Sport

Munishi: Gjilani e meriton titullin, jam i përkushtuar që ta fitojmë

Gjilani nuk e ka fituar asnjëherë titullin e kampionit në futbollin e Kosovës. Në edicionin 2019/2020 ishte afër, duke u renditur në vendin e dytë me pikë të njëjta me Dritën. Por, Drita falë bilancit më të mirë në duelet e ndërsjella, u stolis me trofeun më të çmueshëm të futbollit kosovar.

Në këtë edicion, Gjilani po kalon formë të mirë. Renditet në vendin e dytë me 29 pikë, një më pak se Ballkani që është lider. Gjilanasit kanë seri prej 12 ndeshjeve pa humbje, 11 në kampionat dhe një në Kupë.

Synimi i drejtuesve të klubit, shtabit teknik dhe futbollistëve është i qartë - titulli i kampionit. Këtë mision është i vendosur që ta realizojë trajneri Ismet Munishi.

Munishi shpreson që të përsërisë suksesin e vitit 2014, kur ishte shpallur kampion me Llamkos Kosovën. Ai mbetet titulli i vetëm i kampionit për vushtrriasit dhe për Munishin si trajner.

Për KOHËN, Munishi ka thënë të enjten se është shumë i përkushtuar që të realizojë objektivin që ka Gjilani.

“Bindja krijohet. Ne kemi pasur besimin dhe jemi nisur drejt kësaj rruge që para edicionit edhe pse e kemi ditur që gjatë rrugës do të hasim në vështirësi. Ky klub, ky qytet, këta tifozë dhe ky president e meritojnë një titull. Jam i përkushtuar maksimalisht drejt realizimit të këtij objektivi dhe shpresojmë shumë se në fund do të arrijmë ta sigurojmë një gjë të tillë”, tha Munishi.

Ai konfirmon se do të luftojnë në të dyja frontet, në kampionat dhe në kupë. Të mërkurën, Gjilani u kualifikua në rrethin e tretë të Kupës, pas fitores ndaj A&N, 1:0, si mysafir.

“Objektivat i kemi madhorë. Synojmë të marrim maksimumin nga ky edicion dhe ne do të luftojmë për të gjitha”, u shpreh Munishi.

Trajneri Munishi është shumë i kënaqur me ecurinë e skuadrës në këtë kampionat, por mendon se kanë mundur të bëjnë edhe më shumë. Sipas tij, kanë ndikuar edhe disa faktorë të jashtëm.

“Sigurisht që jemi të kënaqur me këtë ecuri edhe pse kemi mundur të bëjmë më shumë, sepse ne gjithmonë kërkojmë më tepër. E thashë që gjithmonë mund të bëhet më mirë, por te rezultatet tona kanë ndikuar edhe disa faktorë të tjerë, të cilët i dinë i gjithë opinioni publik dhe presim që edhe nga këta të fundit të pasqyrojnë realitetin e futbollit kosovar, pasi që një skuadër si Gjilani e meriton një gjë të tillë, gjithmonë duke e pasqyruar realitetin”, deklaroi i pari i shtabit teknik të gjilanasve.

“Gjilanin po e veçon karakteri dhe dëshira për të triumfuar. Vetë fakti që kemi kthyer në disa ndeshje rezultatin, tregon më së miri për karakterin e këtij grupi”.

Munishi synon vendin e parë në vjeshtë dhe, sipas tij, Gjilani është klubi më i organizuar në Kosovë.

“Qëllimi ynë është më i madh dhe objektivi është më i largët. Do të japim maksimumin që ta mbyllim vjeshtën në mënyrë sa më të mirë të mundshme. Është klubi më i organizuar dhe e shohim në fund të sezonit. Por mund të them lirisht që Gjilani është klubi më i organizuar në vend”.

Ndër momentet më të veçanta deri më tani, Munishi i vlerëson dy fitoret ndaj Dritës.

“Derbi fitohet për tifozë dhe për këtë ndihem shumë krenar. Shpresojmë që do t’i gëzojmë edhe shumë herë të tjera këtë sezon”.

Gjilani është ekipi me më së shumti barazime në Superligë. Ka barazuar tetë herë deri me tani, karshi shtatë fitoreve dhe një disfate.

Në 16 ndeshje të luajtura deri më tani, gjilanasit kanë shënuar 19 gola dhe kanë pranuar 12. Kanë mbrojtjen e dytë më të mirë në ligë pas Dritës, që ka pranuar dhjetë gola. Në xhiron e 17-të, Gjilani do të jetë nikoqir i Malishevës.