Fotografia e Distria Krasniqit ka “pushtuar” ballinën e sajtit zyrtar të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF) dhe Unionit Evropian të Xhudos (EJU). Distria ishte e pandalshme të hënën në Doha të Katarit dhe ka marrë vlerësimet e gjithë botës së xhudos.
Paraqitja e saj ka mbushur besim e optimizëm trajnerin Driton Kuka. Por jo vetëm paraqitja e saj. Në turneun e nivelit Masters, që të hënën nisi në Doha të Katarit, garuan tri xhudiste kosovare. Dhe ato zunë vend në podium. Dita ishte e Distrisë që fitoi të artën në kategorinë deri 48 kilogramë. Ndërkohë Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova fituan medalje të bronzta në kategorinë deri 52 kilogramë dhe atë deri 57 kilogramë.
Mastersi është gara e parë për këtë vit. Është garë që mbledh xhudistët më të mirë në botë. Në të ftohen vetëm 36 më të mirët në secilën kategori. Për nga numri i pikëve është gara e dytë më e madhe pas Botërorit.
Dhe në një garë të madhe dalin në skenë sportistët e mëdhenj. Të tilla janë Distria, Majlinda e Nora.
Distria ka pasur paraqitje të nivelit të lartë dhe ka fituar bindshëm të gjitha katër luftërat. Ishte bartësja e parë dhe u konfirmua e para. Me 1800 pikë do të “çelikoset” në pozitën e parë të ranglistës botërore.
Më shumë është sfiduar kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, në kategorinë deri 52 kilogramë. Ka shënuar fitore të vështira me Andreea Chitu e Agata Perenc. Më pas e mposhti edhe zviceranen Evelyne Tschopp, kurse në gjysmëfinale e ndali francezja Amandine Buchard. Në luftë për medalje të bronztë e mposhti belgen Charline van Snick.
Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kilogramë fitoi dy luftëra para se të ndalej nga japonezja Tsukasa Yoshida në gjysmëfinale. Për vend të tretë e mposhti portugezen Telma Monteiro.
Për Norën është medalja e parë në turnetë Masters. Për Majlindën është medalja e dytë, pas të artës në Tyumen, në vitin 2013. Ndërkohë Distria ka fituar të artën në tri edicionet e fundit të Mastersit. Kjo dëshmon se ajo shfaq nivel të lartë në përballje me xhudistet më të mira. Të tilla kishte përballë të hënën.
“E jashtëzakonshmja Krasniqi fiton titullin e tretë në Masters”, ka shkruar EJU-ja.
Unioni Evropian e ka cilësuar bilancin e Distrisë në Masters si impresiv.
“Fitorja do të bëjë që ajo të rrisë dallimin në krye të ranglistës dhe do të sigurojë që të jetë bartëse e parë të paktën në dy turnetë e ardhshëm Grand Slam. Është një triumf i rëndësishëm. Kualiteti i rivaleve ishte i jashtëzakonshëm. Të gjitha dhjetë xhudistet e para në ranglistë morën pjesë”.
Distria në finale e mposhti japonezen Funa Tonaki, prej së cilës kishte humbur dy përballjet e kaluara.
“Është ndjenjë e jashtëzakonshme të fitosh Mastersin për herë të tretë, sidomos sot kur ekipi ynë i fitoi tri medalje. Kam humbur dy herë nga Tonaki dhe kam punuar shumë me trajnerin për të përmirësuar gabimet që i kam bërë në të kaluarën. Jam i lumtur që ia kemi dalë. Kjo fitore më jep më shumë besim për garat e ardhshme dhe mbi të gjitha për Tokio 2021. Sot ishte garë e fortë në kategorinë deri 48 kilogramë, ishin më të mirat dhe unë ia dola të fitoja të artën. Kështu që më jep shumë besim dhe motivim”, ka thënë Krasniqi për faqen zyrtare të EJU-së.
Edhe në sajtin zyrtar të IJF-së nuk kanë munguar lavdet dhe vlerësimet për Distrinë. E arta e saj ka lënë në hije medaljet e Majlindës dhe Norës, që megjithatë janë shumë të suksesshme.
Distria, Majlinda e Nora këtë vit synojnë medalje edhe në Evropian, Botëror e Lojëra Olimpike. Fokusi do të jetë në Olimpiadë, por medaljet e së hënës janë paralajmërim për një vit të jashtëzakonshëm.
Kosova nuk ka përfunduar garën në Masters. Të martën garon Akil Gjakova e të mërkurën Loriana Kuka. Nëse vazhdohet seria e së hënës, kjo mund të jetë gara më e suksesshme në histori të sportit kosovar. Por edhe nëse nuk vazhdohet seria, suksesi është kulmor tashmë.
“Dita e sotme ka qenë e jashtëzakonshme për shumë arsye. Së pari Majlinda është kthyer pas më shumë se një viti. Përsëri lëndime, përsëri telashe dhe faktikisht është kthyer me medalje që është lajm jashtëzakonisht i mirë, marrë parasysh që po shkojmë drejt Lojërave Olimpike. Ndërsa Nora Gjakova pas problemeve që i ka pasur me COVID nuk ka qenë në formën e saj, por sot edhe ajo u stolis me medalje në një konkurrencë mjaft të fortë. Qershia mbi tortë ka qenë Distria. Ajo sot ka dëshmuar se është potencial për medalje të mëdha, është potencial për medalje Olimpike, normalisht edhe Majlinda, Nora dhe të tjerët”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
“Nëse dita e mirë shihet në mëngjes, atëherë kjo garë është shenjë e mirë. Viti i cili po na pret po shpresoj që të jetë me medalje të mëdha, nga aty ku kemi dëshirë të gjithë, më së shumti në Lojëra Olimpike”.
Kuka thotë se Kosova të hënën dëshmoi se është në majën e xhudos botërore.