Sport

Memnuni e Berisha premtojnë ta kthejnë Prishtinën në rrugën e sukseseve

Trajneri Ekrem Memnuni dhe basketbollisti Dardan Berisha janë kthyer te Sigal Prishtina me synime të qarta.

Në konferencën për media të mbajtur të enjten në zyrat e klubit, Memnun e Berisha kanë thënë se duan të fitojë të gjithë trofetë e mundshëm në sezonin e ri, ndërsa e pranojnë se nuk do të jetë e lehtë.

Memnuni ka theksuar se e di ku është dhe se çfarë duhet të bëjë. Trajneri nga Turqia, që ka prejardhje shqiptare, është kthyer në Prishtinë pas 17 vjetësh.

“Jemi këtu që Prishtina të ketë rezultate të mira. Kam qenë këtu edhe më herët, kur Sigali e nisi partneritetin me Prishtinën. Sigali është ende këtu dhe jam i kënaqur.

E di ku jam, i di pritjet dhe di si të punoj te Prishtina. Ta bëjmë Prishtinën të kthehet te titulli, pasi është ekip që gjithmonë kërkon trofe. E kemi parasysh se kundërshtarët janë të fortë në Superligë dhe do të jemi gati”, tha Memnun.

Përveç trofeve në basketbollin e Kosovës, Memnun kërkon sukses edhe në garat evropiane, FIBA Europe Cup dhe ENBL League.

“Synimi i parë do të jetë kualifikimi në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup. Pastaj paraqitja në ENBL ligë, që është shumë e rëndësishme për basketbollin e Kosovës. Është një ligë e fortë me ekipe të forta dhe do të jetë shumë sfiduese. Por, ne do të tregojmë forcën tonë. Jam këtu për gati tri javë, kemi punuar shumë ta përgatisim Prishtinën për të arritur synimet që kemi. Besoj se do të menaxhojmë të arrijmë synimet e klubit”, shtoi Memnuni.

Te klubi më i trofeshëm i basketbollit në vend është kthyer pas dy vjetësh edhe Dardan Berisha. Ai ka thënë se ka ardhur për të fituar të gjithë trofetë e mundshëm.

“Faleminderit Prishtinës që më ka sjellë këtu, mund të them në shtëpinë time. Kam ardhur për të fituar krejt çka është e mundshme që të fitohet. Jam shumë i motivuar. E di çka kërkon Prishtina dhe po besoj që me trajnerin dhe me krejt stafin që më kanë pritur perfekt do t’ia arrijmë qëllimit që ka klubi”, deklaroi Berisha.

Ai pret që kampionati të jetë i vështirë. Sipas Berishës, edhe klubet e tjera janë përforcuar shumë.

“Jo veç me Pejën, por të gjitha ndeshjet do të jenë të vështira. Të gjitha skuadrat janë përforcuar. Do të jetë vit i vështirë, por besoj që do të kemi sukses. Nga tani po i ftoj të gjithë tifozët që të vijnë të na shikojnë dhe të na përkrahin. Ndaj Pejës do të jetë ndeshje speciale për mua, por të gjitha ndeshjet do të jenë të vështira”, theksoi Berisha.

Në konferencë ishin të pranishëm edhe kryetari i klubit Burim Maraj dhe pronari i kompanisë Sigal, Avni Ponari, që është sponsor gjeneral i Prishtinës.

Ponari ka treguar se basketbollisti Dardan Berisha kishte refuzuar të luante kundër Shqipërisë, në kohën kur vishte fanellën e përfaqësueses së Polonisë.

Pastaj, Berisha ka treguar se vendimi për të mos luajtur ndaj Shqipërisë nuk u ka pëlqyer polakëve.

“Kanë qenë kualifikime për Kampionatin Evropian dhe në atë kohë unë kam luajtur për përfaqësuesen e Polonisë. E kemi pasur në grup Shqipërinë dhe unë kam refuzuar të luaj edhe në Shqipëri, edhe në Poloni. Normal, ka qenë presion në Poloni se pse nuk po luaj, por në fund trajneri dhe Federata e Polonisë e kanë kuptuar, ndoshta tifozët jo aq shumë, por unë ashtu jam ndier dhe e kam vendosur ashtu. Nuk kam luajtur kundër Shqipërisë, sepse jam shqiptar”, ka thënë Berisha.

Kryetari i klubit, Maraj, thotë se gjithçka është në rrugën e duhur dhe se Prishtina kërkon trofe.

“Një gjë ua garantoj që Sigal Prishtina është e gatshme të luftojë këtë sezon me të gjitha forcat që klubit t’i shtohen trofe të rinj në muzeun tonë të kupave”, u shpreh Maraj.

Sigal Prishtina nuk e ka fituar titullin e kampionit që nga viti 2019. Ndeshjen e parë të sezonit të ri e luan kundër Pejës në palestrën “Karagaçi”.