Sport

Medalje të bronzta dhe fitore ndaj legjendave për Laurën e Akilin

Kosova ka fituar edhe dy medalje në Kampionatin Evropian të xhudos që po mbahet në Montpellier të Francës. Të premten medalje të argjendtë fitoi Distria Krasniqi, ndërsa të bronztë Nora Gjakova. Dy të bronzta të shtunën i kanë shtuar Laura Fazliu dhe Akil Gjakova. Kështu Kosova e përfundon kampionatin kontinental me katër medalje, ndërsa mori pjesë me gjashtë xhudistë.

Edhe më impresiv bilancin e bën rruga e Laurës dhe Akilit deri te podiumi. Në kategorinë deri 63 kilogramë, Laura në çerekfinale e mposhti legjendën franceze Clarisse Agbegnenou. Francezja është prej xhudisteve më të mëdha në histori. Ka medalje të artë olimpike dhe gjashtë medalje të arta botërore, ndër të tjera. Laura e mposhti me uazari, përkatësisht me hedhje të bukur në kohën shtesë. Por xhudistja kosovare, që ishte bartësja e parë në kategori, dominoi plotësisht ndaj Agbegnenout.

Laura e nisi ditën me fitore ndaj ukrainases Yuliia Hrbenozhko. Në gjysmëfinale u befasua nga sllovenia Andrea Leshki, që realizoi Ippon. Në fakt Leshki realizoi hedhje në kundërsulm në momentin kur Laura po shkonte drejt fitores. Për medalje të bronztë Laura e mposht portugezen Timo Barbara. Ndaj saj realizoi hedhje tjetër të bukur për fitore me Ippon.

Laura e ka mposhtur në dy përballjet e deritashme francezen Agbegnenou. 23-vjeçarja ka tashmë dy medalje evropiane. Vjet ishte nënkampione.

Medaljen e dytë evropiane e ka fituar edhe Akil Gjakova. Ai ishte kampion evropian në vitin 2021. Akili nuk ishte bartës në kategorinë deri 73 kilogramë. Ditën e nisi me fitore të veçantë. E mposhti me uazari xhudistin që e përfaqëson Serbinë, Bajsangur Bagajev. Me dy uazari në rundin e tretë e mposhti bullgarin Mark Hristov.

Në çerekfinale, Gjakova pësoi me Ippon nga moldavi Petru Pelivan. Por vazhdoi rrugëtimin drejt medalje.

Me dy uazari për pak më shumë se një minutë luftë e mposhti hungarezin Daniel Szegedi në luftën e parë të repesazhit. Në luftën për medalje të bronztë e kishte përballë legjendën e xhudos botërore, Lasha Shavdatuashvili. Xhudisti nga Gjeorgjia i ka tri medalje olimpike, prej tyre një të artë. Ka po ashtu titull të botës e shumë medalje evropiane.

Por ndaj Akil Gjakovës të shtunën ishte inferior. Akili dominoi plotësisht. Në tri raste iu afrua hedhjeve të bukura, para se ta realizonte një të tillë në kohën shtesë.

Fitoi me uazari pas gati gjashtë minuta luftë për festën e madhe bashkë me trajnerin Driton Kuka. Me Shavdatuashvilin, Akili tani ka bilanc prej tri fitore e katër humbje.

Të shtunën garoi edhe Loriana Kuka. Në kategorinë deri 70 kg, Loriana në xhiron e parë e kaloi suedezen Anna Bernholm. Më pas në rundin e dytë humbi nga holandezja Sanne Van Dijke. Holandezja ishte bartësja e parë, ndërsa fitoi medalje të bronztë në fund.

Tani Kosova i ka plot 23 medalje nga Kampionatet Evropiane për seniorë. Xhudistët e kryemjeshtrit Driton Kuka kanë fituar rregullisht medalje evropiane që nga viti 2013.

Forma e shfaqur në Montpellier jep shpresë të madhe për suksese të tjera në Lojërat Olimpike. Jo rastësisht Evropiani u mbajt në Francë ku verën e ardhshme është Olimpiada verore. Në “Parisi 2024”, Kosova synon medalje të tjera. Evropiani dëshmoi se nxënësit e Kukës janë në rrugën e duhur.