Sport

Mesjava e derbive

Te Prishtina janë optimistë se do ta vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive edhe kundër kampiones në fuqi, Dritës.

Ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Dritës është njëri prej derbive të xhiros së 21-të të Superligës së Kosovës në futboll dhe zhvillohet të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri” prej orës 13:00.

Prishtina është në një seri prej 12 ndeshjeve pa humbje në Superligën e Kosovës në futboll, ndërsa në total nuk di për disfatë në 14 duelet e fundit, përfshirë këtu ndeshjet për Superkupë dhe Kupë të Kosovës. Në fakt, Prishtina e ka nisur vitin në mënyrën më të mirë të mundshme. E mposhti Dritën në ndeshjen e Superkupës të zhvilluar në Antalia të Turqisë përpara se ta eliminojë skuadrën gjilanase edhe në 1/8 e finales së Kupës. Pas këtyre dy fitoreve, Prishtina regjistroi dy fitore edhe në stinorin pranveror të Superligës. Fillimisht mposhti Drenicën (3:1) dhe pastaj Arbërinë (4:0).

Përballë Dritës këtë edicion Prishtina nuk di fare për humbje pasi në dy përballjet e stinorit vjeshtor ka luajtur baras. Prishtina zë vendin e tretë në tabelë me 38 pikë, gjashtë më pak se Drita që renditet e dyta dhe që në ndeshjen e fundit kampionale ka pësuar humbje në shtëpi nga Trepça ’89. Tabelës i prin skuadra e Ballkanit që gjithashtu ka 44 pikë por goldallim më të mirë se Drita.

Prishtina beson se edhe në ndeshjen e pestë zyrtare të këtij edicioni mund të marrë rezultat pozitiv ndaj Dritës, ndonëse kërkon fitoren e parë në kampionat përballë kampiones në fuqi. Te Prishtina në këtë ndeshje do të rikthehet nga lëndimi mesfushori Sabien Lilaj që ka munguar në duelet e para.

“Skuadra nuk ka probleme në përbërje, pritet edhe rikthimi i Lilajt dhe duke e parë se si skuadra po gëzon formë maksimale, atëherë mund të presim angazhim maksimal dhe që skuadra të dëshmojë se dy fitoret për Kupë dhe Superkupë ndaj Dritës nuk kanë qenë të rastësishme”, ka shkruar Prishtina, duke paralajmëruar se triumfi ndaj Dritës e fut fuqishëm në garë për titullin e kampionit.

Leonit Abazi, që në ndeshjen e fundit shënoi dy gola në fitoren e thellë të Prishtinës, ka thënë të martën për KOHËN se “bardhekaltrit” në takimin kundër Dritës futen për fitore pasi duan të vazhdojnë serinë pozitive për të luftuar deri në fund për titullin e kampionit.

“Është ndeshje e rëndësishme sikurse çdo ndeshje tjetër. Ne jemi në formë shumë të mirë dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm. Lufta për titull është ende e hapur dhe ka edhe shumë ndeshje deri në fund. Derbi me Dritën është i rëndësishëm, ndonëse nuk vendos për titull. Ne gjithmonë futemi të motivuar për ta fituar secilën ndeshje, kështu që njëjtë do të jetë edhe në derbi”, është shprehur Abazi.

Edhe skuadra e Dritës pritet të jetë e kompletuar për duelin me Prishtinën. Sulmuesi Kastriot Rexha ka thënë se Drita duhet të reagojë ndaj Prishtinës pas humbjes së papritur që e pësoi në Gjilan nga Trepça ’89. Ai beson në rezultat pozitiv në këtë derbi dhe thotë se Drita do të udhëtojë maksimalisht e motivuar drejt kryeqytetit.

“Për ekipin tonë kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për shkak se duhet të reagojmë pas humbjes së fundit. Shpresoj dhe kam besim se në këtë derbi ekipi do të marrë një rezultat të favorshëm. Jemi të përgatitur maksimalisht për këtë duel dhe pres të reagojmë”, ka thënë Rexha.

Të mërkurën në të njëjtën kohë zhvillohet edhe një ndeshje tjetër derbi e kësaj xhiroje. Skuadra e Gjilanit, që ka pasur një start të dobët në stinorin pranveror, e pret në shtëpi Ballkanin, që xhiron e fundit e tejkaloi Dritën për pozitën e parë në tabelë. Gjilani e nisi vitin me eliminim nga Istogu në 1/8 e finales të Kupës së Kosovës për të vazhduar me barazim dhe humbje në dy ndeshjet e para të stinorit pranveror. Renditet në pozitën e katërt në tabelë me 30 pikë, 14 më pak se Ballkani që e ka nisur fuqishëm kampionatin me dy fitore në po aq ndeshje të luajtura, pas eliminimit nga garat e Kupës. Si te Gjilani ashtu edhe te Ballkani kanë zgjedhur heshtjen para duelit.

Ndërkohë në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, Trepça ’89 e pret Llapin. Të dy ekipet kanë shënuar fitore në ndeshjet e fundit dhe atë përballë skuadrave të qytetit të Gjilanit. ‘89-shi ka triumfuar në udhëtim ndaj Dritës (2:1) derisa Llapi në shtëpi e ka mposhtur Gjilanin (3:1). Skuadra mitrovicase renditet e pesta në tabelë me 25 pikë të mbledhura, dy më shumë se Llapi që renditet i shtati në tabelë. Kjo xhiro do të mbyllet të enjten me dy ndeshje.

Në Drenas luhet derbi rajonal ndërmjet Feronikelit dhe Drenicës. Si Feronikeli ashtu edhe Drenica nuk kanë pasur start të mirë në pranverë. Nikeli në dy ndeshje ka shënuar një barazim dhe një humbje, ngjashëm si Drenica që është e parafundit në tabelë me vetëm 20 pikë të mbledhura. Ndërsa Besa e Pejës pas barazimit në ndeshjen e fundit kundër Drenicës e pret në shtëpi Arbërinë e Dobrajës, që pësoi thellë vikendin e shkuar nga Prishtina (4:0).

Superliga – XXI

E mërkurë (13:00)

Prishtina – Drita

(Arbitra: T. Maloku, F. Berisha, B. Selimaj, G. Shala)

Gjilani – Ballkani

(D. Çaka, B. Morina, I. Kabashi, V. Kastrati)

Trepça ’89 – Llapi

(Arbitra: G. Nuza, E. Bicaj, V. Kelmendi, Sh. Murtezi)

E enjte (13:00)

Feronikeli – Drenica

(Arbitra: S. Isufi, A. Ejupi, T. Ibërdemaj, V. Hoxha)

Besa – Arbëria

(Arbitra: M. Ajeti, L. Muhadri, A. Bullatovci, B. Ajeti)

1.Ballkani 20 14 2 4 47:25 44

2. Drita 20 13 5 2 32:15 44

3. Prishtina 10 11 5 4 33:12 38

4. Gjilani 10 8 6 6 20:20 30

5. Trepça ’89 20 7 4 9 22:29 25

6. Feronikeli 20 5 9 6 23:18 24

7. Llapi 20 7 2 11 24:25 23

8. Arbëria 20 6 4 10 18:25 22

9. Drenica 20 5 5 10 12:28 20

10. Besa 20 1 4 5 13:46 7