Sport

Munishi e Haliti besojnë se Kosova mund ta befasojë Islandën, shpresat te Besart Berisha

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, do të përballet të premten me Islandën në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2018.

Pavarësisht që kosovarët nuk llogariten favorit për ta fituar këtë ndeshje, dy trajnerët kosovarë, Kushtrim Munishi dhe Gazmend Haliti, besojnë se Kosova mund ta befasojë Islandën.

Në një intervistë për Sportin në KTV, ish-trajneri i Prishtinës, Munishi, thotë se përballja me islandezët do të jetë e vështirë, por ai beson në një Kosovë të paparashikueshme.

Ndërkaq, trajneri tjetër i futbollit kosovar, Gazmend Haliti, thotë se presioni do të jetë te Islanda dhe kjo mund ta ndihmojë shumë Kosovën.

Munishi dhe Haliti, të gjitha shpresat i kanë te sulmuesi, Besart Berisha, i cili pritet të debutojë.

Dy emrat e njohur në futbollin e Kosovës, që janë shquar edhe si lojtarë, kanë parashikuar edhe rezultatin final të ndeshjes.

Ndryshe, Kushtrim Munishi së fundmi është emëruar trajner i Kosovës U19 për femra, kurse Gazmend Haliti që një kohë është trajner i Kosovës U15 në konkurrencën e meshkujve.

Përballja e Kosovës kundër Islandës, është e pesta në kualifikimet e Botërorit “Rusia 2018”.

Në katër ndeshjet e luajtura deri me tani, Kosova ka një barazim me Finlandën dhe me tri humbje nga Ukraina, Kroacia dhe Turqia, humbje që e renditin Kosovën në vendin e fundit në Grupin I.