Sport

Messi arrin në SHBA, gati për prezantim

Lionel Messi ka mbërritur të mërkurën në Florida në prag të nënshkrimit zyrtar të kontratës me Inter Miamin.

Messi dhe familja e tij mbërritën në aeroportin e Fort Lauderdale me një avion privat dhe së shpejti do të prezantohet zyrtarisht si një lojtar i ri i klubit në pronësi të David Beckhamit.

Një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave ka refuzuar Barcelonën dhe një ofertë prej 1.2 miliardë eurosh nga Arabia Saudite muajin e kaluar dhe ka njoftuar se do të vazhdojë karrierën në Interin amerikan.

Inter Miami ka bërë të ditur se më 16 korrik në stadiumin e klubit do të zhvillohet eventi i quajtur “The Unveil” dhe nuk ka dyshim se të gjitha vendet në tribuna do të mbushen pasi argjentinasi do të jetë ylli më i madh në historinë e MLS [ligës amerikane].

Më 16 korrik, Messi zyrtarisht do të nënshkruajë një kontratë 2.5 vjeçare me vlerë 150 milionë dollarë dhe debutimin pritet ta bëjë më 21 korrik kundër klubit meksikan Cruz Azul.