Sport

Momenti i xhudos, për tri ditë barazohet rekordi i dhjetë vjetëve

Është dashur të kalojë kohë që xhudistët kosovarë të fitojnë të drejtën të garojnë në turnetë e nivelit “Masters”. Bëhet fjalë për turne të veçantë, ku jo të gjithë e kanë të drejtën e pjesëmarrjes. Është turne që mbledh vetëm më të mirët nëpër kategori. Këtë vit, për shembull, të drejtë të paraqitjes kishin vetëm 36 më të mirët në secilën kategori.

Për kohë të gjatë të drejtën e paraqitjes prej xhudistëve kosovarë e kishte vetëm Majlinda Kelmendi. Sivjet të drejtën e kishin plot katër xhudiste dhe një xhudist. Kjo, ndër të tjera, dëshmon për rritjen e nivelit nga ekipi i Kosovës në xhudo.

Trajneri Driton Kuka çmon suksesin që këtë javë nxënësit e tij e arritën në “Mastersin” në Doha të Katarit. Ka një arsye të fortë për këtë. Brenda tri ditëve, përkatësisht të hënën e të mërkurën, xhudistet kosovare kanë fituar numër të njëjtë medaljesh në “Masters”, sa ishin fituar në dhjetë vjetët e kaluar. Distria Krasniqi fitoi të artën të hënën, ndërsa Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova fituan medalje të bronzta. Të mërkurën medalje të bronztë fitoi Loriana Kuka, kurse të martën në vend të shtatë u rendit Akil Gjakova.

Majlinda për herë të parë në “Masters”, sipas të dhënave zyrtare, ka garuar në vitin 2011. Ishte renditur e pesta, njëjtë si një vit më vonë. Në maj të vitit 2013 në Tyumen të Rusisë kishte fituar të artën. Për shumë arsye, kryesisht për shkak të lëndimeve, ajo nuk ka garuar në “Masters” deri të hënën, kur fitoi të bronztën në kategorinë deri 52 kilogramë.

Distria Krasniqi në vitin 2017 u rendit e shtata. Në vitin 2018 nisi serinë impresive. Fitoi të artën në Guangzhou. Këtë sukses e përsëriti po në Kinë, në Qingdao në vitin 2019 dhe tani në Doha. Vjet “Mastersi” nuk është mbajtur fare.

Nora Gjakova në vitin 2017 nuk kishte plasman në St. Petersburg. Në vitin 2018 u rendit e dyta, ndërsa pa plasman mbeti edhe në vitin 2019. Tani u rendit e treta, që është sukses me shumë peshë.

Loriana Kuka në debutim në “Masters” fitoi medaljen e bronztë. Ndërsa Akil Gjakova është në pritje të medaljes së parë. Në vitin 2018 ishte i shtati, në vitin 2019 ishte i pesti e sivjet prapë i shtati.

Vetë paraqitja në “Masters” dëshmon se xhudisti ka nivel. Pa suksese nëpër gara nuk mund të grumbullohen pikët që sigurojnë plasman në pjesën e epërme të ranglistës botërore.

“Mastersi” i këtij viti vlerësohet të ketë qenë shumë i fortë. Dhe paraqitja e xhudisteve kosovare ishte në këtë nivel. Në vitin olimpik, “Mastersi” fiton në peshë për shkak të numrit të madh të pikëve për ranglistën botërore që ofron. Është gara që ofron më së shumti pikë pas Botërorit. Dhe xhudistët më të mirë kanë marrë pjesë me synim për të përmirësuar pozitën para Olimpiadës së Tokios.

“Për këtë kohë pandemie, konkurrenca ishte e pabesueshme. Askush nuk ka pritur diçka të tillë. Ishte ajka e xhudos botërore. Për shembull te Loriana ishin më të mirat, e po ashtu tri franceze, që nuk ndodh në Olimpiadë, pasi në kategori lejohet nga një garues për shtet. Ishte edhe japonezja cilësore, dy holandeze, dy ruse, dy gjermane. Ishte komplet përbërja që do të jetë pretendente për Olimpiadë. Njëjtë ishte te Distria, njëjtë te Nora. Te Majlinda nuk ishte Abe, por ishte Shishime, japonezja tjetër, dhe gjithë të tjerat. Kjo nuk ka ndodhur kurrë. Te Akili është konkurrencë e jashtëzakonshme gjithnjë. Të fitohen katër medalje në një konkurrencë të tillë është e veçantë ”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka për KOHËN.

Në listën e medaljeve Kosova u rendit e gjashta, pas Francës, Koresë së Jugut, Japonisë, Gjeorgjisë dhe Holandës. Por ka lënë prapa superfuqi të xhudos, si Rusia, Azerbajxhani, Izraeli, Gjermania, Mongolia e disa të tjera.

“Është e jashtëzakonshme se çfarë shtetesh kemi lënë mbrapa, kur dihet se kanë ardhur me më të mirët. Jam shumë i kënaqur, është goxha i pabesueshëm ky rezultat. Është një lehtësim për mua, pasi po e shoh që po vijnë frytet e punës së madhe që kemi bërë në pandemi, që puna që kemi bërë kur ishte më së vështiri nuk po shkon huq”, ka shtuar Kuka.

Xhudistët i kthehen punës për t’u përgatitur për garat E tjera. Orari është mjaft i ngjeshur deri në korrik, kur është gara në Lojërat Olimpike. Paraqitja në Doha jep shpresë të madhe tek ekipi për medalje olimpike edhe në Tokio.