Nazmi Gripshi pas disa viteve të kaluara në kampionatin e Shqipërisë, ku vlerësohej si njëri prej lojtarëve më të talentuar, vendosi që karrierën e tij ta vazhdojë në një kampionat tjetër, atë të Superligës së Kosovës. Futbollisti shqiptar ishte pjesë e Skënderbut të Korçës, ku pas tri edicioneve vendosi të largohet. Insistimi i skuadrës Ballkanit e bindi futbollistin e talentuar që të transferohet në Kosovë përkundër ofertave të shumta që kishte para vetes. Madje, drejtuesit e Ballkanit paguan dëmshpërblim për të siguruar shërbimet e Gripshit, të cilin e shihnin si përforcim të duhur për synimet që kishin këtë edicion – titullin dhe Kupën e Kosovës. Në fakt, thuhet se Ballkani shpenzoi rreth 60 mijë euro për ta mposhtur konkurrencën e fortë që e kishte nga skuadrat e tjera për Gripshin. Edhe vetë 23-vjeçari, në një rrëfim për KOHËN, tregon për transferimin e tij te Ballkani dhe kush ishte ai që e bindi t’i bashkohet skuadrës nga Suhareka dhe ta vazhdojë karrierën në futbollin kosovar. “Unë isha nën kontratë te Skënderbeu dhe kush donte shërbimet e mia duhej t’i plotësonte kërkesat e presidentit të klubit për kartonin tim. Klubi i Ballkanit insistoi për të më pasur në radhët e veta dhe pastaj më pëlqeu projekti serioz që kishte presidenti Arsim Kabashi. Gjithashtu, ishte edhe dëshira e trajnerit Ismet Munishi për të më pasur në skuadër dhe mendova që të bëhesha pjesë e Ballkanit”, pranon Gripshi. Sulmuesi i krahut thotë se kishte oferta edhe nga shumë skuadra nga Shqipëria, por ishte i vendosur të provojë një aventurë jashtë Shqipërisë. E para se të vendoste që përfundimisht t’i bashkohej Ballkanit, ai kishte marrë informata nga shokët e tij që ishin pjesë e Superligës së Kosovës. “Vitin e kaluar kam ndjekur disa ndeshje të Superligës së Kosovës, sepse kishte miq të mi që luanin dhe ende janë pjesë e futbollit kosovar. Nuk kam pasur shumë njohuri rreth kampionatit këtu, por mund të them se ka shumë skuadra të forta”, shtoi Gripshi. “Gjithashtu, niveli i ekipeve është në ngritje dhe kjo ishte një tjetër sfidë që më shtyri të vendosi të bëhem pjesë e Ballkanit”.
Dëshiron titullin me Ballkanin
Aventura e Gripshit në Kosovë ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Ka nëntë paraqitje me fanellën e Ballkanit dhe është titullar i padiskutueshëm. Madje, Ballkani është lider i Superligës së Kosovës dhe po shihet si favoriti kryesor për ta fituar titullin e kampionit. E këtë synim e ka edhe Gripshi, i cili po shpreson dhe beson se në fund, Ballkani do të shpallet kampion. Ai thotë se ky nuk është vetëm synim i tij, por i gjithë skuadrës suharekase. “Sigurisht që synoj trofe, sepse edhe vetë ekipi i Ballkanit ka synime të tilla, që shpresojmë se do të realizohen këtë edicion. Natyrisht, ne lojtarët do të japim maksimumin për ta mbyllur edicionin me trofe. Sekreti te forma e mirë që e kemi është te grupi që e kemi krijuar ku nuk ka hatërmbetje dhe kush futet në fushë jep 100 për qind nga vetja. Jemi të motivuar maksimalisht dhe shpresojmë që në fund i gjithë ky mund të na shpërblehet me titull”, shtoi Gripshi. Ai ka folur edhe për rivalët e Ballkanit këtë edicion, por në fund beson se ekipi i tij do të bëhet kampion dhe do ta përfaqësojë futbollin kosovar në Ligën e Kampionëve, garën më elitare të Evropës. “Kampionati në Kosovë është shumë i luftuar me ekipe që kanë bërë transferime të futbollistëve cilësorë. Në garë për trofe këtë edicion i shoh ekipet si Drita, Gjilani, Prishtina, por nuk duhet lënë anash as Feronikelin e Llapin. Janë ekipe tejet cilësore dhe me lojtarë të fortë”, tha ai. “Mirëpo, ne do t’i marrim ndeshjet tona një nga një dhe pastaj në fund do t’i bëjmë llogaritë. E kemi parasysh se nuk do të jetë aspak lehtë, por jam i bindur se kemi ekipin dhe fuqinë për të shkuar deri në fund”. Në fakt, Gripshi edhe në Shqipëri ka fituar trofe. Përgjatë tre edicioneve të kaluar te Skënderbeu, Gripshi ka fituar dy trofe. Në edicionin 2017/18, Gripshi krahas titullit të kampionit e ka fituar edhe Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë. Këtë edicion, Gripshi pati 15 paraqitje me fanellën e skuadrës nga Korça. Ai karrierë në Shqipëri ka bërë edhe te Teuta e Durrësit, ekip ku edhe është rritur si futbollist. Gripshi në vitin 2015 është promovuar në ekipin e parë të Teutës për t’u larguar drejt Skënderbeut pas dy vjetëve. Ai gjithashtu ka paraqitje edhe tek ekipet U-19 dhe U-21 të Kombëtares së Shqipërisë.
Ëndërron një ftesë nga Kombëtarja A
“Me Skënderbeun kam fituar të gjithë trofetë e mundshëm në futbollin e Shqipërisë dhe shpresoj që një gjë të tillë ta bëj edhe me Ballkanin, për ta bërë të lumtur një qytet, si dhe drejtuesit e klubit për investimet dhe tifozët tanë ‘Xhebrailat’. Kemi bërë një start të mirë dhe shpresoj ta mbajmë këtë ritëm deri në fund”, u shpreh Gripshi. Ai ka kontratë me Ballkanin deri në verën e vitit 2022, derisa nuk preferon të flasë për të ardhmen, sepse është i fokusuar për ta ndihmuar ekipin e tij aktual në arritjen e objektivave. “Kam kontratë për dy vjet me Ballkanin dhe për momentin mendoj vetëm të jap maksimumin këtu dhe pastaj e ardhmja është në duart e Zotit. Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur që jam pjesë e këtij klubi”, deklaroi Gripshi, duke thënë se ka mbetur i befasuar me mikpritjen e ngrohtë në qytetin e Suharekës. “Falënderoj shokët e skuadrës, trajnerët dhe presidentin për ambientin e ngrohtë që më kanë ofruar këtu. Njerëzit e qytetit të Suharekës janë shumë të dashur dhe që e duan shumë sportin, në veçanti futbollin dhe për këtë arsye duhet t’i gëzojmë me trofe”. Megjithatë, Gripshi ka edhe një synim tjetër të madh, krahas sukseseve me Ballkanin. Ai shpreson që në një të ardhme të afërt të marrë ftesë nga Kombëtarja A e Shqipërisë pas paraqitjeve me gjeneratat e reja. Ai thotë se gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë një futbollisti është të jetë pjesë e kombëtares shqiptare. “Kombëtarja është gjëja më e bukur për një futbollist, unë e kam provuar me U-19, U-20 e U-21 dhe shpresoj që një ditë të jem edhe pjesë e ekipit A. Do të punoj shumë dhe shpresoj që paraqitjet e mira të shpërblehen në fund me një ftesë”, theksoi Gripshi. Ai thotë se futbolli është gjithçka për të pasi edhe kohën e lirë e kalon duke shikuar ndeshje të këtij sporti, me të cilin ka filluar të merret që nga mosha nëntëvjeçare. “Nazmiu jashtë futbollit nuk ndryshon shumë. Kaloj shumë kohë me shokët e ekipit, dhe krahas filmave shikoj shumë edhe ndeshje të futbollit, sepse është profesioni im”, thotë Gripshi që flet për hapat e tij të parë në këtë sport. “Të flas për rrugëtimin tim të futbollit është bukur. Natyrisht, ka pasur vështirësi të shumta, por dashuria e madhe për këtë sport i ka bërë ato vështirësi të vogla. Prej moshës nëntëvjeçare kam nisur te Teuta përpara se të ftohem në ekipin e parë me 17 vjeç. Futbolli më ka pëlqyer gjithmonë dhe gjatë tërë ditës luaja me top, duke i anashkaluar edhe mësimet ndonjëherë. Por, tani jam i lumtur që e kam mbaruar edhe universitetin”.