Sport

MKRS-ja pranon lëshimet, aplikacionet për sport kthehen në rivlerësim

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka pranuar se nuk janë ndarë drejt paratë për sportin, të parapara sipas Pakos së Ringjalljes Ekonomike. MKRS-ja të premten e kaluar publikoi listën e 234 përfituesve nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike. Shumica e përfituesve janë klube sportive, por ka edhe Federata e po ashtu organizata të ndryshme joqeveritare. Janë ndarë plot 1.9 milionë euro, ndërsa shumica e klubeve kanë përfituar nga 3000 euro.

Por kishte klube që përfituan mbi dhjetë herë më shumë, e po ashtu organizata që përfituan deri në 134 mijë euro. Kishte reagime të menjëhershme për mënyrën se si është ndarë ky fond, kryesisht nga komuniteti i volejbollit, notit dhe disa sporteve të tjera.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga MKRS-ja menjëherë pas publikimit të listës. Kërkesën e ka përsëritur disa herë, ndërsa vetëm të enjten MKRS-ja ka kthyer një përgjigje të shkurtër.

“Procesi është kthyer në rivlerësim për projektet për të cilat ka ankesë që nuk janë vlerësuar siç duhet dhe komisioni përbrenda MKRS-së në një afat sa më të shpejtë do të dalë me rezultate të cilat do të kenë përgjigje edhe për pyetjet që keni parashtruar”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së për KOHËN.

Të mërkurën Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit njoftoi përmes faqes zyrtare se do të bëhet “rivlerësim i thirrjes publike të OJQ-ve në fushën e sportit”.

“Pas publikimit të listës përfundimtare nga thirrja publike për ofrimin e mbështetjes financiare publike për OJQ-të në fushën e sportit (Pakoja e Ringjalljes Ekonomike), në adresë të MKRS-së kanë ardhur shumë ankesa nga shumë OJQ të cilat i kanë paraqitur shqetësimet e tyre lidhur me procedurat për mbështetjen financiare sipas thirrjes publike të cekur më lart. MKRS-ja pas shqyrtimit të ankesave ka vendosur që aplikacionet të kthehen në rivlerësim, gjegjësisht çështjet për të cilat ka pasur kontestime dhe për të cilat janë vërtetuar lëshime procedurale, duke përjashtuar këtu aspektin administrativ. Komisioni për rivlerësim do të angazhohet maksimalisht që ky proces të përfundojë në afat sa më të shpejtë kohor”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Por nuk do të ketë rivlerësim për përkrahjen që është bërë për federatat sportive. Disa prej tyre tashmë kanë pranuar buxhetin që e parasheh kjo përkrahje.

“Nga rivlerësimi përjashtohen federatat sportive, për të cilat MKRS-ja ka të rregulluar financimin në bazë të Ligjit për sport. Federatat sportive të cilat kanë projekte të ndërlidhura me objektivat e thirrjes mund të adresojnë kërkesat e tyre për përkrahje në Departament të Sportit. MKRS-ja është e përkushtuar të sigurojë kritere uniforme të vlerësimit për të gjitha aplikacionet të cilat përmbushin kriteret ligjore, por edhe janë në harmoni me objektivat e thirrjes publike sa i takon aspektit përmbajtjesor të projekteve”.

Komisioni për vlerësimin e projekteve përbëhej nga zyrtarë të MKRS-së. Ka pasur akuza të të pakënaqurve për konflikt interesi, përkatësisht për favorizim të klubeve me të cilat anëtarë të Komisionit dhe zyrtarë të MKRS-së kanë afërsi. Kryetari i Komisionit, Fidan Shatri, nuk është në Komisionin për rivlerësim, ka mësuar KOHA.

Në listën e përfituesve ka pasur klube që nuk janë fare aktive dhe organizata për të cilat dihet fare pak, apo aspak, për kontributin e tyre për sportin. Dhe procesi tashmë është kthyer në rivlerësim, pasi MKRS-ja ka vërtetuar lëshime.

Vetëm pasi lista e përfituesve u bë publike, dolën në pah pakënaqësitë. MKRS-ja ka vendosur të reagojë, pasi në ditët e kaluara ka pasur takime edhe me palë të pakënaqura.

Prej klubeve sportive, dukshëm më tepër se shumica e klubeve kanë përfituar klubi i futbollit të femrave Mitrovica, të cilit iu ndanë 21 mijë e 500 euro. KB Bashkimit iu ndanë 20 mijë euro, ndërsa KV Dritës (femrat) 23 mijë euro. Nga 10 mijë iu ndanë klubit të notit Prishtina dhe klubit të sporteve elektronike XPortal. Dy klubeve të tjera të sporteve elektronike u janë ndarë nga 5000 euro, ndonëse shumica e klubeve sportive me nga dhjetëra sportistë në përbërje përfituan nga 3000 euro.

25 mijë euro janë planifikuar për Sigal Prishtinën, klubin e basketbollit, për pjesëmarrje në Ligën Ballkanike. Ligën Ballkanike nuk e prezanton fare Federata e Basketbollit e Kosovës. 10 mijë euro iu ndanë edhe KH Vushtrrisë (femrat), ndërsa plot 37 mijë klubit të futsallit Liqeni. KB Istogut, që garon në kategorinë e dytë, iu ndanë, sipas vendimit, 15 mijë euro, ndërsa KB Dritës pesë mijë euro. Për klubin skitar Prishtina, po ashtu ishte planifikuar një hise e madhe prej 24 mijë eurove, ndërsa klubit të notit STEP plot 18 mijë euro. KH Istogut (femrat) iu ndanë, sipas vendimit, 7600 euro, ndërsa KV Kastriotit 4200 euro. Mbi 6000 euro ishte vendimi për mbështetje të klubeve të basketbollit Prishtina e Re e Kastrioti (femrat). KB Trepçës (femrat) iu ndanë 5000 euro. Klubit të basketbollit Prishtina (femrat) për të cilin dyshohet se ka konflikt interesi iu ndanë afro 35 mijë euro, pra mbi dhjetëfish më shumë se shumicës së klubeve. KF Ulpianës i takuan 11 mijë euro, e KF Ramiz Sadikut 17 mijë euro. KB Trepçës i janë ndarë 20 mijë euro, ndërsa klubit të xhudos Ipponi, 26 mijë euro.

Madje një klubi veteranësh nga Prizreni i janë ndarë afro shtatë mijë euro. 21 mijë e 300 euro i kanë takuar, sipas vendimit, klubit të notit H2O.

Por këto vendime më nuk vlejnë. Do të ketë rivlerësim.

Me gjasë do të ketë rivlerësim edhe për paratë e ndara për organizatat, pra jo për klubet sportive. Ka shumë paqartësi për projektin e “Center for Health, Education and Inclusion Cohesion – Mitrovicë”. Me plot 134 mijë e 740 euro është mbështetur projekti i kësaj organizate, për të cilën nuk dihet thuajse asgjë.

50 mijë euro të tjera nga fondi i “Ringjalljes Ekonomike” është dashur të shkonin për organizatën “Pl4y International”, për projektin “Kosovo Players”.

MKRS-ja, ndonëse është pyetur nga KOHA, nuk ka dhënë informata për këtë mbështetje, që tashmë është në rivlerësim.