Të dielën do të përfundojë stinori vjeshtor i edicionit 2021/2022 në Superligën e Kosovës në futboll.
Ballkani, Gjilani dhe Drita janë skuadrat që në xhiron e fundit do të luftojnë për “titullin” e kampionit të stinorit vjeshtor.
Pas 17 xhirove të luajtura, Ballkani është lider me 33 pikë, dy më shumë se Gjilani. Drita është e treta me 31 pikë.
Pra të tri ekipet janë në garë për të siguruar vendin e parë dhe që të dimërojnë si kampion. Ballkani do të takohet me Gjilanin në Suharekë. Ndërkaq Drita përballet me Ulpianën në Gjilan. Fitorja e shpall Ballkanin kampion vjeshtor. Ballkani mund të dimërojë në vendin e parë edhe nëse barazon, nëse Drita nuk ia del të fitojë ndaj Ulpianës.
Kampion mund të dalë edhe Gjilani, nëse e mposht Ballkanin. E vetmja mundësi që Drita të dalë e para është nëse Ballkani e Gjilani barazojnë, pasi gjilanasit kanë goldallim plus 9, njëjtë sikurse Ballkani e Gjilani.
Renditja e skuadrave pas fazës së dytë, por edhe gjatë kampionatit, kur ato kanë pikë të barabarta, bëhet në bazë të goldallimit. Vetëm në fund të kampionatit renditja bëhet në bazë të dueleve direkte, kur skuadrat kanë pikë të njëjta.
Trajneri i Ballkanit, Bekim Isufi, përballjen e së dielës kundër Gjilanit e cilëson si ndeshjen më të rëndësishme deri më tani në këtë kampionat. Ai thotë se do të japim maksimumin për të fituar.
“Ndeshje e vështirë. Ndeshja më e rëndësishme në këtë kampionat kundër një kundërshtari që përcakton kampionin vjeshtor. Do të bëjmë të gjitha përgatitjet për këtë takim dhe do të japim maksimumin për të fituar, duke u mobilizuar në tërësi si ekip”, u shpreh Isufi.
Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, mendon se për ekipin e tij është e rëndësishme që nuk i ka lënë skuadrat e kreut të ikin shumë, pas startit jo të mirë.
Munishi thotë se objektivi është arritur pavarësisht rezultatit të dielën.
“Objektivi ynë ka qenë që të mos na largohen shumë skuadrat sipër, sepse kemi kaluar formë jo të mirë në fillim. Objektivi është arritur, pavarësisht rezultatit të dielën në derbi. Por në anën tjetër, është shumë i rëndësishëm për neve, për ecurinë tonë dhe jemi të vetëdijshëm se do të luajmë me një skuadër të fortë”, u shpreh Munishi.
Munishi e pranon se do të ishte shumë e rëndësishme që të përfundonin në vendin e parë. Trajneri i Gjilanit thekson se Ballkani i sotëm nuk është më i rrezikshëm sesa Ballkani kur ai e drejtonte.
“Është e rëndësishme për neve ta mbyllim si kampion dhe do të tentojmë fuqishëm. E njohim mirë kundërshtarin, është shumë i fortë në shtëpi, e njohim mirë edhe trajnerin që e ka krijuar këtë traditë. Por të them të drejtën, Ballkani i kohës sime ka qenë më i frikshëm se ky sot, prandaj kemi gjasa”, u shpreh Munishi.
Ndeshja e parë në kuadër të këtij edicioni ndërmjet Ballkanit dhe Gjilanit e luajtur në stadiumin e qytetit në Gjilan kishte përfunduar 1:1.
KOHA ka provuar të marrë edhe një qëndrim të trajnerit të Dritës, Ardian Nuhiu, por ai ka thënë shkurt se për të gjitha pyetjet që kanë për Dritën, mund të përgjigjet vetëm në konferencën për media. Klubi i Dritës mban konferenca të rregullta para çdo takimi.