Sport

Morina premton luftë deri në minutën e fundit për ta mbajtur Arbërinë në Superligë

Prishtinë, 21 mars – Arbëria nga Dobraja e Lipjanit ishte befasia më e madhe e stinorit vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll. Pjesën e parë të kampionatit e kishte mbyllur në vendin e gjashtë me 21 pikë, ani pse fillimi ishte shumë i mirë.

Por kjo skuadër nuk po kalon momente të mira në stinorin pranveror, duke arritur vetëm një fitore. Ia doli ta mposhtë Besën si mysafire, 3:0, ndërkohë pësoi katër humbje dhe arriti tri barazime. Disfatën e fundit e pësoi të dielën në udhëtim te Llapi me rezultat 4:3.

Në tetë ndeshje, ekipi lipjanas ka pranuar 20 gola dhe ka shënuar 11. Të gjitha këto rezultate kanë bërë që Arbëria të renditet në vendin e tetë, që në fund të kampionatit dërgon barazh. Por me ritmin aktual të rezultateve rrezikon të bjerë në vendin e parafundit dhe të largohet nga elita.

Krahas formës jo të mirë në kampionat, Arbëria e trajnerit Arbnor Morina u eliminua edhe nga Kupa në fillim të këtij viti, ku u mposht nga Feronikeli në shtëpi.

Arbëria ndeshjet si vendës nuk i luan në Dobrajë e as në Lipjan. Katër fusha si vendës i ka ndërruar në këtë kampionat. Së pari Arbëria luajti në Obiliq, pastaj u zhvendos në stadiumin e Flamurtarit në Prishtinë. Sinorin pranveror si vendëse e nisi në stadiumi e Ferizajt, kurse në javën e shkuar u zhvendos në Podujevë në stadiumin “Zahir Pajaziti”. Kjo arenë do të jetë shtëpia e Arbërisë për ndeshjet e mbetura të sezonit.

Trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina, ka treguar për KOHËN tri problemet kryesore me të cilat po përballet skuadra që drejton. Sipas tij, problemet nuk janë justifikim për rezultatet jo të mira në stinorin pranveror.

“Nuk është fillim i mirë i stinorit pranveror, por jo vetëm për fajin tonë. Si ekip jemi dëmtuar disa herë. Nuk e kemi ngritur zërin asnjëherë dhe nuk jemi ankuar, pasi prej fillimit jemi bazuar vetëm në forcat tona. Një fakt tjetër është se jemi pa shtëpinë tonë që nga fillimi i kampionatit. Në fillim nuk është marrë shumë seriozisht, por me kalimin e kohës është parë se është problem i madh të luhet tërë kohën si mysafir. E treta, janë lëndimet në momentin më të keq për ne. Asnjërën nga këto nuk e them si justifikim, por si një të vërtetë të hidhur”, tha Morina. Ai shtoi se në disa ndeshje Arbëria ka humbur edhe atëherë kur ka dominuar. Kurse në disa ndeshje e pranon se u ka munguar eksperienca.

Morina foli edhe për numrin e madh të golave të pësuar. Sipas tij, duhet të punohet shumë me lojtarët, pasi gabimet kanë qenë individuale dhe kanë ardhur aty ku është punuar më së shumti.

“Golat e pranuar janë si pasojë e gabimeve individuale në pjesët ku është stërvitur më së tepërmi, që tregon për një barrë psikologjike te lojtarët për të cilët me këmbëngulësi duhet të punojmë që të përmirësohemi. Të gjithë kanë folur fjalë të mëdha për Arbërinë, por ne duhet të punojmë dhe të përmirësohemi”, theksoi Morina.

Ai beson se pushimi që do ta kenë në kohën kur do të luajnë përfaqësueset, do të jetë pozitiv për skuadrën. Morina premton se do të luftojnë deri në minutën e fundit për të mbajtur Arbërinë në Superligë.

“Pushimi për ne është i mirëseardhur që të rikuperohen të lënduarit dhe te përgatisim lojtarët për të zëvendësuar të zverdhurit. Natyrisht derisa të bjerë fishkëllima e fundit e referit në xhiron e fundit ne do të luftojmë për të realizuar qëllimin tonë në të cilin besojmë të gjithë”, përfundoi Morina.

Arbëria ka 27 pikë pas 26 xhirove të luajtura dhe renditet e teta. Ka pikë të njëjta me Drenicën që është nënta, pozitë që në fund të kampionatit dërgon në Ligën e Parë. Përveç Arbërisë, në garë për mbijetesë janë edhe Feronikeli, që zë vendin e shtatë me 31 pikë, Trepça ’89, që është e gjashta me 32 sosh, Llapi, që zë pozitën e pestë me 33 pikë, dhe Gjilani që është i katërti me 36 pikë. Distanca me pikë mes vendit të katërt dhe të nëntë është nëntë pikë, ndërkohë deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe dhjetë xhiro. Në lojë janë edhe 30 pikë. Ndërkohë, Besa renditet e fundit me vetëm dhjetë pikë të mbledhura dhe pa gjasa për të mbetur pjesë e Superligës për edicionin tjetër.