Kanë kaluar tre vjet prejse talenti i Almir Kryeziut doli në pah në futbollin e Kosovës. Shpejtësia dhe guximi për depërtime në zonë ishin prej cilësive me të cilat shquhej.
Kryeziu i Ballkanit, kampionit të dy edicioneve të fundit në Kosovë, duelin e shpejtësisë e fitoi edhe me një mbrojtës të Dinamos së Zagrebit, të enjten në mbrëmje. Nuk priti dhe gjuajti fuqishëm. Topi përfundoi në rrjetë, por gjyqtari anësor kishte ngritur flamurin për pozitë jashtë loje. Pati dëshpërim te Kryeziu, por edhe gëzim pas pak kohësh.
Pas rishikimit të situatës në VAR, gjyqtari sinjalizoi se goli ishte i rregullt. Ishte goli i parë i Kryeziut në fazën grupore të Ligës së Konferencës.
Kryeziu shënoi për 1:0 derisa Ballkani arriti fitore historike ndaj Dinamos. 2:0 ishte rezultati në fund.
“Vetëm po e shikoja arbitrin që të bënte me dorë se goli ishte i rregullt. Nuk po mendoja asgjë tjetër. Gëzimi ishte i papërshkruar. Është goli më i veçantë i imi”, ka thënë Kryeziu të premten për KOHËN.
Rritja e Kryeziut në karrierë ka qenë shumë e shpejtë.
Ai debutoi me Arbërinë e Dobrajës në elitën e futbollit të Kosovës në fitoren ndaj Trepçës ’89, në ndeshjen e parë të edicionit 2020/21. Ishte trajneri Arbnor Morina që i besoi. Arbëria nuk e siguroi mbijetesën në Superligë, por Kryeziu, tani 24-vjeçar, u bë lojtar i rëndësishëm për Dritën e Gjilanit për dy edicione rresht. Në verën e këtij viti vendosi t’i bashkohej Ballkanit.
Karrierë ka bërë te Rahoveci, Liria dhe Xërxa, para se t’i bashkohej Arbërisë.
“Më kujtohet ndeshja ime e parë në Superligë. Patëm fituar kundër Trepçës ’89. Nuk e kam menduar që një ditë do të arrija deri në këtë nivel, ndonëse kam punuar dhe kam sakrifikuar shumë. Periudha te Drita ka qenë shumë e mirë për shkak të pritjes së ngrohtë që ma kanë bërë në qytetin e Gjilanit. Ngrohtë jam pritur edhe te Ballkani, si nga lojtarët ashtu edhe nga i gjithë stafi. Jam ambientuar shpejt në skuadër dhe po kaloj shumë mirë me të gjithë”, ka vazhduar Kryeziu.
Kryeziu luajti deri në minutën e 71-të ndaj skuadrës së madhe kroate.
Ndeshja i takoi Grupit C të Ligës së Konferencës.
“Dinamo është skuadër shumë e madhe, por dhamë 100% nga vetja dhe bëmë lojë shumë të madhe”, thotë Kryeziu, që në këtë edicion ka shënuar edhe dy gola në kualifikime të Ligës së Konferencës ndaj Larnes.
Sulmuesi i krahut synon që të vazhdojë me formë të njëjtë për ta ndihmuar Ballkanin në arritjen e objektivave. Objektivi tani është kalimi i grupit.
Viktoria Plzeni është e para me gjashtë pikë në grup, ndërsa pasojnë Ballkani e Dinamo e Zagrebit me nga tri pikë. Pa pikë është Astana në vendin e fundit.
Nuk do të ketë pushim për Ballkanin, që po dominon në futbollin vendor. Në fundjavë e pret derbi me Prishtinën. Më pas skuadra e Ilir Dajës mund të marrë frymë, për shkak të angazhimit të përfaqësueseve.
Sërish në “Fadil Vokrri” Ballkani e pret Astanan e Kazakistanit më 26 tetor.