Sport

Moyesi në bisedime për ta marrë drejtimin e Evertonit

Moyes

David Moyes është në bisedime me Evertonin për një kthim të mundshëm në “Goodison Park”, pas shkarkimit të Sean Dychet. 

Marrëveshja ende nuk është zyrtare dhe Moyes nuk është i vetmi kandidat. 

Por, “BBC” ka mësuar se skocezi e kryeson listën për këtë detyrë. 

Negociatat për kontratën me të pritet të nisin të premten. 

Ish-trajneri i Burnleyt, Dyche, u shkarkua të enjten. 

Evertoni në Premier League është i 16-ti, me vetëm një pikë më shumë se zona që dërgon një kategori më poshtë në futbollin anglez. 

Evertoni ka fituar vetëm tri nga 19 ndeshje të ligës në edicionin aktual. 

Moyes e drejtoi Evertonin nga viti 2002 deri në vitin 2013. 

Ai po ashtu e udhëhoqi West Ham Unitedin në triumfin e Ligës së Konferencës në vitin 2023, por është pa punë qëkur u largua në fund të atij edicioni.