Ekrem Memnun është emër i njohur për klubin e basketbollit Sigal Prishtina dhe tifozët e kësaj skuadre. Memnun te Prishtina kishte punuar para 17 vjetësh. Që nga ajo kohë, shumëçka ka ndryshuar si për klubin, ashtu edhe Memnunin. Që nga periudha e kaluar te kryeqytetasit, Memnun drejtoi edhe skuadrat e tjera në Turqi, si Darussafaka, Galasarayn, në të dy konkurrencat. Po ashtu, ishte edhe përzgjedhës i Përfaqësueses së femrave të Turqisë.
Madje, me Galatasarayn në konkurrencën e femrave, Memnun triumfoi në Euroligë, një sukses jo lehtë për t’u arritur. Trajneri nga Turqia, që është me prejardhje shqiptare, të premten u zyrtarizua te Prishtina. Ai do të jetë në krye të Prishtinës për sezonin 2022/23, që nis në muajin shtator. Në këtë post, Memnun do ta zëvendësojë kroatin Ante Nazor, që ishte në krye të klubit sezonin e shkuar. Memnun e kujton me krenari kohën e kaluar te Prishtina para afër dy dekadash. Por, shkëputja për kohë të gjatë nuk ia ka zbehur lidhjen që e ka me Prishtinën, për të cilën thotë se është shtëpia e tij e dytë.
“Kam punuar te Prishtina nga viti 2003 deri në vitin 2005, një vit e gjysmë. Kam shoqëri atje, kam punuar me shumicën e këtyre djemve. Edmond Azemi ishte lojtar i imi, Florian Miftari po ashtu, si dhe kapiten i skuadrës. Blerand Stavileci ishte po ashtu në skuadër. I njoh këta njerëz dhe isha i lirë, ata më thirrën dhe ata janë shokët e mi. E pëlqej Prishtinën, e njoh edhe atë ambient. Ne vetëm kemi folur dhe jemi pajtuar për çdo gjë”, ka thënë Memnun, 52-vjeçar, të dielën për KOHËN.
Sezonin e fundit, Memnun ishte në krye të Galatasarayt te meshkujt. Memnunit nuk i kanë munguar sukseset në Kosovë. Ai e ka fituar Kupën e Kosovës në dy raste me Prishtinën, por jo edhe titullin e kampionit. E titulli i mungon Prishtinës prej vitit 2019. Kështu që, Memnun po kthehet te Prishtina pas një periudhe të gjatë me synime të mëdha. Me Memnunin në krye të ekipit synohet titulli, por trajneri tregohet i matur në deklaratat e tij për synimet. Ai ka thënë se e di shumë mirë se Prishtina është ekip që gjithmonë synon titullin, por edhe trofetë e tjerë.
“Kemi fituar në dy vjet Kupën, me aq sa mund ta kujtoj kur ishte te Prishtina. Unë e di traditën në Prishtinë dhe basketbollin e Kosovës. I njoh edhe kundërshtarët, rivalitetin, di gjithçka. Askush nuk është skuadër si Prishtina sa i përket fitimit të kupave dhe titujve”, ka pranuar Memnun. “I dimë pritshmëritë. Lojtarët, unë, drejtorët, menaxherët e përgjithshëm, të gjithë duhet të punojmë si një trup i vetëm dhe do të mundohemi t’i arrijmë këto pritshmëri. Prishtina është mësuar të fitojë dhe së bashku do të mundohemi të shkojmë në atë drejtim”.
Memnun tha se periudha e kaluar te Prishtina para 17 vjetësh ka qenë e vështirë, edhe për shkak se kishin kaluar pak vite prejse kishte përfunduar lufta në Kosovë. Ai e pranon se edhe kur të kthehet në Prishtinë nuk do të jetë aspak lehtë. Sipas tij, do të jetë vështirë për shkak se skuadrat e tjera janë përforcuar shumë dhe kërkojnë të mbeten në pjesën e sipërme të tabelës në çdo edicion. Ai nuk dëshiron të japë parashikime para nisjes së sezonit të ri. Por e pret përkrahjen më të madhe të mundshme nga qytetarët prishtinas dhe tifogrupi “Plisat”.
“Ka shumë skuadra të cilat dëshirojnë të bëhen edhe më të mira. Asnjëherë nuk ka qenë lehtë në Kosovë. Dhe as tani, askush nuk duhet të thotë se do të jetë e lehtë. Do të jem atje sepse dëshiroj të fitoj. Po vij me shumë motivim. Do të jetë luftë shumë e madhe, këtë e dimë. I respektojmë të gjithë kundërshtarët. E dimë që ata janë të mirë, por edhe ne dëshirojmë të jemi të tillë. Koha do t’i tregojë të gjitha”, shtoi Memnun. “Qëllimet dhe pritshmëritë dihen, por ne nuk mund t’i kontrollojmë ekipet e tjera. Do të punojmë sa më mirë që është e mundur, për aq sa ne kemi në kontroll. Kjo do të thotë se ne do të mundohemi të punojmë me lojtarë, me ekipin të jemi sa më të mirë që është e mundur. Më pas do të shohim”.
Kthimi i Memnunit në ekipin kryeqytetas ka bërë bujë në basketbollin kosovar, njësoj siç shkruante edhe në njoftimin e Prishtinës në Facebook. Falë eksperiencës së tij, synohen edhe shumë suksese të tjera. Klubi kryeqytetas ka njoftuar se në javën e ardhshme do të bëhen edhe disa transferime nga arena vendore e ndërkombëtare.
“Kam punuar në shumë skuadra e kohë të mirë kam kaluar gjithandej. Galatasaray është po ashtu si shtëpia ime. Me këtë skuadër nuk kemi qenë favorit në Euroligë, kemi qenë në garë me gjigantë. Kam shumë kujtime të mira në vende të ndryshme përgjatë karrierës sime. Nuk mund të them se cili është kujtimi më i mirë sepse ka shumë”, përfundoi ai.
Tani për tani, Memnun është trajneri i tretë i huaj që është konfirmuar në krye të një ekipi të Superligës së Kosovës në basketboll për sezonin e ri. Para tij, skuadra e Trepçës e ka konfirmuar bullgarin Lubomir Minchev, ndërsa Adis Beçiragiq do të jetë në krye të Golden Eagle Yllit.