Sport

Medaljet e xhudistëve e vendosin Kosovën në piedestalin evropian

Me dy të arta e një të bronztë, Kosova është më e suksesshmja në Evropianin e xhudos për seniorë. Kosova kishte ekip dukshëm më të vogël se vendet e tjera, por niveli i xhudistëve të Driton Kukës është superior. Tani fokusi kthehet te Botërori dhe Lojërat Olimpike. Synimi mbetet i njëjtë – të fitohen medalje për Kosovën

Me 14 xhudistë u paraqit Turqia në Evropianin që të dielën përfundoi në Lisbonë të Portugalisë. Edhe më shumë kishte Franca – gjithsej 18 xhudistë. 14 i kishte edhe Gjeorgjia, 13 Holanda, 18 Rusia e 17 Italia.

Të gjitha këto vende kanë numër shumë të madh të xhudistëve. Kanë edhe traditë në këtë sport. Por e kanë edhe një të përbashkët – në Evropianin në Lisbonë mbetën prapa Kosovës.

Me dukshëm më pak garues, Kosova u rendit e para në Evropianin për seniorë që prej të premtes e deri të dielën u mbajt në Lisbonë.

Kosova garoi me gjashtë xhudistë, ndërsa kthehet me tri medalje e dy vende të pesta. Medaljet e arta të Distria Krasniqit (48 kg) në ditën e parë dhe Akil Gjakovës (73 kg) në ditën e dytë, i mundësojnë Kosovës që të jetë e para në listën e medaljeve.

Pos Kosovës dy të arta i ka edhe Turqia. Turqia për më tepër ka edhe xhudistë të natyralizuar. Por Turqia nuk ka medalje të tjera, kurse Kosova e ka edhe të bronztën e Nora Gjakovës në kategorinë deri 57 kilogramë. Kosova i ka edhe dy vende të pesta. Laura Fazliu ishte një fitore larg medaljes në kategorinë deri 63 kilogramë, ndërsa Loriana Kuka në kategorinë deri 78 kilogramë. Flaka Loxha u ndal në luftën e parë, por potenciali i saj nuk diskutohet.

Dhe marrë për bazë që kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, nuk garoi, atëherë është e qartë se tashmë Kosova i ka të paktën gjashtë adutë që mund të marrin medalje në secilën garë të madhe. Pra edhe në Botëror e ndoshta edhe në Lojëra Olimpike.

Derisa Nora fitoi medaljen e gjashtë në Evropian, Akili e Distria kanë bërë hap të madh tutje. Akili ka fituar medaljen e parë në kampionate zyrtare në nivel të rriturish. Për medaljen e tij ka pritur gjatë i gjithë ekipi i xhudos. Ai kishte fituar medalje të shumta në gara të forta të xhudos, por deri të shtunën nuk kishte medalje në kampionate.

Ndërkohë Distria kishte dy medalje nga kampionatet evropiane, por jo të arta. Tani është kampione evropiane dhe si e tillë kërkon suksesin në Botëror e Lojëra Olimpike.

Hap të madh ka bërë edhe Laura Fazliu. 20-vjeçarja iu afrua medaljes evropiane dhe dëshmoi potencialin.

Për herë të parë Kosova ka fituar tri medalje në Evropian. Tri medalje i kishte fituar në Botërorin e fundit, në vitin 2019. Ishin tri të bronzta. Tani dy prej tri medaljeve janë të arta. Kosova për herë të parë ka një sportist kampion evropian. Lista e të arriturave është e gjatë. Dhe të gjithë në vend mund ta shikojnë me krenari listën e medaljeve në fund të Evropianit.

Me krenari e shikon edhe Driton Kuka, kreatori i gjithë këtij suksesi.

“Nuk më ka shkuar asnjëherë në mendje se mund të ndodhë kjo”, ka thënë Kuka të dielën mbrëma për KOHËN.

“Kemi një ekip të vogël por shumë punëtor. Ekip që individualisht gjithmonë i ka sjellë suksese Kosovës, prej medaljeve të nivelit më të ultë e deri te medalja olimpike. Por që në një kampionat evropian për seniorë të arrijmë që në plasmanin përfundimtar të bëhemi ekipi më i suksesshëm, këtë me të vërtetë nuk e kam menduar. Është diçka e jashtëzakonshme. Shpresoj që diçka e tillë të përsëritet edhe në të ardhmen në xhudo apo në ndonjë sport tjetër. Por me të vërtetë do të jetë diçka e jashtëzakonshme. Për mua kjo që kemi arritur është sensacionale”, ka theksuar Kuka.

Kuka vlerëson posaçërisht medaljen e Akil Gjakovës. Xhudistet e tij kishin fituar krejt çka mund të fitohet, deri te medalja e artë olimpike. Por trajnerit pejan i mungonte një sukses kulmor me xhudistë. Dhe me të artën evropiane të Akilit, Kuka ndihet i përmbushur. Thotë se “mozaiku i sukseseve” është plotësuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

“E veçanta e këtij Evropiani është se tani në konkurrencën e meshkujve kemi një kampion evropian. Është medalja e parë elitare për meshkuj në sportin e xhudos dhe ajo është e artë. Akil Gjakova më ka përmbushur mua si trajner jashtëzakonisht shumë, pasi gjithmonë është thënë se vetëm vajzat kanë fituar medalje. Akili gjithnjë ka qenë afër, është ndër më të mirët në botë dhe titulli evropian e konfirmon këtë”, ka theksuar Kuka.

Ai qëndron me këmbë në tokë. Synim natyrisht e ka medaljen olimpike. Por nuk “lidhet” për numrave.

“Potencial kemi dhe unë si trajner dhe Kosova si shtet i vogël do të ishim të kënaqur që nga Lojërat Olimpike të mos kthehemi pa medalje. A do të jetë një apo dy, kjo nuk është e rëndësishme. Më e rëndësishme është për mua si trajner, por edhe për shtetin tonë që të kthehemi me medalje, siç kemi arritur të kthehemi nga Rio”, ka theksuar Kuka.

Para Olimpiadës është Botërori, në qershor. Fillimisht medaljet synohen atje.

Të gjithë në vend, duke përfshirë drejtuesit e shtetit, janë shprehur të lumtur e krenarë me suksesin e xhudistëve. Ka kohë që ata janë storja më e suksesshme e vendit. Dhe jo vetëm sportive.

Të dielën në ditën e fundit të Evropianit garoi vetëm Loriana Kuka. Ajo nisi mirë dhe mori dy fitore. arriti në gjysmëfinale, por më pas humbi dy luftëra nga garuese me përvojë dukshëm më të madhe. Dhe në fund mbeti jashtë podiumit. Por me vendin e pestë ndihmoi në një Evropian të jashtëzakonshëm për Kosovën.