Sport

Miqësorja historike e futbollit, e planifikuar për afrimin e dy shteteve

Londër, dhjetor (BBC) – Paris, 11 korrik 1998. Në prag të finales së Kupës së Botës, në një dhomë, në katin e parë të një ndërtese në Champs-Elysees, lindi një ide për një miqësore futbolli që do të çonte në kërcënime me vdekje, një mashtrim të FBI-së dhe mbyllje të hapësirës ajrore amerikane.

Atë natë, një ngjarje për gazetarë e organizuar nga Federata e Futbollit të SHBA-së për të promovuar organizimin e Kampionatit Botëror të Femrave në vitin 1999, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte në zhvillim e sipër. Ndërsa biseda mes pjesëmarrësve po zhvillohej normalisht, dy persona u gjendën ballë për ballë.

Mehrdad Masoudi ishte një iranian që po i afrohej fundit të mandatit si drejtor i komunikimit në Federatën e Futbollit të Kanadasë. Hank Steinbrecher ishte sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të SHBA-së. Në federatat dhe konfederatat e futbollit, shumë pak gjëra ndodhin pa nënshkrimin e sekretarit të përgjithshëm.

Tri javë më herët, të dy kishin qenë në Lyon për të parë Iranin duke mposhtur SHBA-në me rezultatin 2:1. Ky takim ishte në kuadër të fazës së grupeve të Botërorit “Franca 98” dhe ishte një nga lojërat më të ngarkuara politikisht në historinë e Kupës së Botës për shkak të armiqësisë midis kombeve. Irani ishte nën sanksionet e SHBA-së, qëkur 52 diplomatë u morën peng në Ambasadën amerikane në Teheran, në vitin 1979, viti i Revolucionit Islamik që rrëzoi monarkun iranian proamerikan, Mohammad Reza Shah. Por ditën e ndeshjes, në një fjalim presidencial të SHBA-së, Bill Clintoni tha se shpresonte se ndeshja do të ishte një hap drejt “përfundimit të largimit midis kombeve tona”. Ndërkohë, para fillimit, lojtarët amerikanë morën dhurata nga kundërshtarët e tyre. Pavarësisht rezultatit, ndeshja kishte qenë një triumf diplomatik dhe rasti ishte ende i freskët në mendjet e Masoudit dhe Steinbrecherit kur ata u takuan, megjithëse për arsye të kundërta.

“Unë i thashë: ‘Hank, po sikur ta përsërisësh atë?’”, kujton Masoudi, i cili kishte lidhje me futbollin iranian dhe donte të ndihmonte në aranzhimin e një ndeshjeje tjetër midis kombeve. “Ndeshje brenda dhe jashtë vendit. Irani të vijë në SHBA vitin e ardhshëm, në përvjetorin e kësaj ndeshjeje, dhe ju të shkoni në Iran vitin pasues”.

Steinbrecheri e pëlqente idenë. Dhe ai gjithashtu pa një mundësi tjetër.

“Ndeshja e Kupës së Botës me Iranin ishte disfata më e rëndë gjatë mandatit tim”, thotë ai. “Ne e qëlluam shtyllën tri herë”.

Afrimi përmes sportit

Ekzistonte edhe shpresa për afrimin e Iranit dhe SHBA-së përmes sportit, pasi e ashtuquajtura “diplomaci pingpongu” kishte afruar shumë amerikanët me Kinën në vitet ‘70.

Me një shtrëngim duarsh midis Masoudit dhe Steinbrecherit, topi do të rrokullisej. Tani ata duhej të sfidonin forcat politike të grumbulluara kundër tyre dhe ta realizonin marrëveshjen.

“Fati i bashkoi të dy ekipet për të luajtur ndeshjen e botërorit 1998”, kujton Masoudi. “Këtë herë njëra palë duhej t'ia dërgonte një ftesë tjetrës, e cila duhej ta pranonte, dhe pastaj të dyja palët duhej të merreshin me qeveritë e tyre”.

Kushti i parë, më i ndjeshëm dhe krejtësisht i panegocueshëm, i vendosur nga iranianët, ishte një heqje dorë nga një kusht, që do të përjashtonte delegacionin nga gjurmët e gishtave dhe fotografimi pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara.

“Unë kam parë gjyshe 80-vjeçare duke kaluar atë, pashë edhe nënën time”, thotë Masoudi. “Për dikë që nuk është mësuar me të, ndihet sikur po trajtohet si një kriminel. Unë i thashë Hankut se duhej të fliste me Departamentin e shtetit dhe imigracionit në SHBA për të bërë një përjashtim”.

Për Steinbrecherin, ky ishte momenti i kuptimit që një ide e shkëmbyer në Paris do të kërkonte negociata të mundimshme dhe do të shkaktonte probleme përpara se të realizohej në Kaliforni.

“Ndihej sikur ishte në presion pothuajse çdo orë. Ai kërkonte që gjurmët e gishtave të mos u kërkoheshin lojtarëve të Iranit e as zyrtarëve të tjerë, duke shtuar se nëse gjatë ndeshjes do të shfaqeshin reklama të alkoolit brenda stadiumit, ata nuk do të luanin”, thotë Steinbrecher. “Kishte shumë, shumë pengesa për të kapërcyer”.

Fillimisht ndeshja e parë u vendos të luhej në verën e vitit 1999 në Washington. Simbolika e të luajturit në qytetin e Shtëpisë së Bardhë ishte shumë domethënëse për qeverinë iraniane, e cila nuk e autorizoi ekipin të udhëtonte në Shtetet e Bashkuara. Në vend të kësaj, loja u planifikua për në janar të vitit 2000, në stadiumin “Pasadena Rose Bowl” në Los Angeles, shtëpia e më shumë se 500 mijë iranianëve. Do të ishte ndeshja finale në një turne me katër përfaqësuese, pas miqësoreve me Ekuadorin dhe Meksikën.

Por dy muaj më herët, në nëntor të vitit 1999, çështja e gjurmëve të gishtërinjve ishte bërë një krizë në dukje e pakapërcyeshme.

Thom Meredith, i cili ishte drejtor i ngjarjeve në federatën amerikane, e thirri Masoudin për t’ia dhënë lajmin se një përjashtim nuk mund të sigurohej. Në vend të kësaj, lojtarëve do t’iu gjurmoheshin gishtërinjtë dhe do të fotografoheshin në një zonë private të aeroportit në Chicago.

“Unë i thashë Tomit se absolutisht nuk vjen në konsideratë një gjë e tillë. Ia bëra me dije se nëse iu them atyre, atëherë Irani thjesht do të anulonte miqësoret. Kontrata u nënshkrua me këtë kusht dhe duhej të respektohej”, tregon Masoudi.

Image

Ndërhyrja misterioze

Zgjidhja qëndronte në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, përkatësisht te Zyra e Jashtme. Ai kusht mbeti i pakalueshëm, derisa një ndërhyrje misterioze bëri që iranianët mos ta kishin këtë kusht, pak javë para ndeshjes.

“Unë nuk e di se cili ishte zinxhiri i komandës në atë kohë, por mendimi im është se kjo shkoi shumë lart në Administratën amerikane”, thotë Steinbrecher. “Ne nuk e kemi bërë atë, ata e kanë bërë. Por ata nuk i panë gjërat me të njëjtin prizëm si federata jonë. Nuk kishte shumë njerëz në Departamentin e Shtetit të ngarkuar me diplomaci ndërkombëtare përmes sportit”.

Sidoqoftë, nëse Steinbrecher dhe kolegët e tij menduan se ishin në gjendjen më të keqe, ata kishin llogaritur makinerinë komplekse të qeverisë iraniane, në të cilën presidenti nuk është përbërësi kryesor. Ndërsa filloi mijëvjeçari i ri, dhe vetëm disa ditë para se Irani pritej të fluturonte drejt SHBA-së, kriza tjetër politike u zhvillua në Teheran. Nën presionin e politikanëve të tjerë për të hequr dorë nga udhëtimi, presidenti reformist i Iranit, Mohammad Khatami, i tha presidentit të Federatës së Futbollit të Iranit, Mohsen Safaei Farahani, ta anulonte ndeshjen.

“Por Safaei kishte nënshkruar kontratën dhe federata amerikane kishte pranuar të gjitha kushtet. Kështu që Irani ishte i detyruar me kontratë të udhëtonte”, thotë Masoudi. “Me këto ndeshje, Irani do t’i fitonte 200 mijë dollarë. Në fakt Irani nuk ishte paguar kurrë kaq shumë për të luajtur miqësore”.

Safaei Farahani qëndroi i vendosur. U vendos: turneu do të vazhdonte para. Në këtë pikë, Thom Meredith u bë një figurë kryesore.

“Unë nuk kam qenë personi që kam kontaktuar vende të ndryshme dhe kam kërkuar miqësore”, thotë Meredith. “Unë isha personi që më thanë: hej, po luajmë me iranianë, kuptoje!”.

Meredithi udhëtoi në Frankfurt për të takuar ekipin iranian që ishte rrugës për në SHBA. Pikërisht atje, në hapësirën për transit, ai doli ballë për ballë me krizën.

“Ishte një lojtar iranian që takoi ekipin në Gjermani, ku ai luante. Ai po largohej nga klubi i tij pas këtij turneu dhe më tregoi çelësin e tij të banesës. Ai tha, unë kam nevojë ta kthej çelësin tim kështu që i duhej të largohej”, kujton Meredith, që firmosi një copë letër ku nuk merrte përgjegjësi për lojtarin nëse humbte fluturimin.

Lojtari ia doli, por më pas, pak para se të hipte në aeroplan për fluturimin për në Chicago, Meredithit iu tha se gati gjysma e delegacionit nuk i kishte paguar biletat.

“Ishte rreth orës 3 të mëngjesit në Chicago. Kë do ta thërrisja? Nëse do të telefonoja dikë, çfarë do të bënin ata?”, thotë Meredith.

Kishte vetëm një përgjigje. Ai do të duhej të mbulonte vetë faturën prej 13 mijë dollarësh dhe ta ruante në një vend shumë të sigurt.

“Karta e kreditit të kompanisë sime kishte një limit prej pesë mijë dollarësh derisa karta ime e kreditit një limit prej 30 mijë dollarësh. E pagova pa menduar nëse paratë do të më ktheheshin”, thotë ai.

Për disa orë, ekipi iranian ishte në ajër, jashtë mundësive të telefonatave dhe në rrugë për në SHBA.

Incidenti në aeroport

Por kur zbarkoi në aeroportin “O'Hare” të Çikagos, ndodhi ajo që të gjithë ishin lutur të mos ndodhte. Kur agjenti i imigracionit filloi t’ua kërkonte gjurmët e gishtave dhe të bënte fotografitë, kreu i delegacionit të Iranit reagoi duke thënë se do të ktheheshin në shtëpi dhe se amerikanët ishin gënjeshtarë. Kështu që sërish Meredith ndërhyri. Ashtu si një mashtrues, Meredithi formuloi një letër nga kreu i Shërbimit të Emigracionit dhe Natyralizimit të Çikagos, ku thuhej se iranianët ishin të përjashtuar nga kjo procedurë. Përfaqësuesja e Iranit u bë vetëm delegacioni i dytë sportiv nga vendi, pas një ekipi të mundjes pesë vjet më parë, që shkeli në tokën amerikane që nga revolucioni i vitit 1979. Zyrtari ndërlidhës i lojtarëve ishte gjyqtari iraniano-amerikan, Esfandiar Baharmast.

Në vitin 1972, ai ishte bashkuar me një numër studentësh iranianë që u transferuan në SHBA dhe përkundër se ishte inxhinier i kimisë, futbolli ishte pasioni i tij. Pasi nuk arriti të bëhej futbollist për shkak të një dëmtimi, ai u bë gjyqtar dhe ndau drejtësinë në Botërorin e vitit 1998. Prej janarit të vitit 2000, Baharmast ishte bërë drejtor i gjyqtarëve të futbollit në federatën amerikane dhe si një tifoz iranian i futbollit ai po jetonte ëndrrën.

“Unë kam qenë me lojtarët gjatë gjithë kohës. Nga momenti që ata arritën deri në ditën kur hipën në aeroplan për t'u larguar”, krenohet Baharmast.

Tani që iranianët ishin më në fund në tokën amerikane, një operacion i fshehtë i sigurisë hyri në veprim.

Në dy ndeshjet e para Irani mundi Ekuadorin, 2:1, dhe humbi me të njëjtin rezultat nga Meksika, para tifozëve iraniano-amerikanë. Ndërsa ndeshja me SHBA-në po afrohej, rreziku gjithnjë shtohej. Iranianët filluan të merrnin thirrje telefonike në dhomat e tyre të hotelit nga një grup i rremë islamik. Oferta e ryshfetit për të mos luajtur dhe kërcënimet ishin të mëdha.

“Dy ditë para ndeshjes trajneri i Iranit, Mansour Pourheidari, tha se dikush e kishte thirrur dhe i kishte ofruar një milionë dollarë për t'u tërhequr”, thotë Masoudi.

Një telefonatë drejtuar presidentit iranian të futbollit Mohsen Safaei Farahani, duke pretenduar se ishte nga autoriteti më i lartë në Iran, kërcënoi të rrëzonte fluturimin e delegacionit për në shtëpi nëse ndeshja vazhdonte.

“Unë isha atje kur ai e mori këtë telefonatë dhe ai ishte i vendosur që loja të luhej”, kujton Masoudi.

Një teori, e cila u mor seriozisht, ishte se sponsorizimi i alkoolit në ndeshje do të kishte ofenduar ndjeshmërinë fetare të kërcënuesve. Sponsori kryesor i ndeshjes do të ishte “Anheuser-Busch”, kompania që prodhon birrën “Budweiser”. Në një takim në prag të ndeshjes, federata amerikane ofroi të kalojë te një sponsor tjetër.

“Pasi i njihja personat e asaj kompanie, personalisht u mora me këtë çështje dhe u premtova atyre reklama në ndeshjet e tjera. Duhej të rrezikoja”, shpjegon Steinbrecher.

Por Safaei Farahani vendosmërisht e refuzoi ofertën. Ai kërkoi nga amerikanët që mos ta humbasin një sponsor të rëndësishëm dhe insistoi që reklama mos të largohej në asnjë mënyrë.

“Po përktheja dhe më duhej të mbaja lotët për të përfunduar fjalinë”, shprehet Mahoudi derisa Steinbrecher e quan Farahanin si një njeri me personalitet të fortë.

Sidoqoftë, u morën hapa për të mbrojtur lojtarët e Iranit. Rrugët jashtë hotelit të ekipit u mbyllën dhe askush nuk u lejua të parkonte pranë hotelit, përveç një automjeti, sipas Masoudit. Ky ishte një autobus i FBI-së me mbishkrimin Iran për t’u siguruar se ekipi nuk do të ndiqej gjatë rrugës. Autobusi i vërtetë i Iranit u mbajt larg syve në parkingun nëntokësor. Autobusi i parkuar jashtë, me futbollistë të rremë në bord, u largua i pari. Ndërsa filloi udhëtimin, ekipi i Iranit u “kontrabandua” përmes kuzhinës dhe ashensorëve të shërbimit.

Stadiumi i Los Angelesit, që kishte pritur dy finale të Kupës Botërore dhe finalen e turneut olimpik të futbollit në vitin 1984, ishte gati, kurse hapësira ajrore mbi të ishte mbyllur. Në stadium ishin të pranishëm 50.181 tifozë. Irani kaloi i pari në epërsi nëpërmjet Mehdi Mahdavikias por amerikanët barazuan në pjesëlojën e dytë me anë të Chris Armasit dhe ndeshja përfundoi pa fitues. Një barazim 1:1 ishte rezultati diplomatik që nuk mund të shfrytëzohej politikisht. Por kjo nuk ndihmoi në shkrirjen e marrëdhënieve midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, pasi kaq shumë njerëz kishin shpresuar se mund të ndodhte dhe tensione mbeten midis kombeve edhe sot.

“Ne ishim naivë”, thotë Steinbrecher. “Ne menduam se po bënim diçka të mirë për të dy vendet përmes sportit tonë, por nuk ia dolëm”.

Image