Sulmuesi i krahut, Arbnor Muja befasoi të gjithë me vendimin për të ardhmen e tij. Kur të gjithë prisnin që Muja të vazhdonte karrierën jashtë Kosovës, ai vendosi që edhe për një sezon të jetë pjesë e elitës së futbollit kosovar. Nga Trepça ’89, ekip që në edicionin e ri do të garojë në Ligën e Parë, Muja u transferua te skuadra e Dritës. Dhe, synimi i tij është që me Dritën ta fitojë titullin e kampionit të Kosovës.
E debutimi i Mujës me fanellën e Dritës ishte fantastik. Ai zyrtarisht e bëri debutimin me ekipin gjilanas në kupat e Evropës, saktësisht në ndeshjen e parë të raundit të parë të Ligës së Konferencës. Në ndeshjen e parë të Dritës në Evropë kundër Deçiqit, Muja ishte më i dalluari në fushë. Drita e fitoi duelin e parë të luajtur javën e shkuar në stadiumin “Fadil Vokrri” me rezultatin 2:1, kurse Mujës i mungoi vetëm goli pavarësisht rasteve të shumta. Megjithatë, ai asistoi në golin e fitores të Dritës, të cilin e realizoi sulmuesi Darko Simonovski. Pas ndeshjes, Muja mori lëvdata edhe nga trajneri i Deçiqit të Malit të Zi.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Dritës, dhe mund të them që një debutim të tillë nuk e kam pritur aspak. Megjithatë, unë vetëm u përpoqa të jepja më të mirën nga vetja për ta ndihmuar ekipin. Kështu që, si unë ashtu edhe ekipi në përgjithësie patëm një paraqitje të mirë”, është shprehur Muja për KOHËN.
“Mirëpo, do të jap edhe më shumë nga vetja në ndeshjet e ardhshme dhe për këtë jam shumë i bindur”.
Muja ka pranuar se nuk i kanë munguar ofertat nga jashtë, dhe ka arsyetuar vendimin e tij për të qëndruar në futbollin e Kosovës edhe për edicionin 2021/22. Ai thotë se te Drita do të zhvillohet edhe më shumë përpara se ta bëjë hapin e madh për të luajtur diku në Evropë.
“Po, është e vërtetë që ofertat nuk më kanë munguar nga jashtë. Mirëpo unë isha i vendosur që ta bëja edhe një sezon të mirë në Kosovë, me një ekip si Drita që pretendon titullin e kampionit. Poashtu, te Drita do të fitoj edhe më shumë përvojë ndërkombëtare dhe pastaj do ta bëj hapin e duhur duke u transferuar diku në Evropë”, u shpreh Muja.
Nënkampionia e Kosovës në futboll, Drita, e fitoi edhe ndeshjen e kthimit ndaj Deçiqit me rezultatin 1:0, të cilën e luajti në Podgoricë. Muja edhe në këtë ndeshje pati paraqitje të mirë, por i mungoi goli. Me rezultatin e përgjithshëm 3:1 ndaj Deçiqit, skuadra e Dritës ka vazhduar aventurën në nivelin e tretë të garave të UEFA-s. Është kualifikuar në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, ku do të ketë punë me skuadrën e madhe nga Holanda, Feyenoord.
E ndaj ekipit holandez, Muja pranon se do të jetë shumë vështirë. Mirëpo ai insiston se Drita do ta synojë befasinë.
“Përballë në raundin e dytë të Ligës së Konferencës e kemi ekipin e Feyenoordit. Është një ekip i fortë evropian dhe nuk do të jetë aspak lehtë. Mirëpo ne si ekip do të japim më të mirën nga vetja në të dyja ndeshjet. Shpresoj të kemi paraqitje dinjitoze dhe të bëjmë befasinë”, u shpreh Muja.
“Kalimin në raundin e dytë ua dedikojmë tifozëve tanë, ‘Intelektualëve’, që nuk kanë mundur të na përkrahin në tribuna ndaj Deçiqit për shkak të kufizimeve. Por në ndeshjen me Feyenoordin, ne presim ta kemi mbështetjen e tyre nga afër, që besoj se do të jetë shumë e rëndësishme për ne”.
Ndeshjen e parë ndaj Feyenoordit, skuadra e Dritës e luan më 22 korrik në stadiumin e Prishtinës derisa duelin e kthimit e luan pas një jave në Holandë.
Megjithatë, Muja ka pranuar se synimi kryesor i Dritës në edicionin e ri, është titulli i kampionit. Superliga e Kosovës nis muajin e ardhshëm dhe Muja beson se Drita do të jetë e gatshme për t’i sfiduar të gjitha ekipet për titull.
Në fakt, titulli i kampionit është edhe synimi personal i Mujës, i cili dëshiron të fitojë trofe përpara se të vazhdojë karrierën jashtë kufijve.
“Synimi kryesor me Dritën është titulli i kampionit, gjë që besoj se do ta arrijmë. Kemi ekip të mirë dhe të gjithë jemi të motivuar për ta kthyer titullin në qytetin e Gjilanit”, është shprehur Muja.
Sezonin e kaluar, Muja ishte ndër lojtarët më të dalluar te Trepça ’89, ekip që nuk arriti të sigurojë mbetjen në Superligë. Ai realizoi tetë gola me fanellën e ekipit nga Mitrovica në elitë. Në fakt, 89-shi u mposht në ndeshjen e barazhit nga skuadra e Dukagjinit pas penalltive. Me fanellën e Dritës në kampionatin e Kosovës, Muja do të debutojë kundër Feronikelit, që do të jetë kundërshtar në xhiron e parë të sezonit të ri, i cili starton më 21 gusht.