Napoli është ballafaquar me telashe jashtë fushës së fundmi, por tani e presin dy detyra shumë të vështira në ditët në vijim. Fillimisht, kampioni i Italisë do të luajë në udhëtimin jo të lehtë te Lecce, në ndeshjen hapëse të xhiros së shtatë të Serie A, që nis në orën 15:00. Te Lecce me sukses po paraqitet mesfushori i Shqipërisë, Ylber Ramadani, ndërsa rastin po e pret edhe Medon Berisha. Amir Rrahmani është i lënduar te skuadra e Napolit, dhe nuk pritet të paraqitet. Napoli pas gjashtë ndeshjeve është në pozitën e pestë me 11 pikë, aq sa ka edhe Lecce në vendin e gjashtë.
Pas këtij udhëtimi, Napoli do të luajë të martën mbrëma në shtëpi kundër Real Madridit, në kuadër të fazës grupore të Ligës së Kampionëve. Dhe nuk do të ketë kohë për lojtarët dhe zyrtarët e ekipit, që të merren me telashe jashtë fushës.
Sulmuesi Victor Osimhen ishte shumë i inatosur këtë javë kur Napoli në TikTok postoi një video, e cila e tallte atë për penalltinë e humbur ndaj Bolognas. Napoli më vonë e fshiu videon, por edhe Osimheni fshiu të gjitha fotografitë e tij me fanellën e Napolit.
Osimheni ishte i nervozuar edhe me trajnerin Rudi Garcia, kur u zëvendësua pak para fundit të ndeshjes me Bolognan që përfundoi 0:0. I nervozuar u pa edhe Khvicha Kvaratskhelia, edhe ai për shkak të zëvendësimit të hershëm. Problemet u duk se janë larguar kur Napoli u kundërpërgjigj me fitore 4:1 ndaj Udineses të mërkurën, ndërsa realizator ishin edhe Osimheni e Kvaratskhelia. Napoli dhe Lecce, kanë katër pikë më pak se liderët e qytetit të Milanos, Interi dhe Milani. Milan e pret Lazion të shtunën nga ora 18:00, ndërsa Interi luan në udhëtim te Salernitana, po të shtunën nga ora 20:45. Atalanta dhe Juventusi, ballafaqohen të dielën nga ora 18:00.