Sport

Mici dhe Dellova të bindur që do ta eliminojnë Interin e Andorrës

Prishtina do të përballet me skuadrën Inter D’Escaldes në finale të turneut parakualifikues të Ligës së Kampionëve. Ndeshja do të zhvillohet të premten në stadiumin “Elbasan Arena” në Elbasan të Shqipërisë prej orës 20:00. Për të arritur në finale ekipi kosovar e mposhti në gjysmëfinale Folgoren e San Marinos (2:0). Golat i shënuan Endrit Krasniqi dhe Mendurim Hoti. Ndërkaq ekipi nga Andorra fitoi kundër HB Torshavnit (1:0). Për të dyja ekipet finaliste ishte hera e parë në histori që shënuan fitore në kualifikimet e garës më të madhe evropiane për klube. Prishtina tashmë shtatë ditë është zhvendosur në Tiranë për t’u ambientuar sa më shumë me temperaturat e larta që janë në shtetin shqiptar. Të enjten pasdite ekipet i kanë kryer seancat stërvitore, para duelit të së premtes. “Bardhekaltrit” i kanë kryer edhe testet për COVID-19, ka njoftuar Prishtina. Te Prishtina mungon sërish Leonit Abazi, kurse kthehet Leutrim Bekteshi. Mbrojtësi i krahut të majtë, Gledi Mici, ka thënë për KOHËN se Prishtina ka forcë për ta fituar finalen dhe për të kaluar në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ku e pret Ferencvaroshi.

“Patjetër që besojmë. Jemi përgatitur për afër një muaj për këtë finale dhe jemi gati të japim maksimumin. Unë mendoj se kemi forcë ta fitojmë finalen, por duhet ta tregojmë në fushë me qetësi dhe përqendrim maksimal”, deklaroi Mici.

Ai e pranon se nuk kanë informacione të mjaftueshme për kundërshtarin, por shtoi se rastësisht nuk kanë arritur në finale.

“Nuk kemi shumë informacione, por do ta marrim shumë seriozisht këtë kundërshtar, pasi nuk është rastësi që ka arritur në finale. Është shumë nxehtë, por besoj që jemi ambientuar deri diku. Temperaturat janë të njëjta si për ne, si për ata”, u shpreh Mici.

Optimist për kalin tutje është edhe qendërmbrojtësi Lumbardh Dellova. Sipas tij, kualiteti që ka Prishtina dhe angazhimi maksimal nga të gjithë bëjnë që të besohet në fitore. Edhe Dellova thotë se kanë pak njohuri për kundërshtarin.

“Besoj që do ta fitojmë finalen e turneut dhe do të kalojmë në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Duke e ditur kualitetin e ekipit, plus me angazhim maksimal nga të gjithë, kam besim që do ta kalojmë këtë pengesë me sukses. Kemi pak informacione për kundërshtarin, por ne do të hyjmë në fushë për të dhënë 100 për qind nga vetja për ta fituar ndeshjen dhe për të kaluar tutje”, shtoi Dellova.

Kundërshtari i Prishtinës, Inter D’Escaldes, ka vetëm tri paraqitje në garat evropiane.

Vitin e kaluar kishte humbur nga Drita në gjysmëfinale të turneut parakualifikues 2:1. Për Dritën një gol e kishte shënuar Xhevdet Shabani, që tani vesh fanellën e Prishtinës. Kurse në raundin e dytë të Ligës së Evropës ishte mposhtur nga Dundalku (1:0). Vetëm në paraqitjen e tretë në garat evropiane, Inter D’Escaldes shënoi fitoren e parë kundër HB Torshavnit me rezultat 1:0, në gjysmëfinalen e turneut të këtij edicioni. Tani do të jenë ndeshjet në finale me Prishtinën. Përveç Prishtinës, në garat evropiane do të marrin pjesë edhe dy skuadra të tjera kosovare, Drita dhe Llapi. Të dy këto ekipe do të paraqiten në Ligën e Konferencës. Drita përballet me Deçiqin e Malit të Zi, derisa Llapi me Shkupin.