Të veçantë e ka përshkruar përballjen me Zvicrën edhe portieri i Kosovës, Arijanet Muriq. Ai ka thënë se jo vetëm për të, por për të gjithë lojtarët që kanë shtetësi të dyfishtë, qofshin të Kosovës apo Zvicrës, dueli i së shtunës mbrëma do të jetë i veçantë. Kosova e pret Zvicrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndeshje kjo që i takon Grupit I kualifikues për “Euro 2024”. Muriq, i cili është pjesë e Burnleyt, pritet të jetë në portë te Kosova dhe ka insistuar se synimi i “Dardanëve” është ta mposhtin Zvicrën në Prishtinë.
“Për mua, si dhe për shumë lojtarë të tjerë me shtetësi të dyfishtë nga të dyja palët, sigurisht që është një lojë jashtëzakonisht e veçantë. Ne jemi shumë të fortë si ekip dhe duam të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mundur Zvicrën në stadiumin tonë”, ka paralajmëruar Muriq për “20min.ch”, duke shtuar se në miqësoren e luajtur në Zuerich, ai kishte jashtëzakonisht shumë emocione për shkak se ka lindur dhe është rritur në Zvicër.
Pas katër ndeshjeve të luajtura në këtë cikël eliminator, Kosova nuk e ka ende asnjë fitore. Ka regjistruar tri barazime e një humbje, ndërsa renditet e parafundit në grup me tri pikë të tubuara.
“Gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç kemi pritur deri më tani. Por, ne besojmë se mund të funksionojnë të shtunën. Në stadium do të kemi përkrahje shumë të madhe. Kjo na jep presion shtesë, por edhe energji për fitore”, është shprehur Muriq.
Sipas Muriqit, lojtarët me shtetësi të dyfishtë nuk bën assesi të gjykohen nëse janë “zviceranë apo kosovarë të vërtetë”. Ai insiston se të gjithë ata japin gjithçka në fushë për vendin që e përfaqësojnë. Pranon se nuk e kupton në asnjë mënyrë kur shtrohet një çështje e tillë.
“Të gjithë mund ta shohin nga jashtë kur një lojtar lë zemrën e tij në fushë - kur ai jep gjithçka për vendin e tij. Ky është absolutisht rasti për të gjithë lojtarët. Kjo vlen edhe për Zvicrën. Shikoni se çfarë kanë bërë tashmë Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri për Zvicrën. Unë vërtet nuk mund ta kuptoj këtë çështje”, shtoi Muriq.
Edhe pse kishte opsionin për ta zgjedhur Zvicrën apo Malin e Zi, por në fund e preferoi Kosovën. Ai thotë se këtë vendim e kishte marrë shumë herët dhe se sërish do ta kishte përsëritur pa pikë dyshimi.
“Vendimin për Kosovën e mora shumë herët dhe do të bëja gjithçka përsëri në të njëjtën mënyrë”, tha portieri 24-vjeçar, i cili deri më tani ka 28 paraqitje me fanellën e Kosovës.
Ai ka folur edhe për karrierën e tij në nivel klubesh, përfshirë këtu largimin në moshën 16-vjeçare nga Grasshopperi për t’iu bashkuar të rinjve të Cityt. Muriq arriti deri në ekipin e parë të Cityt, ndërsa sa ishte pjesë e ekipit anglez u huazua te NAC Breda (Holandë), Nottingham Foresti (Angli), Girona (Spanjë), Willem II (Holandë) e Adana Demirspori (Turqi). Prej vitit të shkuar, ai është pjesë e Burnleyt, ekip që e ndihmoi të ngjitet nga Championshipi në Premier League.
“Unë nuk e lashë vetëm Zvicrën, por edhe familjen e miqtë. Sigurisht, që kishte shumë ulje-ngritje, por të gjitha përvojat i shoh si pozitive. Ato më kanë ndihmuar edhe në aspektin mental dhe për këtë arsye nuk jam penduar asnjëherë që u largova nga Grasshopperi në moshë të re. Unë kam qenë gjithmonë tifoz i Cityt, kështu që kalimi të kjo skuadër ishte një ëndërr e realizuar. Marrëdhënia ime me Guardiolan ishte e mirë dhe ai është një trajner i jashtëzakonshëm”, ka zbuluar Muriq, i cili pranoi zhgënjimin e tij që këtë edicion ende nuk e ka asnjë paraqitje te Burnley. “Edicioni i shkuar me Burnleyn ishte i mrekullueshëm. Për momentin jam pak i zhgënjyer që nuk jam numri një në portë, por po punoj shumë dhe jam i bindur që shansi im do të vijë”.
Në fund, ai tha se nuk shqetësohet për shkrimet negative jashtë fushës, pasi të gjithë e njohin karakterin e tij. Shtoi se ato gjëra nuk ndikojnë në të dhe tha se gjërat ishin zmadhuar më shumë se që ishin në realitet. Pranoi se sikur çdo njeri tjetër edhe ai bën gabime.