Lojërat Mesdhetare kanë rikonfirmuar atë që dihej – dallimin e madh të xhudos me sportet e tjera në vend. Dallimi është shumë medalje. Xhudoja e vetme fitoi shumë medalje. Sportet e tjera, të shumta, fituan një medalje.
Xhudistët e Kosovës të shtunën janë larguar nga Algjeria dhe janë nisur për në Kosovë. Me vete morën pesë medalje, tri prej tyre me shkëlqim ari. Gjatë tri ditëve, nxënësit e trajnerit Driton Kuka mblodhën medalje. Ai për në “Oran 2022” kishte përzgjedhur ekip prej tetë xhudistëve. Pjesë e tij nuk ishte kampionia olimpike, Nora Gjakova, që ende po e sanon një lëndim të dorës. Por ekipi i Kukës tashmë është i gjerë dhe këtë e dëshmoi edhe gara në Oran 2022.
Distria Krasniqi, Laura Fazliu e Loriana Kuka fituan medalje të arta. Flaka Loxha e Akil Gjakova fituan medalje të bronzta. Erza Muminoviq e Shpati Zekaj u renditën të shtatët.
“Drejt atdheut. Pesë medalje për Kosovën. Ekipi do të ecë tutje drejt Lojërave Olimpike ‘Paris 2024’”, ka shkruar trajneri Kuka të shtunën. Ai ka publikuar një fotografi me ekipin komplet. Dhe me pesë medaljet natyrisht.
Ka kohë që xhudoja, falë punës së jashtëzakonshme të Toni Kukës, ka bërë shkëputje të madhe me sportet e tjera në vend. Dhe hendeku duket se sa shkon e rritet. Që në vitin 2009, xhudoja nisi shkëputjen, kur Majlinda Kelmendi fitoi titullin botëror dhe evropian për juniorë. Prej atëherë xhudoja është “botë tjetër”. Medaljet për seniorë të xhudistëve nisën të vinin në vitin 2013, ndërsa që në ngjarjen e parë shumësportëshe të Kosovës, u konfirmua dallimi. Nora Gjakova fitoi medaljen e vetme të Kosovës në Lojërat Evropiane “Baku 2015”. Majlinda fitoi të artën olimpike një vit më vonë, ndërsa në Lojërat Mesdhetare të vitit 2018, xhudoja fitoi katër medalje, tri prej tyre të arit, ndërsa sportistët tjerë nuk iu afruan atyre. Në Lojërat e dyta Evropiane ndodhi e njëjta – shumë medalje për xhudistët, asnjë për të tjerët. Në “Tokio 2020”, xhudoja shtoi edhe dy medalje të arta, me Nora Gjakovën e Distria Krasniqin. Dhe tani në Lojërat Mesdhetare, xhudoja fitoi pesë medalje, ndërsa sportet e tjera një. Shpejtim Bajoku fitoi medalje të bronztë në boks.
Kuka dhe ekipi i tij po vazhdojnë rritjen dhe zgjerimin. Sukseset në garat e xhudos dhe ato shumësportëshe e dëshmojnë këtë. Ndërkohë, në sportet e tjera po ka telashe për të kaluar nivelin thuajse inferior, ndonëse përkrahja për sportin vlerësohet të jetë e duhura.
Ka pasur shpresë që në Oran të Algjerisë të fitohen medalje edhe në sporte tjera. Madje i pari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, kishte parashikuar medalje në të gjitha sportet ku Kosova mori pjesë. Por deklarata e tij doli të mos ketë qenë shumë e matur. Pritjet ishin për medalje edhe në karate e në ndonjë sport tjetër. Karateistët nuk iu afruan atyre, pos Albulena Gërvallës që me një fitore e dy humbje u rendit e pesta. Në boks vetëm Shpejtim Bajoku dëshmoi nivel, kurse tre të tjerët i humbën luftërat e para.
Në sportet e tjera, me ndonjë përjashtim, pozitat e pjesës së poshtme ishin të rezervuara për sportistët kosovarë.
KOK-u në Oran ka dërguar ekip të madh me 39 sportistë. Shumica prej tyre tashmë e kanë përfunduar garimin. Prej pak sportistëve që kanë mbetur, pritjet janë më të mëdha nga atletja Gresa Bakraqi. Ajo ka shënuar rritje të formës në vitin e fundit dhe në KOK vlerësojnë se mund të përfshihet në garë për medalje.
Edhe nëse Bakraqi fiton medalje, dallimi i sporteve të tjera me xhudon do të vazhdojë të jetë i madh. Dhe kjo nuk pritet të ndryshojë së shpejti.
Ka pasur lëvizje këtë vit me medaljet e mëdha të fituara nga boksierja Donjeta Sadiku dhe karateisti Elhami Shabani. Tani edhe Bajoku ka medalje solide, por shkëputja e xhudos megjithatë, është e madhe. Shumë e madhe madje.