Në ditën kur Diego Costa udhëtoi te Atletico Madridi për të kompletuar transferimin prej 65 milionë eurosh, zëvendësimi i tij, Alvaro Morata, shënoi “hat-trick”. Ai i solli Chelseat fitore të thellë, 4:0, ndaj Stoke Cityt të shtunën, duke shënuar fillimin e një epoke të re për kampionët anglezë.
Ishte tregolëshi i parë për një lojtar të Chelseat në Premier League qëkur Costa kishte shënuar një në shtator të vitit 2014, por ishte i dyti brenda javës, pasi Michy Batshuayi realizoi tre gola të mërkurën në fitoren ndaj Nottingham Forestit në League Cup, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.
Golin e parë Morata e shënoi pas vetëm dy minutave, ndërsa të dytin duke shfrytëzuar një gabim të Glen Johnsonit afër vijës së gjysmës dhe duke e kaluar me shpejtësi para se të realizojë në minutën e 77-të. Në minutën e 82-të kompletoi “hat-trickun” pas një bashkëveprimi me Cesar Azpilicuetan.
Morata ka arritur në shifrën e gjashtë golave në Premier League, ndërsa tre golat e parë i kishte shënuar me kokë.
“Ne kemi dërguar një mesazh të mirë te të gjithë në Premier League. Chelsea është në luftë për titull dhe kjo është gjëja që donim. Ne arritëm fitoren dhe tash shikojmë para në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Morata 24-vjeçar, që është transferuar këtë verë nga Real Madridi... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.