Sport

MKRS-ja nuk ka buxhet shtesë për Pakon Emergjente

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk ka buxhet shtesë për Pakon Emergjente. Këtë e ka bërë të ditur të enjten drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj.

Në Pakon Emergjente Fiskale të Qeverisë së Kosovës, për të cilën ishte njoftuar me 30 mars, parashihet ndarja e pesë milionë eurove për kulturë dhe sport.

Në njoftim shkruan: “Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për evitimin e situatës së krijuar nga situata e emergjencës së shëndetit publik në aktivitetet sportive dhe kulturore, në vlerë prej pesë milionë euro”.

Pak informata janë dhënë prej atëherë, ndërkohë që federatat e klubet nuk kanë gëzuar ndonjë përkrahje emergjente. Në të vërtetë klubet sportive kanë pritur dhe vazhdojnë të presin të përfitojnë nga ky fond.

Alaj të enjten në një video-konferencë të KOK-ut dhe federatave sportive ka lënë të kuptohet se nuk pritet të ketë përkrahje në emër të Pakos Emergjente.

Për Koha.net, Alaj ka thënë se MKRS-së nuk i është ndarë buxhet shtesë për Pako Emergjente dhe në mungesë të mjeteve MKRS-ja nuk mund të bëjë ndonjë ndarje për federatat apo klubet.

“Kurrë nuk ka pasur buxhet shtesë. Momentalisht nuk i kemi ato mjete, nëse alokohen, atëherë ndahen brenda sektorëve të Ministrisë, pra për Sportin, Kulturën, Rininë, Trashëgiminë. Deri në këtë moment nuk i kemi këto para dhe nuk mund të ndajmë diçka që nuk e kemi. Nëse duhet të bëjmë ndryshim buxheti, pra që t’i marrim mjetet nga investimet kapitale për t’i kaluar në subvencione, për këtë kërkohet vendim i kuvendit ose duhet të pritet muaji tetor kur lejohet me ligj të buxhetit që ministri të bëjë ridestinim të buxhetit”, ka thënë Alaj.

Ai ka lënë të kuptohet që MKRS-ja pret që federatat të përkrahin klubet nga buxheti që kanë. MKRS-ja ka nënshkruar memorandume me të gjitha federatat dhe tashmë ka ndarë pjesën e parë të mjeteve për këtë vit.

“Sa i përket propozimit të buxhetit shtesë, në momentin e alokimit të buxhetit në MKRS sipas vendimit të Qeverisë për pakon fiskale, e cila ndryshon strukturën buxhetore të MKRS-së, të cilën duhet ta miratojë Kuvendi i Kosovës që pakoja të përdoret nga MKRS për mbështetje lidhur me pandeminë COVID 19 në fushën e sportit. Por deri në këtë moment nuk e kemi buxhetin emergjent. MKRS-ja përkatësisht Departamenti i Sportit do të analizojë me seriozitet se si duhet kaluar këtë situatë. Kërkesat duhet të jenë reale me qëllim të tejkalimit të situatës së pandemisë. Dihet se aktivitetet e planifikuara sipas kalendarit nuk janë zhvilluar prandaj shpenzimet janë zvogëluar. Do të bëhet një analizë për rikthimin e sportit në normalitet”, ka theksuar Alaj.