Sport

Miqësoret në Antalia, sinjal që cilësia në Kosovë po rritet

Drita e Gjilanit shënoi katër fitore në po aq ndeshje të zhvilluara gjatë përgatitjeve të këtij muaji në Antalia të Turqisë. Me rezultate kryesisht pozitive, përgatitjet në bregdetin turk i mbyllën edhe shtatë skuadrat e tjera të elitës së futbollit kosovar. Dhe kundërshtarët ishin të nivelit goxha serioz.

Paraqitjet dhe rezultatet e arritura përballë skuadrave të shteteve të ndryshme evropiane, sipas trajnerit të futbollit Gani Sejdiu, janë sinjal se ka ngritje të cilësisë së ekipeve kosovare.

Sejdiu thotë se nuk janë të rastësishme fitoret e arritura të disa klubeve të Kosovës përballë klubeve të njohura të vendeve evropiane.

“Jam shumë i kënaqur me prezantimin dhe fazën përgatitore që po e bëjnë në Antalia të Turqisë. Edhe pse ndeshjet miqësore nuk janë përcaktuese për nivel, megjithatë në një përqindje të lartë janë tregues ku i kemi ekipet. Po bëjnë ndeshje të mira, kanë rezultate të mira kundër ekipeve të Ukrainës dhe shteteve tjera, që në të kaluarën kanë qenë shumë larg ekipeve tona. Tash, në bazë të paraqitjeve, është pothuajse i njëjti nivel. Është tregues se niveli është profesional, si në aspektin e lojës, lojtarëve, organizimit dhe rezultateve. Gjitha ekipet janë të plotësuara. Kanë staf të kompletuar dhe tregon se futbolli, apo klubet e Kosovës, kanë ngritje të madhe. Rezultatet nuk janë të rastësishme, por reflektim i punës së madhe që është bërë. Për ta rritur edhe më shumë imazhin, duhet rregulluar në Kosovë edhe infrastruktura”, ka thënë Sejdiu të dielën për KOHËN.

Klubet e Kosovës ka gjashtë apo shtatë vjet që zhvillojnë përgatitje në Antalia.

Rritjen e klubeve, si për nga organizimi ashtu edhe sa u takon rezultateve, e sheh edhe Amir Prepolli, që aranzhon qëndrimin e skuadrave kosovare në bregdetin turk.

“Dallimi është shumë i madh duke nisur nga organizimi, puna dhe rezultatet. Nëse para pesë vjetësh ka pasur vështirësi të natyrave të ndryshme, sot klubet e Kosovës janë kthyer në klube shumë të organizuara dhe në të gjitha aspektet nuk kanë dallim karshi klubeve të ndryshme që zgjedhin Antalian për t’u përgatitur”, ka thënë Prepolli.

Drita mposhti skuadrën e Kategorisë së Dytë të Hungarisë, Vasas, me rezultatin 6:1. Mposhti 3:1 skuadrën ukrainase, Chornomorets Odessa e po ashtu ekipin nga Polonia, Lechia Gdansk me rezultatin 2:1. Skuadra gjilanase fitoi 1:0 ndaj skuadrës Ruch Chorzow, që bën gara në elitën e futbollit të Polonisë.

“Është mirë që kryesitë e klubeve tani e dinë se sa e vlefshme është që skuadra të bëj përgatitje dimërore në Antalia. Para disa vitesh kualiteti ishte më i vogël tek ekipet kosovar dhe ishte vështirë të bësh ndeshje të forta kontrolluese sepse shumë ekipe nuk donin të luanin me ekipet kosovare. Tani është rritur shumë kualiteti në ekipet tona dhe kemi mundësi edhe të zgjedhim kundërshtarët e jo të luajmë kundër çfarëdo ekipi. Ekipet kosovare tani ndihen të barabarta me çdo ekip që luan në fazën përgatitore në Antalia”, ka thënë trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani.

Kampioni i Kosovës, Ballkani, e mbylli fazën përgatitore në Antalia me fitore ndaj skuadrës së njohur ukrainase, Dynamo Kyiv. Ballkani mposhti Dynamon me rezultatin 2:0. Dynamo është klubi me më së shumti trofe të fituar në Ukrainë.

Ballkani fitoi edhe ndaj skuadrës elitare të Polonisë, Jagiellonia me rezultatin 2:1. Luajti pa gola ndaj skuadrës elitare të Uzbekistanit, Termez Surkhon.

Llapi mposhti skuadrën e njohur nga Ukraina, Vorskla Potlava me rezultatin 2:0. Ishte fitorja e vetme e Llapit. Të tjerat ndeshje i ka humbur. Pësoi nga Nasafi i Uzbekistanit me rezultatin 2:1, Kecskemeti hungarez me 2:0 dhe me rezultatin 1:0 nga skuadra tjetër hungareze, Szeged.

Malisheva ka fituar 2:0 ndaj skuadrës ukrainase, Obolon Kiev. Me ekipin elitar të Uzbekistanit, Sogdiana Jazzakh, luajti 1:1.

Prishtina fitoi 1:0 kundër kampionit të Kazakistani, Ordabasyt, ndërsa humbi 1:0 nga kampioni i Sllovakisë, Ruzhomberoku. Humbi po ashtu 3:1 nga Celje, ekip që i prinë tabelës në Slloveni.

Dukagjini ka fituar 2:1 kundër Levski Sofias së Bullgarisë, ka barazuar pa gola me Kyzylzharin e Kazakistanit, ndërsa pësoi 4:1 nga Obolon Kiev.

Feronikeli 74 barazoi pa gola kundër skuadrës elitare të Hungarisë, Kisvarda, kurse e mposhti 3:2 ekipin nga Luksemburgu, Mariska Mersch.

Gjilani fitoi 1:0 ndaj ekipi kazak, Kyzylzhar. Ekipi i drejtuar nga Genjtan Mezani ka humbur nga Livingstoni, që garon në elitën e futbollit të Skocisë 2:1 dhe 1:0 nga skuadra e kategorisë së dytë hungareze, FC Csakvar.

Në Antalia të Turqisë u zhvillua edhe Superkupa e Kosovës. Prishtina e fitoi Superkupën duke e mposhtur Ballkanin me rezultatin 2:1.