosovës, këtë vit synojnë mbijetesën në elitën e basketbollit kosovar.

Ish-basketbollisti i Trepçës dhe tashmë ndihmëstrajneri Gazmend Asllani ka folur për situatën në të cilën është duke kaluar klubi. Për Asllanin takimi me kryeqytetasit vazhdon të jetë i paqartë. Ai thotë se nuk dihet ende se di do të luhet kjo ndeshje, duke besuar se do të luhet me fondin e njëjtë të lojtarëve të sezonit të shkuar. “Ndeshja e ‘play-outtit’ vazhdon të jetë ende e paqartë se si do të zhvillohet. A do të luajmë me skuadrat që kemi pasur në sezonin e shkuar apo do të ndryshojnë gjërat. Do të jetë e vështirë pasi është vetëm një ndeshje dhe nuk e dimë se si qëndron raporti me lojtarët, a do të pranonin të riktheheshin vetëm për një takim. Nuk do të jetë aspak e lehtë edhe pas kësaj situate të krijuar, por shpresoj se deri atëherë do të arrijmë të bëjmë një zgjedhje”, deklaroi Asllani. Ish-basketbollisti i mitrovicasve ka folur edhe për vendimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës që “xehetarët” të luajnë ndeshjen e “play-outit” për të siguruar mbijetesën. Ai thotë se vendimi i FBK-së ishte i pritshëm për klubin mitrovicas. “Pak a shumë këtë vendim të Federatës së Basketbollit të Kosovës e kemi pritur pasi që e dimë se këtë sezon kemi qenë shumicën e kohës në fundin e tabelës. Kjo ka ndodhur për shkak të krizës financiare në të cilën ka kaluar klubi. Nuk është e lehtë për një ekip si Trepça të jetë në këtë pozicion, mirëpo kushtet në të cilat kemi punuar kanë bërë që të ndikojnë edhe në paraqitjen në parket. Nuk kemi pasur rezultate të mira gjatë kampionatit dhe kjo ishte si pasojë e kushteve në të cilat kemi punuar dhe krizës financiare në të cilën ka kaluar ekipi ynë”, u shpreh Asllani.

Drejtuesit e klubit të Trepçës takimin e fundit me stafin dhe lojtarët e kishin para tre muajve, pas përhapjes së koronavirusit në vendin tonë. Klubi mitrovicas ka liruar të gjithë lojtarët e huaj dhe vendor pas pezullimit të kampionatit. Asllani pret që shumë shpejt klubi të mblidhet sërish për të diskutuar planet për sezonin e ri. “Nuk kemi pasur ndonjë takim me krerët e klubit për të vendosur të ardhmen e skuadrës. Shpresojmë që shumë shpejt të mblidhemi dhe të bëjmë planet për këtë ndeshje dhe për sezonin e ri. Do të jetë e vështirë mirëpo të shohim se çfarë do të ndodh”, potencoi Asllani. Kriza financiare gjatë kësaj periudhe ka prekur klube të shumta. Në një fazë të tillë po kalon edhe KB Trepça.

Ish-basketbollisti Asllani pret që klubi të hasë në vështirësi pas situatës së krijuar, por shpreson të gjenden donatorë për të ndihmuar klubin. “Edhe ne si skuadër do ta kemi të vështirë të kalojmë këtë kohë që po e kalon e gjithë bota. Nuk do të jetë aspak e lehtë pasi është një krizë që i ka kapluar të gjitha ekipet. Ne si klub do të mundohemi të gjejmë donatorët dhe të rikthehemi edhe më të fortë pas kësaj situate. Nuk do të jetë e lehtë aspak, por duhet të provojmë të rikthehemi në normalitet”, përfundoi Asllani. Trepça sezonin e rregullt në Superligë e mbylli në pozitën e shtatë me 31 pikë të tubuara, ku në 24 ndeshje regjistroi shtatë fitore dhe 17 humbje.