Nuk ka shumë raste kur motër e vëlla luajnë për përfaqësueset e Kosovës. Xhudistët mburren me sukseset e Nora e Akil Gjakovës, kampiones olimpike dhe kampionit evropian. Ka edhe disa raste të tjera kur motër e vëlla kanë arritur në ekipet përfaqësuese, por jo edhe shumë.
Në hendboll aktualisht më të suksesshmit janë Njoma e Shaban Zogaj. Të dy bëjnë karrierë në Danimarkë. Njoma debutoi vjet te Kosova. Menjëherë u bë prej lojtarëve kryesorë. Kosova e kishte kërkuar gjatë këtë hendbolliste që vjet u pajtua të luajë për përfaqësuese. Ajo luan për Aalborgun në kategorinë e dytë daneze.
Tek Aalborgu po zhvillohet edhe Shaban Zogaj, që pas pak ditësh mbush 20 vjet. Ai ndoqi rrugën e motrës dhe në pjesën e dytë të vitit të kaluar u bashkua me Kosovën. Erdhi si talent premtues, por menjëherë mori përgjegjësi në përfaqësuese.
Më 12 janar, në ndeshjen kualifikuese për Botëror ndaj Turqisë, Shaban Zogaj pësoi lëndim të rëndë të gjurit. Ai nuk mundi të luante në ndeshjen vendimtare të Kosovës ndaj Belgjikës më 15 janar. Kontrollimet mjekësore treguan se Shaban Zogaj ka pësuar lëndim të ligamentit.
“Do të operohem së shpejti. Më pas më pret fazë e gjatë e rikuperimit”, ka thënë Shaban Zogaj për KOHËN.
Pas operimit të ligamenteve, hendbollistët pushojnë deri në një vit.
Shaban Zogaj edhe më herët ka pasur lëndim të gjurit që e ka mbajtur gjatë jashtë fushës së lojës.
Dy lëndime të rënda tashmë i ka kaluar edhe Njoma Zogaj. Ajo javën e kaluar pësoi lëndim të meniskut dhe menjëherë iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjike.
“E kam lënduar pak edhe ligamentin. Tani më pret një pauzë më e gjatë, diku 5-6 muaj ndoshta. E kam lënduar këmbën e majtë këtë herë”, ka thënë Njoma Zogaj për KOHËN.
Ajo më herët kishte tjetër lëndim të gjurit e po ashtu një lëndim serioz të kokës për shkak të një përplasjeje të rrezikshme me një bashkëlojtare.
Kosova, si te meshkujt ashtu edhe te femrat, nuk ka së shpejti sfida zyrtare. Ndërkohë në FHK kanë konfirmuar se llogarisin shumë në shërbimet e Njoma e Shaban Zogajt për të ardhmen.
Për shkak të një lëndimi të gjurit, nga loja aktualisht po mungon Arlinda Hajdari. Ajo bën karrierë te Ringkobingu në elitën daneze. 20-vjeçarja ishte lënduar derisa luante për Kosovën, verën e kaluar. Arlinda luan te Kosova së bashku me motrën më të madhe, Marigonën. Janë dy prej lojtareve kryesore.