Sport

Muriqi te Kosova, një histori plot zhvillime që nga dita e parë

Arijanet Muriqi kishte vendosur të luante për Kosovën pasi Mali i Zi nuk e ftoi dot në Përfaqësuesen A. Te Kosova iu premtua pozita e titullarit, që nuk ndodh në përfaqësuese serioze. Me të ardhur u raportua për një incident me portierin tjetër, Samir Ujkani. Paraqitjet e Muriqit asnjëherë nuk ishin të nivelit të pritur, ndërsa qëndrimin e tij te Kosova e kanë shoqëruar disa episode jo të këndshme. Të martën u arrit pikë e ulët në raportin e tij me Kosovën – Muriqi u largua nga kampi i Përfaqësuese për arsye disiplinore. U mësua që ai u paraqit i dehur në stërvitjen e së hënës në sallë fitnesi. Me largimin e Muriqit, Kosova mbetet me tre portierë për paraqitjen e të cilëve ka rezerva

Kishte bërë bujë njoftimi i Federatës së Futbollit të Kosovës për afrimin e Arijanet Muriqit te Përfaqësuesja e Kosovës në futboll. Shtatlarti Muriq në gushtin e vitit 2018 ishte portieri i dytë te Manchester City dhe e ardhmja e tij vlerësohej e ndritur. Ardhja e tij e papritur te Kosova ishte vlerësuar fitore e madhe për Përfaqësuesen. Kishte vlerësime se me Muriqin, tani 22-vjeçar, porta e Kosovës do të jetë e sigurt për një kohë të gjatë.

Nuk vonoi shumë dhe portieri i lindur në Zvicër dhe me të kaluar te Mali i Zi nisi të qëndronte në portën e Kosovës. Por stabilitetin e shpresuar nuk e solli asnjëherë. Ka pasur pritje të mëdha nga ndeshje në ndeshje, por edhe plot raste kur ka shfaqur pasiguri dhe mungesë koncentrimi.

Më shumë se për paraqitjet në fushën e blertë si pjesë e Kosovës, bëri bujë për zhvillime jashtë fushës. As karriera me klube nuk i ka ecur mbarë që nga 26 gushti i vitit 2018, kur zyrtarisht ishte njoftuar se Muriq po bëhej pjesë e Kosovës.

Të martën karriera e Muriqit te Kosova preku pikën më të ulët. Ai u largua nga kampi i Përfaqësueses. Përfaqësuesja është grumbulluar për tri ndeshje, miqësoren e së mërkurës ndaj Lituanisë dhe dy ndeshjet e para kualifikuese për Botërorin 2021 me Suedinë dhe Spanjën.

“Me vendim të Federatës së Futbollit të Kosovës, futbollisti Arijanet Muriq largohet nga kampi i ekipit kombëtar për arsye disiplinore”, thuhet në njoftimin e shkurtër të FFK-së.

Nuk është bërë e ditur se cili organ i Federatës mori vendimin, nëse ai ishte i selektorit Bernard Challandes, i menaxhmentit të Përfaqësueses apo ndonjë trupi disiplinor. Ka pasur raportime të shumta lidhur me arsyet që sollën largimin e Muriqit. KOHA ka mësuar se Muriq në një seancë ushtrimesh në sallë fitnesi, të hënën, ishte paraqitur i dehur. Dhe kjo solli largimin e tij nga kampi, përkatësisht suspendimin.

Suspendimi i portierit të parë ndodh në një moment të rëndësishëm për Përfaqësuesen. Pas rezultateve dëshpëruese vitin e kaluar, Kosova synon që ndaj Lituanisë në miqësore dhe në ndeshjet e vështira kualifikuese me Suedinë dhe Spanjën të kthehet në rrugën e duhur. Largimi i portierit të parë dhe mungesa e mbrojtësit kryesor, Amir Rrahmani, nuk shkon në favor.

Muriq nuk është deklaruar pas masës ndëshkuese që mori nga FFK-ja. Ai ka nisur të mbrojë për Willem II në Eredivisie të Holandës, ku është huazuar nga Manchester City, që e mban ende portierin, por pa i dhënë rast në ekipin e parë. Pasi pranoi shumë gola në dy ndeshjet e para, Muriq është stabilizuar në ndeshjet e fundit të kampionatit holandez.

Ai kishte periudha të pasuksesshme huazimi te Nottingham Foresti në kategorinë e dytë angleze dhe te Girona në kategorinë e dytë spanjolle. Nisi si portier i parë te të dy skuadrat, por gabimet i kushtuan që shpejt ta humbë vendin.

Sa i takon Përfaqësueses, Muriq ndonëse i lindur në Zvicër, nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e helvetikëve. Në vitin 2017 luajti dy ndeshje me U21 të Malit të Zi. Në të dy ndeshjet u përjashtua me karton të kuq. Dhe, sipas mediave malazeze, ai bëri ultimatum që të ftohet në Përfaqësuesen A të Malit të Zi. Por te Mali i Zi nuk pranuan ultimatumin e tij dhe Muriq nuk u avancua në Përfaqësuesen A.

Ndërkohë në lojë u fut Kosova. Për dallim nga Mali i Zi, Kosova i premtoi vend të menjëhershëm në Përfaqësuesen A. Mungesa e një portieri kosovar në nivel të lartë ndikoi në këtë. Madje iu premtua edhe vendi i titullarit, që ishte kusht i Muriqit për të bërë ndryshimin e Përfaqësueses.

“Më kanë ftuar zviceranët disa herë. Por dëshira ime ishte të mbroja për Malin e Zi. Zemra ka vendosur ashtu”, kishte thënë Muriq në vitin 2017.

Familja e tij është me prejardhje nga Rozhaja e Malit të Zi. Pasi ai vendosi për Kosovën u tha se familja e tij është nga Rozhaja, por me prejardhje shqiptare nga Kosova.

Dy shqiptarë të Zvicrës kishin ndërmjetësuar ardhjen e Muriqit te Kosova. Njëri prej tyre kishte bërë të ditur për “Kohën Ditore” se Muriqit i ishte premtuar vendi i titullarit te Kosova, ndonëse Bernard Challandes, që vazhdon të jetë selektor i Kosovës, kishte refuzuar ta bënte këtë fillimisht.

Muriq vendosi të bëhej pjesë e Kosovës kur Përfaqësuesja po bëhej gati për ndeshjet e para në edicionin e parë të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Ai ishte grumbulluar vetëm për ndeshjet e nëntorit 2018, me Maltën në udhëtim dhe me Azerbajxhanin në shtëpi, pasi kishte fituar të drejtën e paraqitjes. Ndaj Maltës në fitoren 5:0 kishte qëndruar në stol. Ndërkohë më 20 nëntor 2018 në fitoren 4:0 ndaj Azerbajxhanit në Prishtinë, ishte aktivizuar 90 minuta. Ishte ndeshje përmbyllëse, madje edhe festive, por Muriqit iu besua porta para Ujkanit që kishte mbrojtur në ndeshjet e tjera.

Ishte raportuar për një konflikt të menjëhershëm me Samir Ujkanin, që Aro e kishte zhvendosur nga porta.

Prej atëherë, Muriq ka luajtur 16 ndeshje për Kosovën. Ka humbur pozitën e startuesit në disa raste, duke mbetur rezervist i Samir Ujkanit. Edhe kur e ka ruajtur portën, nuk ka pasur shumë momente shkëlqimi. Ndërkohë jashtë fushës kishte bërë bujë edhe një fotografi e tij në kohë pandemie, me një vajzë pranë dhe me një shishe alkooli përpara. Ai episod ishte kaluar në heshtje nga FFK-ja, por jo edhe ky i së hënës.

Pezullimi i Aro Muriqit e lë Kosovën në situatë goxha të vështirë sa i takon portës. Ai megjithatë po paraqitej rregullisht në një kampionat mesatar evropian, si ai i Holandës. Tani Challandes duhet të vendosë në mes të Samir Ujkanit, Betim Halimit e Visar Bekajt. Derisa Ujkani ka vite që nuk i ndahet stolit të skuadrave, Halimi ka paraqitje periodike te Olimpik Donetsku në Ukrainë. 25-vjeçari ka shtatë paraqitje në edicionin aktual. Aktualisht është zgjidhja e parë te Olimpiku. Halimit i mungon plotësisht përvoja ndërkombëtare. Visar Bekaj ruan portën e Tiranës, ndërsa Superliga e Shqipërisë nuk merret shumë për bazë me rastin e selektimit të ekipit të Kosovës.

Me pezullimin e Muriqit edhe një herë ka dalë në pah mungesa e vërtetë e konkurrencës për pozitën e portierit të Kosovës. Dhe është konfirmuar se situata në Përfaqësuese është shumë e brishtë.