Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë sot çmime për pesë sportistë dhe tre trajnerë.
Ministri Kujtim Gashi, tha se është fat i mirë që si Ministri kanë arritur të rrisin buxhetin për sportistët për 120 për qind.
Sipas tij, janë pikërisht karateistët e xhudistët që i kanë sjellë Kosovës suksese.
Ai i inkurajoi sportistët që të vazhdojnë punën e tyre dhe të korrin suksese të mëtutjeshme, teksa shtoi se gjatë kësaj kohe ka pasur vetëm një ngecje, me Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, si neglizhencë e Komunës së Pejës që nuk ka ndarë hapësirën për ndërtimin e objektit.
“Këtë vit ndajmë çmimet dhe ne jemi shumë të vetëdijshëm se puna dhe mundi juaj nuk shpaguhet me mjete financiare, megjithatë, është një motiv shtesë. Sportistët janë ambasadorët e vërtetë të Republikës të Kosovës”, tha ai, raporton Kosovapress.
Ndërsa trajneri i xhudos, Driton Kuka, falënderoi ministrin Gashi për mbështetjen që po u jep sportistëve të vendit.
“Kam qenë protagonist i përmirësimit të kushteve për sportistët. Komunat nuk përkrahin as 5 për qind të sportistëve, krahasuar me mbështetjen që marrim nga niveli qendror. Komuna e Pejës, prej nga vjen një kampione e madhe, nuk ka bërë asgjë për Qendrën Nacionale të Xhudos”, u shpreh ai.
Emrat e të shpërblyerve:
Isak Curri- trajner i karateistes Albulena Gërvalla
Muhamet Rexhepi - trajner i sportistit Molos Gashi
Driton Kuka – trajner i xhudos
Akil Gjakova - xhudist
Loriana Kuka - xhudiste
Erza Muminoviq - xhudiste